KOVID-19, u ndal testimi i vaksinës premtuese nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordi

Kompania farmaceutike, AstraZeneca, ka pauzuar testimet e një vaksine për koronavirus, pasi një vullnetar që ka marrë vaksinën është përballur me përkeqësim të paqartë të gjendjes shëndetësore.

Vaksina, që po zhvillohet nga AstraZeneca dhe Universiteti i Oksfordit në Britani, është një prej projekteve më premtuese në luftën kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton ky virus.

AstraZeneca ka thënë përmes një deklarate më 8 shtator se rishikimi standard i procesit është nxitur pasi një vullnetar është sëmurë dhe kompania “ka pauzuar vaksinimin për të lejuar analizimin e sigurt të të dhënave nga një komitet i pavarur”, transmeton REL.

Kompania e ka konsideruar këtë vendim si “veprim rutinor”, duke thënë se duhet të ndodhë kur potencialisht ka përkeqësim të paqartë të situatës shëndetësore gjatë procesit të testimit.

Kjo ndalesë përfshin edhe testimet e kompanisë me 30,000 pjesëmarrës, në Shtetet e Bashkuara si dhe studime më të vogla në Britani, Brazil dhe Afrikën Jugore.

Vullnetari që është sëmurë pritet të shërohet, sipas Stat News, që fillimisht ka raportuar se testimet janë ndaluar për “shkak të dyshimeve për reaksion serioz”.

AstraZeneca është një prej tri kompanive që kanë arritur në fazën e tretë të testimeve të vaksinave për koronavirus në Shtetet e Bashkuara, meqë atje janë siguruar mijëra vullnetarë për marrje të vaksinës.

Dy vaksinat e tjera po zhvillohen nga kompanitë Pfizer dhe Moderna.

Njoftimi i kompanisë AstraZeneca është i pari që përbën ndalim të testimeve për këtë vaksinë, me qëllim të kryerjes së hetimeve për siguri.

Ky njoftim ka ardhur në të njëjtën ditë kur AstraZeneca dhe tetë kompani tjera farmaceutike kanë lëshuar një deklaratë të rrallë duke kërkuar që të ndiqet rruga e shkencës dhe të shmanget politika.

Kompanitë si, Johnson & Johnson, BioNTech, GlaxoSmithKline, Pfizer, Merk, Moderna, Sanofi dhe Novavax, e kanë cilësuar njoftimin si “thirrje historik”, pas rritjes së shqetësimeve për standardet e sigurisë dhe presionit politik për zhvillim të vaksinës.

Deklarata ka pasuar deklaratën e presidentit amerikan, Donald Trump se vaksina duhet të jetë gati para zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka thënë se rreth 180 vaksina potenciale janë duke u testuar në gjithë botën, mirëpo asnjëra prej tyre nuk ka kompletuar testimet klinike.

Kjo Organizatë ka thënë se nuk pret që vaksina të përmbushë kërkesat e saj për efikasitet dhe siguri nëse miratohet këtë vit, për shkak të kohës së shkurtër të zhvillimit.

Mirëpo pavarësisht këtyre deklaratave, Kina dhe Rusia kanë nisur vaksinimin e disa punëtorëve me vaksina të zhvilluara brenda shteteve përkatëse.

Të gjitha prej tyre janë ende në listën e OBSH-së si vaksina për të cilat po kryhen testime klinike.

Për koronavirusin e ri është raportuar fillimisht në Vuhan të Kinës, në dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, 27 milionë persona janë infektuar me këtë virus në nivel global.

Prej tyre, 870,000 kanë vdekur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button