Varhejli: Përpiqemi ta bëjmë konferencën e parë ndërqeveritare këtë dhjetor me RMV-në dhe Shqipërinë

Oliver Varhelyi, komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Evropian (BE) në Forumin e Ballkanit Perëndimor e vlerësoi Ballkanin Perëndimor si zemrën e Evropës, për të cilën po punohet vazhdimisht në procesin eurointegrues, raporton Portalb.mk. Rajonin gjithashtu e vlerësoi si faktor stabiliteti për sigurinë evropiane.

“Ballkani Perëndimor është zemra e Evropës dhe ne po punojmë që ta afrojmë edhe më shumë me BE-në. Ky komision ka angazhim të plotë në këtë drejtim. Ky komision e ka kthyer në përparësi kryesore”, deklaroi Varhelyi, raporton EN.

Ai sqaroi se komisioni po punon me përgjegjësi dhe vendosmëri.

“Kemi nevojë për Ballkanin Perëndimor sepse pa të nuk do të kemi siguri evropiane, dhe mund të mos kemi zhvillimin që mund të arrijmë bashkë me ata. Përgjegjësia dhe sfida jonë është t’i integrojmë në BE, dhe kjo është ajo për të cilën po punojmë, sepse e ardhmja e çdo vendi të Ballkanit Perëndimor është BE-ja, në plan afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë. Ky është destinacioni i tyre. Jam i kënaqur të shoh angazhimin e tyre të plotë në këtë drejtim”, vlerësoi Varhelyi.

Eurokomisioneri hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë i vlerësoi si vendime të duhura, duke paralajmëruar që deri në dhjetor mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare.

“Propozimet për kuadrin negociues i kemi përgatitur për të dy vendet. Këshilli tani po diskuton se kur dhe si do të mbahen konferencat e para ndërqeveritare me të dy vendet. Le të përpiqemi ta bëjmë konferencën e parë ndërqeveritare këtë dhjetor, me presidencën gjermane”, deklaroi eurokomisioneri.

Ai paralajmëroi investime ekonomike në Ballkanin Perëndimor.

“Javët në vazhdim, është një plan i madh investimi ekonomik për të gjithë rajonin”, deklaroi Varhelyi.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button