LUTA

Luta doli një ditë sapo kishte lindur dielli nga dera e shtëpisë me kalin për dore. E la kalin të pinte ujë te përroi që kalonte pranë rrethojës përballë derës dhe u kthye ta mbyllë derën.  E preku mjekrën dhe bëri: auuu paskam mbetur pa rruar si hipik. Pastaj u kthye ta marrë kalin. Përballë tij nuk ishte më përroi, por një kodrinë e botë me disa kaçuba dhe nja dy pemë ullinjsh. Kadalë, tha Luta, vetë me vete, ku jam unë? Shikoi, andej e këndej dhe – nja njëzet a tridhjetë metra larg e pa kalin e vet pullali të zënë në një çezë. Kali që kulloste aty turfulloi dhe kërceu në dy këmbë. Luta vrapoi ta shohë se kah doli kjo çezë dhe kodrina aty. Kur u afrua e pa një gjarpër me zile duke ikur kur e preu shtegun e shkelur mbu bar. Iu afrua kalit. Ia lëmoi qafën, kali u qetësua dhe madje ia lëpiu dorën. Në atë çast, nga kodrina po zbriste shtegut të shkelur një grua e veshur me tunikë të bardhë. Ajo e lëvizte dorën e djathtë në ajër dhe kur u afrua ajo tha:

–  Ooo tungjatjeta Dalmat, prej kur s’të paskam parë. Dy tri herë kam qenë në Butrint në simposiume. Me harpë. Një herë te Agroni ai aristokrati qejfli, një herë te Silvani dhe herën tjetër te Adriani. Sa herë kam pyetur për ty, po më kanë thënë që s’të kanë parë gjatë kohë. Adriani, madje më tha se kishte dëgjuar që e ke humbur jetën në luftën kundër Etolëve.

– Urdhëro? pyeti Dalmati duke prekur kraharorin dhe duke u habitur se edhe ai vetë ishte i veshur me togë.

– Të thashë se kam dëgjuar se të kanë vrarë në luftën e Agronit kundër Etolëve…

Dalmati buzëqeshi hidhur… Agroni?… Lufta kundër etolëve?… e preku edhe një herë togën… Iu kujtua se ishte nisur me një xhup… Prit, prit, moj zonjushë, më fal por unë s’të njoh…  Dhe, nuk di asgjë për ato luftëra për të cilat më flet.

– Më njeh, po ndoshta s’të kujtohem për shkak se je qenë nëpër simposiume në Dyrrah, Ulkinon dhe Rizon. E atje mblidhen shumë bukuroshe. Megjithatë po ta kujtoj: Më quajnë Dazë, Daza e Lisit… Pastaj buzëqeshi dhe iu zbuluan dhëmbët e bardhë.

– Më fal, po shpjegoma pak punën e simposiumeve… Dhe, edhe një herë tregoma emrin…

–  Më quajnë Dazë, të thashë,

Dalmati e shikoi në fytyrë. Ajo fytyrë ia kujtoi një këngë që thotë: Vetulla e sajë ndrejt, si fiskaja; shteku i ballit, si shteku i malit, kúr merr hana me prendue; syni i sajë, si kokrra e qershisë; e ka qerpikun, si krahi i dallndyshës; ftyra e saj, si kuqet molla m’degë: hunda ndrejt, si kalemi i Tushes; goja e vogel, si lulja qi shperthen;dhâmt e bardhë, si gurzit e lúmit,
fíll mbas shiut, kúr po i shndritte dielli; qafa e saj, si qafa e pllumit; shtati i saj, si ‘i shtat çetine; misht e dores, porsi rremi i shemshirit… O zot çfarë bukurie mendoi. S’ka rëndësi a më kujtohesh a s’më kujtohesh tamam, por e di se të kam parë dhe e di se ti je ëndrra ime.

– Më vjen mirë Dalmat, – tha vajza duke u munduar ta kthejë fytyrë në profil. Mirëpo edhe profilin ia praroi dielli.

Daza pastaj e mbuloi fytyrën me dy duart e saj “porsi rremi i shemshirit”…

– Çfarë të gjeti – e pyeti Dalmati i habitur.

– E pashë një re të zezë. Orakulli thotë orakulli.

– Po këtu jemi vetëm ne. E reja ja po rrëshqet. Do të tretet diku kah veriu.

Atëherë reja e zezë u zgjerua dhe u ndal mbi të dytë.

– Аааа! – bërtiti vajza me zërin e saj të ëmbël femëror.

– A po bën shaka me mua? e pyeti Dalmati.

– Jo! –  tha Daza e përvajshme.

Pastaj reja u shpërnda dhe sërish dielli e praroi kodrinën. Dalmati e kishte harruar kalin që kulloste në kodrinë, kishte harruar se kush ishte, se nga kishte ardhur. Daza e ktheu kryet kah Dalmati dhe e pa fytyrën e të bukurës së dheut. Ajo qeshi dhe sërish iu dukën ata dhëmbët e saj të bardhë si gurëzit e lumit fill pas shiut kur u bie dielli.

– Më duket së të pëlqej! tha  Daza.

Në atë çast Dalmati e ndjeu një therje në kryqe. Fill pas kësaj një gaz i disa djemve të rinj që erdhi nga pas një kaçube. Dalmati u ndje i lodhur, djersët e mbuluan, goja iu tha, flaka ia përfshiu shpirtin, kurse bukura e Dazës desh e çmendi. Nuk u durua.

  • Të dua Dazë! Të dua sa ka mali gjeth, sa ka deti ujë…
  • E kam ditur… tha Daza. Dhe, iu afrua. E përqafoi dhe e puthi butas. Ndërkohë gazi i atyre

djemve filloi të tretet.

– Erosi dhe  Dionisi, më duket, –  tha vajza…

–  Ja, me të vërtetë… E ndjeva unë shigjetën në kryqe. Tash po e kuptoj ku jam. A quhet ky vend Pieri?

–  Po, – tha e buzëqeshur.

– Vendi i Erosit?

– Erosi është gjithkund, – tha Daza.

– A më do ti Dazë? pyeti Dalmati.

–  Po,  të dua shumë…

– Atëherë të ikim së bashku! i tha i vendosur Dalmati. Dhe vrapo pas kalit, i cili ishte larguar shumë. Vrapo, vrapoi e u lodh. U ul në bar sa të marrë pak frymë. Në atë çast e ndjeu që dikush po i bunte buta mbi sup, Zgjohu!

Dalmati i fërkoi sytë, Para sysh qëndronte njl djalë i çuditshë i cili me një ët lëvizur të duarve i mblodhi retë dhe bëri që kali të vinte vrap te Dalmati.

  • Kush je ti? e pyeti Dalmati.
  • Jam Andrri. Jam ai që të shëtita pak në kohën e katragjyshërve.
  • Po ku shkoi Daza?
  • Në mbretërinë e lumenjve të shenjtë.
  • Po unë? pyeti Dalmati.
  • Ti, ja ku e ke derë, ja kalin dhe ti nuk je Dalmati. Ti je Luta… Dalmati është stër, stër katragjyshiy yt. Unë të shëtita pak ta shohësh dhe ta ndjesh si e kanë përjetuar dashurinë ata.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button