Pas 29 vitesh pavarësi, Maqedonia e Veriut në NATO, por në pritje të negociatave me BE-në

Republika e Maqedonisë së Veriut shënon 29-vjetorin e pavarësisë si shtet anëtar i NATO-s dhe si shtet që është në pritje të hapjes së kapitujve të parë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE), që kur u mor vendimi për fillimin e negociatave aderuese, shkruan Anadolu Agency (AA).

Shpërbërja e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ngjau si rezultat i një vargu trazirash politike në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të 20-të.

 Rruga drejt pavarësisë

Pasi ish-shteti RSF e Jugosllavisë u shpërbë, u formuan shtete të mëvetësishme, në mesin e të cilave edhe Republika e atëhershme e Maqedonisë, sot Republika e Maqedonisë së Veriut, që shënon 29-vjetorin e pavarësisë, pas referendumit që u mbajt më 8 shtator të vitit 1991, në të cilin qytetarët u prononcuan për shtet të pavarur dhe sovran.

Mbi 95 për qind e qytetarëve që dolën në referendum pozitivisht iu përgjigjën pyetjes: “A jeni për Maqedoni të pavarur me të drejtë të hyjë në një aleancë të ardhshme të shteteve sovrane të Jugosllavisë?”. Paraprakisht, më 25 janar të vitit 1991, u miratua Deklarata për Pavarësi e Parlamentit të parë shumëpartiak të Maqedonisë. Si një hap i rëndësishëm për shtetin vijoi miratimi i Kushtetutës së re më 17 nëntor të vitit 1991.

Pas shpalljes së pavarësisë, shtetësinë e Maqedonisë, ndër shtetet e para, e pranuan Turqia dhe Bullgaria, si dhe Sllovenia, Kroacia, Rusia, Bosnjë dhe Hercegovina, e më pas edhe shtetet e tjera.

Pas votimit të deklaratës për sovranitet të shtetit, Kiro Gligorov u zgjodh presidenti i parë i Republikës së pavarur të Maqedonisë nga ana e Kuvendit më 27 janar të vitit 1991.

Në aspektin monetar shteti u pavarësua me vendosjen e denarit më 26 prill të vitit 1991, ndërsa më pas bëri edhe armatën, të cilën e shënon më 18 gusht.

Subjektiviteti juridiko-ndërkombëtar i shtetit përfundimisht u konfirmua më 8 prill të vitit 1993, kur me aklamacion në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Maqedonia u pranua si anëtarja e 181-të e plotëfuqishme e organizatës botërore.

Për shkak të kundërshtimit dhe presionit nga ana e Greqisë, që nuk e pranonte emrin kushtetues të Republikës së Maqedonisë, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara u bë nën referencën e përkohshme: Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë.

Negociatat me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin

Përgjatë viteve negociatat për zgjidhjen e problemit me emrin me Greqinë kohëpaskohe vazhdonin dhe ndalonin, ndërsa u përtërinë pas ndryshimit të pushtetit në vend, kur në vitin 2017 në qeveri erdhi partia e Lidhjes Socialdemokrate (LSDM), e kryesuar nga kryeministri aktual Zoran Zaev. Negociatat mes Shkupit dhe Athinës u aktualizuan pas takimit të parë të kryeministrit Zaev me kryeministrin e atëhershëm grek Aleksis Tsipras, gjatë Samtit në Davos në janar të vitit 2018.

Pas mbajtjes së ngeociatave për zgjidhjen e kontestit për emrin që u zhvilluan nën sponsorisim të Kombeve të Bashkuara (OKB), u arrit Marrëveshja e Prespës, e cila u nënshkrua në qershor të vitit 2018 në anën greke të Liqenit të Prespës.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia ndërroi emrin nga Republika e Maqedonisë në Republika e Maqedonisë së Veriut, ndërsa pas nënshkrimit të marrëveshjes vijuan hapat e zbatimit të tij, siç janë mbajtja e referendumit në Maqedoninë e Veriut, që u mbajt në shtator të vitit 2018. Pyetja e referendumit ishte “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë?”.

Në referendum, sipas të dhënave të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), dolën 36,91 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve, me çka nuk u arrit censusi i nevojshëm për daljen e 50 për qind të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. Nga votuesit që dolën në referendum, 91,46 për qind votuan “për”. Më pas, në kuvend, me një shumicë prej dy të tretave u votuan ndryshimet kushtetuese, me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues.

Po ashtu, marrëveshja u ratifikua edhe në Parlamentin e Greqisë, kurse më pas vijuan edhe fazat e tjera të parapara nga marrëveshja dhe avancimi i marrëdhënieve të dy vendeve fqinjë, të cilat me Marrëveshjen e Prespës e zgjodhën kontestin shumëvjeçar.

Rruga drejt NATO-s

Anëtarësimi në aleancën më të madhe ushtarako-politike në botë, NATO, ishte qëllim strategjik i vendit për shumë vite. Në vitin 1999, në Samitin në Washington, Maqedonia u bë kandidate për anëtarësim të plotëfuqishëm në NATO.

Që kur u bë kandidat, vendi më afër hyrjes ka qenë në Samitin e Bukureshtit. Atëherë, në vitin 2008, Maqedonia u vlerësua se është tërësisht e përgatitur ta marrë ftesën, por Greqia përdori të drejtën e vetos dhe kushtëzoi Maqedoninë me zgjidhjen e kontestit për emrin.

Pas arritjes së Marrëveshjes së Prespës u hapën dyert e vendit për përparim në rrugën euroatlantike.

Vendet anëtare të NATO-s në shkurt të vitit të kaluar e nënshkruan Protokollin për Anëtarësimin e MaqedonisëVeriutNATO, e më pas atë e ratifikuan parlamentet e të gjitha anëtareve të aleancës, me çka vendi më 27 mars të këtij viti zyrtarisht u bë anëtari i 30-të i NATO-s.

Përveç marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, në gusht të vitit 2017 u nënshkrua Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.

Marrëveshja ka për qëllim ta zhvillojë bashkëpunimin mes dy vendeve fqinje, si dhe për të ardhur deri te harmonizimi i disa çështjeve të historisë.

 Anëtarësimi në BE si qëllim strategjik

Po ashtu, edhe anëtarësimi në BE për Maqedoninë e Veriut është prioritet kulmor. Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim e cila i regullon marrëdhëniet e vendit me Bashkimin Evropian u nënshkrua më 9 prill të vitit 2001.

Në vitin 2005, vendi mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa në vitin 2008 edhe rekomandimin e Komisionit Evropian për fillimin e negociatave aderuese me Unionin.

Me fokusin shumëvjeçar të politikës së jashtme të Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në BE si qëllim strategjik, veçmas pas firmosjes së marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit për emrin me Greqinë, autoritetet në Maqedoninë e Veriut paralajmëruan se vendi do të marrë vendim për fillimin e negociatave aderuese në BE në samitin e tetorit të vitit të kaluar, por kjo nuk ndodhi.

Vendimi i tillë i BE-së hasi në dëshpërim tek aktorët politkë në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev vendimin për mosdhënien e vendimit për fillimin e negociatave e karakterizoi si një padrejtësi e madhe, duke theksuar se Maqedonia e Veriut është “viktimë e gabimit historik të BE-së”.

Ky vendim i BE-së, i cili ishte rezultat i mospasjes së konsensusit mes vendeve anëtare të Unionit dhe veçmas kundërshtimit të theksuar të Francës, e cila kundërshtonte marrjen e vendimit për fillimin e negociatave aderuese për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, çoi deri te ndryshimi i metodologjisë për udhëheqjen e negociatave aderuese për anëtarësim në BE. Më pas, vetëm disa muaj më vonë, gjegjësisht në mars të këtij viti, BE-ja shpalosi vendimin e saj zyrtar për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Tani mbetet që BE-ja ta caktojë datën e saktë për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë e Veriut dhe hapjen e kapitujve të parë të negociatave.

Në ndërkohë, Maqedonia e Veriut më 30 gusht fitoi qeverinë e tridhjetë me radhë që nga pavarësia e saj. Qeverinë e kryeson kryeministri Zoran Zaev së bashku me një koalicon më të gjerë. Zaev në adresimin e tij të parë në opinion tha se Maqedonia e Veriut fitoi qeveri të re, efikase dhe të përgjegjshme e cila do të punojë në interes të qytetarëve.

Pas fokusit trevjeçar mbi çështjet e hapura në planin e jashtëm politik, Zaev premtoi përkushtim të plotë në ekonomi, standard më të mirë dhe perspektivë më të mirë për qytetarët, institucione funksionale, si dhe sistem juridik në të cilin do të besojnë qytetarët.

Republika e Maqedonisë së Veriut pas 29 vitesh pavarësi është një anëtare aktive e NATO-s, me çka përmbushi një nga dy qëllimet strategjike, ndërsa mbetet ta realizojë rrugën e integrimit në BE, që është qëllimi i dytë strategjik i shtetit.

Tani, që kur vendi fitoi qeverinë e re, mbetet të përballet me sfidat prej të cilave më kryesorja është kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19, përkushtimi i plotë mbi ekonominë, ndërtimi i institucioneve funksionale dhe përballja me shpërnguljen masive.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button