Spanja shteti i parë evropian me mbi 500.000 raste me COVID-19

Numri i rasteve të reja të koronavirusit të ri (COVID-19) është rritur gjatë fundjavës në Spanjë, ndërsa Ministria e Shëndetësisë raportoi sot 26.560 raste të reja, transmeton Anadolu Agency (AA).

Me shifrat e reja gjatë vikendit, numri i përgjithshëm i të infektuarve arriti në 525.549, që është numri më i lartë në Evropë deri më tani.

Dy muaj më parë, numri i përgjithshëm i rasteve ishte 252.130, që do të thotë se rastet janë dyfishuar që nga fillimi i korrikut. Vetëm në dy javët e fundit, autoritetet kanë diagnostikuar 108.079 raste.

Numri i vdekjeve gjithashtu u rrit gjatë fundjavës për gati 100, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave të konfirmuara nga COVID-19 në 29.516.

Kjo javë gjithashtu shënon fillimin e vitit shkollor për mijëra studentë spanjollë. Të gjitha shkollat në mbarë vendin, madje edhe në zonat më të goditura, kanë vendosur të hapin dyert e tyre këtë muaj.

“Ne do të fillojmë të shohim ndikimin e shkollave në fund të kësaj jave ose në fillim të javës së ardhshme”, tha epidemiologu kryesor i Spanjës, Fernando Simon, në një konferencë për media.

Simon gjithashtu konfirmoi të hënën se 11 për qind të testeve PCR janë pozitive. OBSH konsideron se një vend e ka nën kontroll përhapjen e sëmundjes kur kjo shkallë është nën 5 për qind.

Ndërkohë, kryeministri spanjoll Pedro Sanchez në një prononcim për mediat lokale u tha se shpreson që Spanja do të jetë në gjendje të fillojë vaksinimin në dhjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button