fbpx

RMV, çfarë presin të rinjtë nga Qeveria e re?

Çfarë presin të rinjtë nga Qeveria e re? Gazetarja e Portalb intervistoi disa të rinj, duke ju mundësuar secilit të shpreh mendimin e vet në lidhje me atë se çfarë duan ata që Qeveria e re të ndryshojë në RMV. Sipas përgjigjeve shumica e të rinjve presin dhe duan shumë ndryshime në vend, njofton Portalb.mk.

Çka prisni ju nga Qeveria e re dhe çka do të donit të ndryshojë kjo Qeveri në RMV?

Aurora Idrizi, nxënëse.

Në vendin tonë duhet të ndryshojnë shumë gjëra. Të paktën nga Qeveria e re presim të sjell një shtet krejtësisht të ri. Të motivojë të rinjtë duke ju ofruar më shumë vende pune dhe paga më të larta, që të mos detyrohen të ikin më nga vendlindja dhe familjet e tyre. Të ndërtohen më shumë vende argëtuese për të rinjtë, si kinemaja, parqe adrenaline ( parqe për lojëra), vende për notim, parqe sportive dhe të tjera, që do t’i ndihmonte të rinjtë të zhvillonin mendime të shëndosha, të rrisin kreativitetin  e tyre dhe të kenë mundësi për relaksim sepse përveç kafeneve nuk kemi mundësi tjetër. Të rinjtë kanë nevojë për gjëra të tilla, sepse pikërisht të rinjtë janë e ardhmja e këtij shteti, kemi nevojë për diçka të bukur.

 

 

Senad Murati, student.

Ajo që gjithmonë na ka shqetësuar dhe vazhdon të na shqetësoj është se pasi të përfundojmë studimet, ku do të punësohemi. Sepse në RMV, për vite me radhë të rinjtë e kanë problem për tu punësuar në drejtimin që ata e kryejnë. Kjo dhe ka bërë që shumë të rinj të ikin nga vendlindja dhe të detyrohen ti lënë pas familjen, vetëm e vetëm që të gjejnë një vend pune, një pagë më të lartë që të kenë kushte më të mira për jetesë, e këtë gjë nuk e ofron vendi jonë. Për këtë arsye ajo çka jo vetëm unë por edhe gjithë rinia presim është që Qeveria të ofrojë sa më shumë vende pune për të rinjtë dhe paga të larta. Tjetër, Qeveria të investojë në Kodrën e Diellit,  si pasuri natyrore që e kemi dhe nuk kemi mundësi ta shfrytëzojmë për shkak kushteve. Qeveria të sjell investitor të huaj dhe ndryshime të tjera për të cilat ka nevojë vendi jonë.

 

Yllza Nesimi, studente.

Me një udhëheqje qeveritare të drejtë dhe korrekte ka më pak të meta në një shtet dhe më pak pakënaqësi në një popull, në anën tjetër, populli i Maqedonisë së Veriut po vuan për një sistem më të mirë shtetëror dhe rinia sa vjen e zhytet në strese të shkaktuara nga shtrëngimet e sistemit qeveritar të dobët. Si studente në Universitetin e Tetovës kam shpresë që kjo qeveri e re, të ndritë mendjet e të rinjve në vend, në mënyrë që të kemi një të ardhme të mbushur me profesionistë të sferave të ndryshme. Me Qeverinë e re duhet të mundësohet punësimi i individëve të gatshëm dhe të aftë për punë, të mundësohet mbrojtja e natyrës me ligj dhe kujdesi maksimal ndaj ambientit, të zhvillohet sistemi edukativo-arsimor dhe të shtohen mundësitë e studentëve në drejtimet e ndryshme. Uroj që Qeveria e re të jetë një kthesë e rëndësishme për jetët tona.

Ayhan Beadini, student.

Nga Qeveria e re presim që të rregulloj  gjendjen ekonomike në vend, që të ketë një jetë më të mirë dhe të rinjtë kështu të mos largohen nga vendi. Edhe pse mendoj dhe nuk kam shpresa se do të ketë ndryshime të mëdha por, mjafton që ti bëjnë hapat e para në rregullimin e gjendjes ekonomike si dhe politike.

 

 

Adisa Zeqiri, nxënëse.

Dëshiroj që të marrin hapa të guximshme për mbrojtjen e natyrës, të krijojnë mjedis ku të rinjtë do të forcojnë frymën sipërmarrëse dhe kreativitetin. Të ofrojnë ekonomi të re dhe teknologji të reja.

 

 

 

 

Bjanka Emini, studente.

Edhe pse Qeveria e kaluar arriti të nënshkruaj vendime historike për shtetin, megjithatë edhe kjo Qeveri e re mendoj se akoma bart shumë përgjegjësi për sjelljen në realitet të disa prej premtimeve të mëparshme. Përveç detyrës për luftimin e korrupsionit dhe papunësisë, do të doja që të merret më seriozisht çështja e ndotjes së ambientit, zgjidhja e problemeve etnike, emigrimi, si dhe do të bëhet përpjekje për të parandaluar problemet dhe vështirësitë në të ardhmen që mund të sjellin krizat e papritura ashtu siç është rasti aktual i pandemisë, duke u mundësuar kështu qytetarëve një vend jetese sa më stabil dhe të sigurt.

Ajo që në përgjithësi i shqetëson dhe ju pengon të rinjve është mesa duket mungesa e vendeve të punës si dhe pagat e ulëta. Të shpresojmë për këto ndryshime dhe të tjera që rinia jonë të kthehen nga emigrimi dhe të mos ikin më.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close