Rama: Hapja e listave 100%, vetëm nëse garantohet ekuilibri gjinor

Në fjalën e tij të parë në hapjen e këtij sesioni të ri parlamentar, Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga forcat politike në Kuvend, por edhe jashtë sallës plenare, që të nisin punën pa humbur kohë për të konkretizuar ndryshimet kushtetuese që u arritën mes qeverisë dhe opozitës jashtëparlamentare, por edhe me opozitën në Parlament, transmeton Klan.

“Pa humbur asnjë minutë duhet përmes Komisionit të Ligjeve dhe me përfaqësuesit e të dy palëve të hedhim në letër ato që do të jenë reflektimet e ndryshimeve që bëmë përpara kësaj ndërprerje në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë në Kodin Zgjedhor. Nuk ka kohë për të humbur dhe duhet të punojmë intensivisht me të gjithë fuqitë dhe me të gjithë ekspertët në dispozicion për të garantuar zbatimin e ndryshimeve të bëra bashkërisht. Nga njëra anë për mekanizmin e listave të hapura, ku na duhet të diskutojmë dhe të gjejmë rrugën e duhur me një konsensus të plotë jo vetëm brenda sallës së Parlamentit, por dhe me atë pjesë të opozitës që është jashtë Parlamentit. Por nga ana tjetër duhet të kërkojmë konsensus 100% për një proces të shpejtë. Edhe për të vendosur në Kodin Zgjedhor edhe mekanizmin e koalicioneve parazgjedhore si një subjekt zgjedhor”.

Sa i përket listave të kandidatëve, Kryeministri tha se nuk do të ketë lista 100% të hapura nëse nuk gjendet mekanizmi i duhur për të garantuar ekuilibrin gjinor.

“I vetmi problem për ne lidhur me kërkesën për t’i hapur listat 100% është garantimi i ekuilibrit gjinor të listave. Nëse kjo realizohet me një mekanizëm të besueshëm, atëherë për ne nuk ka asnjë problem. Nëse nuk ka mekanizëm të besueshëm, mos prisni nga ne të hapim listat 100%. Por bashkërisht do të gjejmë një rrugë që të gjitha palët të mund të ndjehen të përfaqësuara në atë që do të jetë produkti përfundimtar, ku asnjë palë nuk mund t’i marrë të gjitha dhe ku çdo palë duhet të pranojë që çka nuk mori vetë, e mori pala tjetër”.

Ligji Antishpifje duket se nuk është harruar nga Kryeministri, i cili ka shprehur vendosmërinë për ta çuar përpara me ndryshimet e nevojshme sipas Komisionit të Venecias.

“Shpifja këtu duhet adresuar ligjërisht kur vjen puna te mediat online. Fatmirësisht kemi një raport goxha ndihmues të Komisionit të Venecias dhe mbi atë raport duhet të punojmë bashkarisht dhe ta kalojmë atë ligj këtu në Parlament një orë e më parë sepse shpifja po bën kërdinë përditë”.

Ndër të tjera, Rama tha se “është koha të shtyjmë përpara edhe draftin e ligjit për Presidentin e Republikës. Ka ardhur koha që të ketë një ligj për Presidentin e Republikës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button