Opozita maqedonase kritikoi heshtjen shtetërore për marrëveshjen Prishtinë-Beograd

Partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka kritikuar institucionet shtetërore dhe partitë politike në pushtet, të cilat, siç thuhet, tashmë tri ditë po heshtin lidhur me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë, në prani të presidentit amerikan Donald Trump, transmeton REL.

“Vendi ynë u prononcua për Venezuelën, Korenë e Veriut, demokracinë në Poloni, por jo për çështjet që lidhen me Serbinë dhe Kosovën – dy fqinjët tanë me të cilët kemi bashkëpunimin dhe shkëmbim ekonomik më të zhvilluar…”, ka deklaruar Ilija Dimovski ish-deputet dhe zyrtar i VMRO-DPMNE-së, duke theksuar më tej se çfarë sipas tij do të ishte me rëndësi për pozicionin shtetëror të Maqedonisë së Veriut.

“Ne nuk duhet ta shikojmë këtë çështje përmes prizmit të ndjenjës për cilindo palë, por ekskluzivisht përmes prizmit të interesit të Republikës së Maqedonisë (v.j. së Veriut) dhe interesit të të gjithë qytetarëve të saj. Interesi ynë në rajon është që të kemi stabilitet afatgjatë. Në interes të Republikës së Maqedonisë është që mosmarrëveshjet të mos zgjidhen përmes ndryshimit të kufijve. Është në interesin tonë të mos kemi konflikte ushtarake në asnjë prej kufijve tanë për shkak të rrezikut të përhapjes së konfliktit drejt nesh. Është në interes të Republikës së Maqedonisë (v.j. së Veriut) që të investohet në infrastrukturë, transport, tregti dhe ekonomi kudo në shtetet fqinje”, ka theksuar Dimovski.

Lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit kishte reaguar në Facebook, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti duke e vlerësuar marrëveshjen “lajm të mirë nga djepi i demokracisë, nga vendi që bën ndryshim, nga vendi që promovon paqe, siguri dhe stabilitet, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

“U arrit Marrëveshja historike në mes dy shteteve sovrane, Kosovës dhe Serbisë, dhe kjo është një hap kolosal drejt marrëveshjes finale dypalëshe dhe Ballkanit në paqe e prosperitet ekonomik. Miqësia shqiptaro-amerikane dhe bashkëpunimi ynë strategjik janë sa shekullore aq edhe të përjetshme”, ka theksuar Ahmeti.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë nënshkruar një marrëveshje për normalizimin ekonomik, në prani të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button