fbpx

SHBA, Kandidatët përgatiten për debatin e parë

Kalendari politik në fushatën zgjedhore presidenciale në Shtetet e Bashkuara është i ngarkuar me aktivitete, por më i prituri është debati i parë mes dy kandidatëve që do të zhvillohet më 29 shtator. Zëri i Amerikës shpjegon se çfarë peshe kanë debatet për të bindur votuesit e pavendosur, një segment me rëndësi kyçe për fitoren në zgjedhje.

Pas fjalimeve gjatë kuvendeve, dy kandidatët kanë pasur rastin t’i mëshojnë përsëri mesazhit të tyre para votuesve. Presidenti Trump dhe zoti Biden janë në veçanti të përqendruar tek votuesit në shtetet e lëkundura, ndërkohë që përgatiten për debatin e 29 shtatorit:

“Mendoj se do të shohim një debat të ndezur – dy kandidatët duke i prerë fjalën njeri-tjetrit,” thotë Jennifer Mercieca, nga Universiteti “Texas A&M”.

Jennifer Mercieca është pedagoge e komunikimit në Universitetin “Texas A&M”. Ajo thotë se të dy kandidatët dinë si të sulmojnë kundërshtarin:

“Presidenti nuk rezervohet kur hedh thumba apo kur tallet me rivalët në debate, siç e pamë në 2016-tën. Joe Biden, me sa kam parë, ka një eksperiencë më të gjatë në politikë. E ka treguar veten se nuk lëviz lehtë nga qëndrimet e tij. Në 2012, gjatë debatit nënpresidencial, u pa qartë kur pak a shumë në stilin e zotit Trump, filloi të vinte në lojë opozitën,” thotë zona Merceica.

Prej dekadash, formati nuk ka ndryshuar: kandidatët u përgjigjen pyetjeve nga gazetari që drejton debatin:

“Mendoj se është me vlerë kur shohim kandidatët përballë njeri-tjetrit. Dëgjojmë si flasin, tonin që përdorin, por edhe qëndrimet politike. Ata kanë rastin të akuzojnë kundërshtarin për veprime apo politika të caktuara, ose t’u përgjigjen akuzave të kundërshtarit,” thotë zonja Merceica.

John Koch është drejtor i studimeve për debatin në Universitetin Vanderbilt. Ai thotë se është e nevojshme të gjendet një format i ri, i ndryshëm nga praktika që i përngjan një konference për shtyp:

“Debati fillon me prezantimin e një teme apo skenari, kandidatët kanë 30 minuta të diskutojnë me konsulentët dhe ndihmësit dhe të kthehen me një zgjidhje që t’ia paraqesin shikuesve. Pastaj të fillojë debati se si kandidati arriti në atë zgjidhje dhe të ofrojë një analizë,” thotë zoti Koch.

Ka gjasa që ky debat të tërheqë më shumë shikues se debati i parë në 2016, i ndjekur nga 84 milionë amerikanë, por nuk mund të përllogaritet lehtë se sa votues të pavendosur do të zgjedhin një kandidat atë natë:

“Analizat mbi debatet presidenciale tregojnë se njerëzit shohin se me cilin kandidat kanë më shumë të përbashkëta në qëndrime. Por nuk ka shumë prova se debatet arrijnë t’u ndryshojnë mendjen në masë votuesve,” thotë zoti Koch.

“Mendoj se për të arritur një ndikim të dukshëm nga debatet duhet që vetë shikuesit të ndjekin diskutimet me mendje të hapur,” thotë zonja Mercieca.

Sipas një ankete të firmës kërkimore Pew, 10% e votuesve në 2016-ën thanë se vendosën për kë do të votojnë gjatë ose menjëherë pas debatit.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close