fbpx

RMV, ministritë ende nuk i kanë bërë publike detyrat që duhet t’i realizojnë gjatë katër viteve të ardhshme

Kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev, të enjten u dorëzoi letrat e mandateve ministrave të ri, të cilat përmbajnë detyrat që çdo ministër duhet t’i zbatojë gjatë mandatit katërvjeçar si dhe afate të precizuara kohore se kur duhet të realizohen ato.

Portalb.mk kërkoi këto letra së bashku me detyrat nga Qeveria megjithatë prej atje na thanë se ato duhet të publikohen nga ministritë.

Megjtihatë, nga dita e premte Portalb.mk ka tentuar që të sigurojë letrat nga ministritë përmes emailave zyrtar, por kanë hezituar që t’i dërgojnë ato.

Nga përgjigjet që Portalb.mk mori sot, Ministria e Punëve të Brendshme u përgjigj se së shpejti do të mbajnë konferencë për media ku do të publikohen detyrat e ministrisë dhe se nuk munden të japin informata në lidhje me këtë paraprakisht.

Nga Ministria e Drejtësisë, me të cilën udhëheq Bojan Mariçiq thanë se gjatë ditës do të dërgojnë, por deri në këto momente nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme, në krye të së cilës tani është Bujar Osmani, u përgjigjen se presin koordinim në Qeveri se kur do të caktojnë konferencat për media në lidhje me këtë çështje.

Nga Ministria e Shëndetësisë, ku për ministër u zgjodh sërish Venko Filipçe, premtuan se do të na japin një përgjigje por nuk e kanë dërguar akoma deri në këto momente.

Nga Ministria e Ekonomisë, me të cilën udhëheq Kreshnik Bekteshi thanë se ajo do të publikohet në konferencë për media, e cila planifikohet të mbahet pas festës së 8 shtatorit.

Nga Ministria e Administratës, e cila udhëhiqet nga Jeton Shaqiri thanë se nuk munden ta publikojnë atë para konferencës për media.

Nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale dhe MASH, ministri që u janë besuar Jagoda Shahpaskës dhe Mila Carovskës po ashtu, premtuan se do ta dërgojnë atë, por deri në këto momente nuk e kanë dërguar. Ndërkohë, ministritë e tjera nuk kanë informuar akoma se kur do të bëhen publike letrat mandatare.

Por, burimet e Portalb.mk kanë shpalosur disa detaje nga përmbajtja e këtyre letrave për një pjesë të minsitrive.

Kryeministri, Zoran Zaev, pret nga ministri i Administratë që ndër tjerash, të realizojë këto detyra:

– Në bashkëpunim me Qeverinë dhe institucionet kompetente, të vazhdojmë me procesin e riorganizimit dhe optimizimit të organeve të administratës shtetërore, agjencive dhe shërbimeve të inspektimit; 

– Të zvogëloni vëllimin e të punësuarve në sektorin publik me 20%, duke bashkuar funksionet dhe kompetencat e institucioneve, daljen në pension në moshën 64 vjeçare (me përjashtime për personelin dhe profesionet deficitare), paketat për transferim në sektorin privat ose pension të parakohshëm, etj; 

– Krijimi dhe implementimi i një sistemi që thekson përgjegjësinë individuale dhe vlerësimin e ekipit, duke reformuar sistemin ekzistues 360 ° për vlerësimin e stafit administrativ; 

Vazhdoni të përmirësoni kushtet për punonjësit e sektorit publik: 

Nga Ministria e Financave pret që:

-Të sigurojmë investime të huaja në vlerë prej së paku 1 miliard euro për 4 vite, me fokus të atyre të bazuara në inovacione, shkallë të lartë të finalizimit të prodhimeve, shërbime dhe qëndrueshmëri të bizneseve.

-Në bashkëpunim me Qeverinë të përgatisni kornizë ligjore dhe financiare me të cilën niveli i investimeve publike do të rritet në 2,2 miliardë euro përderisa investimet e pritshme private të jenë 1,2 miliard euro në periudhën e të gjithë mandatit.

-Bashkë me Qeverinë të filloni me etapa realizimin e financimit buxhetor sipas principit të përmbushjes së indikatorëve zhvillmor (smart Key Performance Indicators) në secilin sektor.

Ndërkohë, nga Ministria e Ekologjisë pret:

-Deri në vitin 2024, asnjë institucion shtetëror të mos ngrohet me sisteme të vjetra dhe jo-ekologjike të ngrohjes dhe të investohet në efikasitet energjetik të ndërtesave publike: 

-Në dy vitet e para të zbatoni gjelbërim intensiv të shtetit, veçanërisht në qytetet më të ndotura, të bazuar në “Planin e Gjelbërimit”; 

-Në bashkëpunim me Drejtorinë për Punë Hidrometeorologjike, të vendosni sistem për paralajmërim të hershëm për motin që përmban kushte për shfaqjen e rritur të ndotjes së ajrit; 

Nëse ministritë nuk i bëjnë publike këto letra, gjatë ditëve në vijim siç kanë premtuar, atëherë Portalb.mk do t’i bëjë publike që opinioni të dijë se me çfarë punë janë ngarkuar ministrat tonë, gjë për të cilën paguhen nga paratë e popullit.

LEXO: Zaev porositi ministrat e ri: Jeni këtu që të bëni gjithçka që kjo qeveri të përmbush pritjet e qytetarëve (VIDEO)

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close