fbpx

Në Bruksel do të vazhdojë sot dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit

Në Bruksel sot, me takimin e kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, vazhdon dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve nën patronatin e BE-së.

Nikoqir i takimit është shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell dhe emisari special i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, njofton MIA.

Si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, takimi, i cili është planifikuar të fillojë në ora 10:00 do të trajtojë rregullimet e komunitetit joshumicë dhe zgjidhjen e kërkesave të ndërsjella financiare/pronave.

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell do të japë një deklaratë për shtyp përpara fillimit të takimit dhe përfaqësuesi special i BE-së Mirosllav Lajçak në fund të takimit. Të dy deklaratat do të transmetohen në kanalet e Këshillit dhe EbS, rreth orës 10:30 dhe deklarata e diplomatit sllovak pas përfundimit të takimit.

Kryeministri i Kosovës Hoti, njoftoi se do të diskutojë sot me Vuçiqin marrëveshjen përfundimtare mbi njohjen e ndërsjellë dhe normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skënder Hyseni, ka bërë të ditur nga Brukseli të dielën, se ka përafrim të qëndrimeve të palës serbe dhe asaj kosovare për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

“Jemi afër, sot kanë qenë pak konstruktive këmbimet, qëndrimet, mendimet dhe sidoqoftë ka mbetur shumëçka për të rrumbullakuar nesër në nivel të lartë. Sonte do të diskutojmë edhe veç e veç çështjet që kanë mbetur më kontestuese. Ka përafrim të dukshëm të qëndrimeve për ato që po i quaj elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, tha Hyseni.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rinisi në Bruksel më 16 korrik. Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button