Grante deri në 10.000 dollarë për banorët e Lisiçes së Shkupit për të zvogëluar ndotjen e ajrit

Mbi 100 familje të lagjes së Shkupit Lisiçe do të marrin grante deri në 10.000 dollarë për të ndryshuar mënyrën e ngrohjes së shtëpive të tyre për të zvogëluar ndotjen në Shkup, transmeton Portalb.mk.

Programi i Kombeve të Bashkuara për zhvillim (UNDP) së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e mjedisit jetësor dhe planifikim hapësinor ka shpallur një thirrje për të zgjedhur amvisëri nga lagjja Lisiçe, të cilët do të mbështeten me grant deri në 10,000 dollarë për të instaluar masa për të rritur efikasitetin energjetik të shtëpive të tyre dhe kështu të kontribuojnë në uljen e ndotjes së ajrit. Masat për efikasitet energjetik përfshijnë zëvendësimin e trupave për ngrohje me trupa të ri më efikas, zëvendësim të dritareve, instalim të izolimit të jashtëm ose të brendshëm, instalimin e kolektorëve diellorë dhe intervenime tjera që do të propozohen nga kontrolluesit e energjisë. Mbështetja financiare për aplikimin e këtyre masave është siguruar nga Qeveria e Suedisë përmes projektit “Trajtimi i ndotjes së ajrit në qytetin e Shkupit”.

Lagja Lisiçe propozohet si zonë provë, sepse matjet e ndotjes së ajrit në Shkup kanë treguar që kjo pjesë është ndër më kritiket në luginën e Shkupit.

“Në këtë thirrje mund të paraqiten të gjithë personat fizikë me vendbanim të përhershëm në lagjen Lisiçe ose në afërsi, të cilët posedojnë objekte individuale banimi – shtëpi ose pjesë të shtëpisë, për të cilën kanë dëshmi se janë pronësi të aplikuesit. Më këtë projekt mbështetet zbatimi i masave për efikasitet energjetik në të paktën 100 amvisëri. Përzgjedhja e familjeve do të bëhet sipas kritereve tashmë të përcaktuara. Do të bëhet kontroll energjetik i amvisërive të përzgjedhura në thirrje, për të vlerësuar efikasitetin energjetik të objektit dhe të propozohen masa për kursimit të energjisë, si dhe përllogaritje të shpenzimeve për zbatimin e tyre”, thuhet në thirrjen e shpallur nga UNDP, Qyteti Shkupi dhe Ministria e mjedisit jetësor.

Mbështetja e siguruar nga projekti është maksimum 10.000 USD për familje, në kundërvlerë në denarë. Parakushti kryesor për sigurimin e mbështetjes është që amvisëritë të jenë të gatshme të bashkë financojnë një pjesë të ndërhyrjeve të planifikuara. Përjashtim nga ky rregull janë familjet që përdorin ndihmë sociale dhe familje me të ardhura të ulëta, përkatësisht të cilat në vitin 2019 kanë pas të ardhuara totale 180.000 denarë. Kontributi financiar i familjeve për të bashkë financuar masat e parashikuara të efikasitetit energjetik do të varet nga lartësia e të ardhurave mujore dhe vjetore të të gjithë anëtarëve të familjes në vitin 2019.

Amvisëritë të cilat për vitin 2019 kanë pas të ardhura mujore në vlerën neto prej 15.001 deri në 30,000 denarë (përkatësisht nga 180.001 në 360,000 denarë në vit) do të duhet të bashkë financojnë 30% të fondeve të nevojshme për të zbatuar ndërhyrjet. Familjet që për vitin 2019 kishin të ardhura mujore në shumën neto prej 30,001 deri 54,000 denarë (përkatësisht nga 360.001 në 648,000 denarë në vit) do të duhet të bashkë financojnë 50% të fondeve të nevojshme për të zbatuar ndërhyrjet. Familjet që për vitin 2019 kanë pas të ardhura mujore në

shumën neto prej 54.001 deri në 70.000 denarë (përkatësisht nga 648.001 në 840.000 denarë në vit) do të duhet të bashkë financojnë 70% të fondeve të nevojshme për të zbatuar ndërhyrjet.

Mbështetja e siguruar përmes projektit do të jetë në formë të materialeve dhe pajisjeve dhe jo si transferime të drejtpërdrejta financiare për amvisëritë e përzgjedhura.

Aplikimet e dërguara me postë duhet të mbërrijnë në zyrat e UNDP jo më vonë se më 15 shtator 2020.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button