Klasikë: Partitë politike

Vepra Partitë politike e sociologut dhe ekonomistit gjermano-italian Robert Michels (Köln, 1876-Romë, 1936), profesor i sociologjisë dhe lëndëve të ngjashme në universitetet e Marburgut, Torinos, Bazelit dhe Peruxhias, autor edhe i Syndicalisme & socialisme en Allemagne – “Sindikalizmi dhe socializmi në Gjermani” (1908), Probleme der Sozialphilosophie – “Probleme të filozofisë sociale” (1914), Sozialismus und Faschismus in Italien – “Socializmi dhe Fashizmi në Itali” (1925), Corso di sociologia politica – “Leksione për sociologjinë politike” (1927) etj., konsiderohet si një nga tekstet klasike të sociologjisë politike, një “klasik modern” (Balunović, 2001), një studim i shkëlqyer krahasues mes partive europiane socialiste bazuar në përvojat e autorit me Partinë Socialiste Gjermane.

Vetë Michels-i, që ideologjikisht ka lëvizuar nga social-demokracia drejt krahut revolucionar sindikalist të fashizmit, njihet për sintagmën origjinale, për ligjin themelor sociologjik të partive politike, për një nga teoritë elementare të shkencave politike, siç është dhe “ligji i hekurt i oligarkisë”. “Kush thotë organizatë nënkupton oligarki” – kështu qe shprehur Michels-i në kohën e formimit të “partive popullore” të spektrit të gjerë (ang. big tent) para një shekulli, gjë që tregon se partitë politike dhe organizatat e tjera të anëtarësisë, edhe më egalitaret, edhe ato më të përkushtuarat ndaj idealeve demokratike shndërrohen në hierarki me lider/ë në majë. Ato kanë prirje kah oligarkia, kah elita e disave, drejt një grupi të vogël njerëzish, drejt autoritarizmit dhe burokracisë. Kjo ndodh për shkak të nevojave organizative, siç është lidershipi kompetent, vendimmarrja e shpejtë, autoriteti i centralizuar, aktiviteti me kohë të plotë dhe ndarja e detyrave brenda burokracisë profesionale. (Sluyter-Beltrão, Britannica, 2020)

Sipas Michels-it, lidershipi është thelbësor ngaqë (i) qeverisja e drejtpërdrejtë është e pamundur në grupet e mëdha; (ii) ngaqë psikologjia e masave dhe (iii) inkompetenca e tyre e bën lidershipin të domosdoshëm. Në fakt, specializimi, liderizmi, burokracia dhe profesionalizimi janë kushte që e ndryshojnë psikologjinë e demokratëve. Liderët janë gjithnjë autokratë, për shkak të veçimit nga masat, për shkak të kontrollimit të burimeve financiare të partisë, ndikimit përmes shtypit dhe prestigjit që si zyrtarë publikë. Kjo prirje drejt oligarkizimit forcohet përmes procesit të borgjezizmit (embourgeoisement) të partive të klasës punëtore. Shumica e qenieve njerëzore janë të paracaktuara nga domosdoshmëria tragjike për t’iu nënshtruar një pakice të vogël dhe për të mbështetur ndërtimin e piedestalit për një hierarki. (Dickinson, 1916: 108)  Sovraniteti i masave është i pamundur edhe për arsye mekanike dhe teknike. (Fuller, 2016)

I ndikuar nga analiza e mësuesit të tij (Weber-i) për burokracinë, si dhe nga teoritë e Vilfredo Paretos dhe Gaetano Mosca-s për qeverisjen e elitës, Michelsi pohon se spostimi i “klasës politike” ekzistuese ka si rezultat zëvendësimin e saj me një tjetër. Këtë mendim e ka mbështetur edhe disidenti jugosllav Milovan Gjilasi (1911-95) në veprën Klasa e re (1957). Sipas këtij të fundit, demokracia organizative është një oksimoron. Organizata nuk nënkupton qeverisjen e popullit, por sundimin e grupit qeverisës mbi ata që zgjedhin, të prijësve mbi adhuruesit e tyre, të cilët, nëse e delegojnë sovranitetin e tyre, de facto heqin dorë prej tij. Në tekstet e mëvonshme Michels-i vjen në përfundimin se oligarkia organizative është e dëshirueshme për hir të “efekivitetit politik”. (Hrvatska Enciklopedija, 2020)

Studime të ndryshme të kësaj kohe, që merren me brendësinë e partive politike, me funksionimin e sindikatave dhe grupeve të presionit e marrin si pikënisje veprën Partitë politike, si një studim me ndikim rreth pyetjeve që shtrohen dhe koncepteve që përdoren në shumë kërkime politologjike e më gjerë. (Hands, 2009) Vepra Partitë politike, e botuar për herë të parë në vitin 1911, si Zur Sociologie des Parteiwesens in der modernen Demokratie, që do të thotë se e ka kaluar testin e kohës, përbën një strumbullar për studimet e punës së organizuar, për partitë politike, sindikatat dhe demokracinë pluraliste në periudhën e pas-Luftës. Vepra ofron një instrumentarium shpjegues edhe për trendet dhe fenomenet politike të shekullit XXI. “Ligji i hekurt i oligarkisë” është një piketë me rëndësi në analizën e politikës së brendshme të shoqërive të kësaj kohe, të rrjeteve të avokimit tejkombëtar, të korporatave shumëkombëshe, si dhe në zbërthimin e politikës (anti)demokratike në epokën globalizuese të informacionit. (Britannica, 2020)

Botimi i kësaj vepre (nga Logos-A), sidoqë pak me vonesë, përbën një kontribut të rëndësishëm për sociologjinë dhe politologjinë shqiptare. Gjithashtu, kjo vepër është një ndihmesë e vyer për zhvillimin e departamenteve të shkencave sociale në universitetet tona. Mund të themi se është një vlerë e shtuar edhe për kulturën tonë politike në përgjithësi, që vuan nga sindroma e mediokritetit, bajraktarizmit dhe parokializmit, e për pasojë ka nevojë për shtjellime të shumanshme shkencore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button