Data e zgjedhjeve, Meta konsultime me drejtuesit politikë

Presidenti Ilir Meta ia dedikoi ditën e sotme takimeve të njëpasnjëshme me drejtuesit e partive kryesore politike në vend. Mes gjysmës së dytë të prillit dhe gjysmës së parë të muajit maj të vitit të ardhshëm, ai do të duhet të zgjedhë datën e zgjedhjeve të ardhme parlamentare.

Në fillim ai u takua me drejtuesit e partive të vogla të opozitës, të cilat ishin thuajse të të njejtit mendim, se zgjedhjet do të duhet të mbahen më 18 prill “si data më e afërt për zgjedhje në Shqipëri, duke vlerësuar këtu mungesën e gjatë të legjitimitetit të parlamentit shqiptar dhe institucioneve që burojnë”, deklaroi Arjan Madhi i Partisë Republikane, transmeton VoA.

Kryetari demokrat Lulzim Basha qëndroi mbi 20 minuta në zyrën e presidentit. Pas takimit ai nuk u shpreh për ndonjë datë konkrete: “Shumica absolute e shqiptarëve kërkojnë zgjedhje sot, jo nesër. Ata duan zgjidhje sepse janë të lodhur nga propaganda, nga dështimet dhe mashtrimet.”.Sipas zotit Basha, e rëndësishme është që procesi zgjedhor të jetë i lirë dhe i ndershëm.

Në të njejtën linjë edhe kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila u shfaq për herë të parë në një takim në zyrën e kreut të Shtetit. Sipas saj “zgjedhjet do të duheshin bërë që dy vjet më parw. Nuk është çështje date, është çështje e dhënies së shqiptarëve të të drejtës për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. I bëmë të qartë Presidentit që LS do të zbatojë çdo vendim dhe dekret të Presidentit që është kushtetues, do të marrë pjesë në çdo proces zgjedhor që do t’u garantojë qytetarëve qeverinë e ardhshme, atë qeveri evropiane për të cilën kanë aspiruar prej shumë kohësh”, deklaroi zonja Kryemadhi.

Nga ana e tij kryeministri Edi Rama, i cili qëndroi për një kohë të shkurtër në takim, mësohet të jetë shprehur se Partia socialiste është e hapur për secilin nga datat që parashikohen brenda afatit, me përjashtim të 2 Majit që koinçidon me festën e Pashkëve.

Por ndërsa pritet që zoti Meta të dekretojë datën e zgjedhjeve, përgatitjet janë ende shumë larg. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të duhet të krijohet nga e para me një strukturë të re. Pjesë e angazhimit të këtij institucioni do të jetë ndër të tjera dhe zbatimi i teknologjisë në zgjedhjeve apo dhe mundësia e votimit të emigrantëve. Nga ana tjetër Kodi Zgjedhor do të duhet të pësojë sërish ndërhyrje, për t’ju përshtatur ndryshimeve kushtetuese të miratuara në fund të muajit korrik, sipas të cilave, në zgjedhjet e ardhshme do të votohet me lista të hapura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button