fbpx

Rreziqet e interesimit të shtuar të aktorëve jo-perëndimorë për Malin e Zi

Viteve të fundit, Mali i Zi është bërë një arenë e ndikimit dhe interesimit të shumë aktorëve jo-perëndimorë, para të gjithash të Rusisë, Kinës dhe Turqisë, por ndikimi i tyre politik, edhe pse nuk është i dobët, edhe mëtej është nën kontroll. Investimet e huaja, si rregull janë ndjekur nga kontraverza gjë që tregon një gjendje të pakënaqshme të sundimit të ligjit në vend, përkundër faktit se reformat në kuadër të negociatave për aderimin e vendit në Bashkimin Evropian po zhvillohen tanimë për tetë vjet.

Rusia

Duke vëzhguar trendin e investimeve të drejtpërdrejta të huaja në periudhën e fundit tri vjeçare, nuk ekziston interesim i qëndrueshëm i investitorëve, e as një model i qëndrueshëm kur bëhet fjalë për vendet prej nga vijnë investimet. Gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2019, Azerbajxhani ishte në vendin e parë në lidhje me investimet e drejtpërdrejta të huaja, Hungaria ishte në vendin e dytë me 51.7 miliona euro të investuara në bankat dhe në kompani në Malin e Zi. Në vendin e tretë ishin investitorët nga Rusia me 34,8 miliona euro. Rusia, pra, edhe mëtej është në krye të vendeve që investojnë në Malin e Zi, megjithë marrëdhënieve të tensionuara midis dy shteteve gjatë një periudhe më të gjatë kohore, dhe të cilat u manifestuan përmes sanksioneve dhe masave të shumta nga të dy palët.

Investimet nga Rusia kanë ngecur gjatë kolapsit të marrëdhënieve diplomatike që fillojnë në vitin 2014, me vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të krizës në Krime, por, në aspektin ekonomik, Rusia përsëri është vlerësuar shumë lartë në Malin e Zi gjatë viteve 2018 dhe 2019. Pjesa më e madhe e investimeve ruse edhe mëtej është përqendruar në patundshmëri: në shtatë muajt e parë të vitit 2019 shtetasit e Rusisë kanë blerë pronë në një vlerë prej 22,73 milion euro, kurse investimet e drejtpërdrejta në kompani të ndryshme në Malin e Zi arritën vetëm 722.533 euro . Prania e përhershmenë në vend dhe interesi i përtërirë, gjithashtu, mund të interpretohen edhe me pronën që tashmë është në pronësi të rusëve, veçanërisht në bregdetin e Malit të Zi. Një numër i madh i shtetasve të Rusisë, kanë marrë, gjithashtu, leje afatgjate të qëndrimit në Malin e Zi. Edhe pse qeveria dëshiron të distancohet nga Rusia, ky nuk është rasti edhe me paratë ruse, pasi që gjithmonë kanë qenë të mirëpritur duke filluar nga blerja e Kombinatit të aluminiumit (KAP) që në vitin 2005 nga biznesmeni kontroverz Oleg Deripaska.

Përkeqësimi i marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Rusisë filloi në dhjetor të vitit 2015, kur Mali i Zi mori ftesën për t’u anëtarësuar në NATO, kurse kulminacionin e arriti me ngjarjet në lidhje me zgjedhjet parlamentare në tetor të vitit 2016. Përkatësisht, gjatë ditës së zgjedhjeve, Qeveria njoftoi se ka parandaluar përpjekjen për grusht shtet nga grupe terroriste, në të cilën ishin të përfshirë edhe dy shtetas rusë, kurse qëllimi ishte ndryshimi i dhunshëm i pushtetit në vend dhe parandalimi i Malit të Zi të anëtarësohet në NATO. Ngjarjet e vitit 2016 rezultuan me atë që qytetarët rusë, gjoja të lidhur me GRU-në (shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse), të dënuar me aktgjykim të shkallës së parë, por pavarësisht të aktgjykimit, shumica e qytetarëve të Malit të Zi edhe mëtej grusht-shtetin e perceptojnë si i pretenduar. Një vit pas aktgjykimit të shkallës së parëGjykata e Apelit vazhdon edhe mëtej me shtyrjen e akt-gjykimit përfundimtar. Edhepse roli i Moskës zyrtare në këtë rast edhe mëtej është i mjegulluar, është e qartë se frika nga ndikimi politik rus e ka përshpejtuar ratifikimin e protokollit për aderimin e Malit të Zi në NATO.

Ndikimi i Moskës ndaj Podgoricës po dobësohet që nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO në qershor të vitit 2017, por protestat e fundit të shkaktuara me zgjidhjet kontraverze nga Ligji për lirinë e fesë ose besimit dhe pozitën ligjore të komuniteteve fetare i cili u miratua në dhjetor të vitit 2019, përsëri e hapën derën për ndërhyrje të tilla. Më saktësisht, ky është imazhi që Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet (DPS) dëshiron t’ia dërgojë botës, por roli i mundshëm i Rusisë ende nuk është as i qartë dhe as i provuar.

Kina

Kina aktualisht dhe kryesisht është e pranishme në Malin e Zi përmes ndërtimit të një autostrade që e lidh portin e Tivarit me kryeqytetin e Serbisë, Beogradin. Autoritetet e Malit të Zi shpesh i plotësojnë dëshirat e investitorëve dhe ofrojnë lehtësime të konsiderueshme, siç janë shlyerjet e borxheve ose lirimi nga pagimi i tatimit, gjë që ndikon negativisht në zbatimin e projekteve. Projektet e mëdha të infrastrukturës, fizibiliteti ekonomik i të cilëve shpesh është i diskutueshëm, shpesh janë një mënyrë për qeverinë të sigurojë pika të shpejta politike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore. Nuk ka ndonjë dallim të veçantë midis investimeve që vijnë nga Evropa Perëndimore ose nga vendet që nuk klasifikohen si perëndimore. Për më tepër, disa nga skandalet më të mëdha, siç janë për shembull: privatizimi i “Telekom-it”, lidhen me vendet e Bashkimit Evropian , në këtë rast me Hungarinë.

Nuk është lehtë të ndiqen flukset e parave, sepse ato shpesh vijnë në Malin e Zi përmes off-shore kompanive, që është një nga mënyrat kryesore për t’i “tërhequr” investitorët kontraverzë. Me pak fjalë, megjithëse Mali i Zi tani ka një mjedis dhe ambient më të favorshëm për biznes dhe investime sesa 10 vjet më parë, problemet kryesore janë të lidhur me ndërtimin e institucioneve dhe heqjen e ndikimit të papërshtatshëm politik. Pamundësia e tërheqjes së linjës së qartë mes partisë dhe shtetit, shpërndarjes së klientelizmit dhe favorizimit të lidhjeve personale në vendimmarrje, janë disa nga pengesat që e vështirësojnë realizimin e potencialit të plotë të shumë investimeve.

Pikërisht projekti më i madh kinez i infrastrukturës në Malin e Zi, autostrada Tivar-Boljare që e ndërton korporata kineze për rrugë dhe ura (CRBC), është një shembull i planifikimit të keq. Qeveria e përzgjodhi investitorin pa një thirrje publike, ndërsa për shkak të dy tenderëve të mëparshëm të dështuar, ishte e detyruar të ofrojë privilegje (lirimi nga tatimi mbi pagat, materialet, etj.), që, për shembull, disa vende të rajonit nuk ishin të gatshëm t’i sigurojnë. Përkundër këshillave të ekspertëve, Qeveria vendosi të fillojë ndërtimin e autostradës me pjesën më të ndërlikuar, që u reflektua në rentabilitetin e investimit në tërësi Megjithëse janë përgatitur tre studime të fizibilitetit, Qeveria nuk ishte në gjendje t’i përcaktojë saktësisht detyrimet e investitorëve. Gjatë ndërtimit, doli që kompania kineze nuk ishte e detyruar të ndërtonte një pjesë të rëndësishme të autostradës, gjë që në vazhdim ndikoi negativisht në financat publike. Për shkak të detyrimit të Qeverisë për të shlyer kredinë, borxhi publik tani është rreth 80 përqind të PPV-së, që është një rritje prej 18 përqind nga viti 2012. Qytetarët e Malit të Zi e perceptojnë në mënyra të ndryshme ndërtimin e autostradës dhe qëndrueshmërinë e tij.

Mbi 70 për qind prej tyre i shohin përfitimet e ndërtimit të autostradës, ndërsa opinioni është i ndarë kur është fjala për qëndrueshmërinë e saj financiare, e tregon sondazhi i opinionit publik që për qëllimet e rrjetit Politikon është realizuar në mars të vitit 2020. Megjithëse ndikimi politik nuk është ende i dukshëm, ka paqartësi në lidhje me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis Malit të Zi dhe Kinës. Çdo mosrespektim i afatit për shlyerje të huasë mund të ketë pasoja. Meqenëse kontrata me CRBC nuk është e disponueshme publikisht, ka pohime për atë se njëra nga dispozitat përcakton që, nëse Qeveria nuk do të jetë në gjendje tua paguajë rregullisht kredinë kinezëve, kompania mund të sekuestrojë disa nga resurset e Malit të Zi. Shembujt e deritanishëm, veçanërisht ai në Shri Lankë, tregojnë se pala kineze i shfrytëzon dobësitë e vendeve që kanë probleme të tilla siç janë: klientelizmi dhe elementët e shteteve të kapura, dhe nuk janë në gjendje t’i përmbushin detyrimet e tyre. Konkretisht, në rastin e Shri Lankës, kompania kineze u bë pronari me shumicë i portit në këtë vend.

Turqia

Bashkëpunimi ekonomik midis Malit të Zi dhe Turqisë do të duhet të avancohet rëndësishëm në vitet e ardhshme. Pas vizitës së Ministrit turk të Punëve të Jashtme në fillim të këtij viti, u paralajmrua se tregtia do të dyfishohet, e cila aktualisht arrinë shumën prej 140 milion euro. Gjithashtu, është paralajmruar edhe hapja e konsullatave në Stamboll dhe në pjesën veriore të Malit të Zi. Është me rëndësi të theksohet se numri i kompanive turke të regjistruara, aktualisht janë mbi 2000 që veprojnë në Malin e Zi, tashmë është më i madh nga, për shembull, numri i kompanive serbe ose ruse që një kohë të gjatë janë në vet kulmin. Ky trend më së shpeshti shpjegohet me rritjen e sigurisë të investitorëve turq pas aderimit të Malit të Zi në NATO dhe për shkak të marrëveshjeve zyrtare të nënshkruara për avancimin e bashkëpunimit. Tani për tani, nuk ka indikacione se prania e shtuar ekonomike e Turqisë do të reflektohet në zonën politike të ndikimit. Një nga arsyet është se ndikimi politik i Turqisë kanalizohet përmes Partisë Boshnjake (BS) në Malin e Zi, e cila është anëtare e koalicionit qeverisës. Kjo parti e mbështet politikën e Qeverisë duke avokuar për demokratizimin e vendit brenda Bashkimit Evropian.

Perspektiva e ndikimit të aktorëve jo-perëndimorë

Pasi që aktorët jo-perëndimorë aktualisht nuk ofrojnë një kornizë për demokratizimin, nuk kontribuojnë në reformat në vend dhe nuk kanë një axhendë afatgjate, ata nuk janë një partner kompatabil në aderimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, madje në këtë aspekt nuk janë tërheqës për partinë kryesore qeverisëse dhe shumicën e opozitës. Megjithatë, për shkak të tendencave të përmendura, përkushtimi i Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor duke zhvilluar metodologjinë e prezantuar në shkurt të vitit 2020 dhe duke i integruar gradualisht vendet e rajonit në politikat e Bashkimit Evropian, është me një rëndësie të madhe.

Interesi ekonomik dhe kreditë që Kina ia ofron Ballkanit Perëndimor mund të jenë një bazë për ndikimin më të fuqishëm politik në këtë pjesë të Evropës nëse Bashkimi Evropian nuk do të jetë i angazhuar në një masë të mjaftueshme. Në Malin e Zi, situata është edhe më e ndërlikuar nëse e marrim parasysh kornizën e pafavorshme financiare për ndërtimin e autostradës, e cila, nëse shteti nuk do të jetë në gjendje ta kthejë kredinë, mund të reflektohet edhe në sferën politike të marrëdhënieve.

Duke pasur parasysh se problemi qendror i realizimit të potencialit të plotë të rritjes së interesit të investitorëve është gjendja e dobët e sundimit të ligjit në vend, sigurimi i rezultateve të matshme në luftën kundër korrupsionit mbetet një detyrë dhe sfidë kryesore për Qeverinë Malazeze. Pikërisht kjo është me rëndësi thelbësore për ndërtimin e imazhit të një destinacioni të sigurt.

Forcimi i masave të integritetit dhe zbatimi i tyre i paanshëm, së bashku me ndërtimin e një kulture të sundimit të ligjit, është rruga e vetme për konsolidimin demokratik dhe ekonomik dhe për anëtarësimin potencial në Bashkimin Evropian. Përballja me skandale të mëdha të korrupsionit do të ishte shenja e parë e një përkushtimi dhe përcaktimi të tillë të Qeverisë.

Burimi: Respublica

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close