Ndërtimi i fazës së parë të autostradës Shkup – Bllacë ka ngecur në eksproprijimin e tokës

Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë”, nuk ka arritur të realizojë në tërësi eksproprijimin e 68 pronave nëpër të cilën kalon traseja e autostradës Shkup-Bllacë dhe fillimi i fazës së parë të ndërtimit nuk pritet të ndodhë së shpejti. Nga Ndërmarrja Publike “Rrugët e Maqedonisë” në fund të muajit korrik deklaruan se është realizuar mbi 50% e eksproprijimit të tokës, ndërsa të njejtën përgjigje Portalb.mk e mori edhe sot, pas më shumë se një muaji.

“Sa i përket pjesës së eksproprijimit të tokës, ajo ka përfunduar mbi 50%, ndërsa për pjesën tjetër procedura është në rrjedh e sipër. Dinamika e procedurës për eksproprijimin është harmonizuar me dinamikën e paraparë dhe planin për realizimin e aktiviteteve ndërtimore nga ana e kontraktorit”, thanë nga kjo ndërmarrje.

Autostrada Shkup – Bllacë

Marrëveshja për ndërtim me kompaninë ndërtimore “Granit” është nënshkruar në janar të këtij viti, me periudhë të paraparë për realizim prej 18 muaj.

“Për pjesën e parë nga vendkalimi kufitar deri në fshatin Bllacë projekti bazë u përpunua në shkurt të vitit 2020, ndërsa miratimi për ndërtim u dha në korrik dhe kontraktori filloi punën në gusht 2020. Momentalisht, në trasenë po zhvillohen punë përgatitore, përkatësisht  gërmimi i pjesëve të trasesë ku është përfunduar eksproprijimi i tokës dhe me eskavatorë po bëhet pastrimi i terrenit, përkatësisht pastrimi i vegjetacionit”, thanë nga kjo ndërmarrje.

Autostrada Shkup Bllacë

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë qeveritare të mbajtur më 1 shtator e shqyrtoi dhe miratoi informacionin për përgatitjen e dokumentacioneve për ndërtimin e pikës pagesore në autostradën Shkup-Bllacë.

“Në seancën e sotme, Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi informacionin për dorëzimin e propozimin-projektit për Përgatitjen e dokumenteve teknike në nivelin e projektit themelor për ndërtimin e pikës pagesore në pjesën e autostradës Pika kufitare Bllacë-Shkup (kyçja Stenkovec) në kuadër të thirrjes së 24-t për ndihmë teknike nga Korniza e investimeve e BE-së për Ballkanin Perëndimor”, raportuan nga Qeveria.

Përkrah realizimit të fazës së parë, për autostradën Shkup-Bllacë për momentin punohet edhe në përpunim të dokumentacionit të projektit për fazën e dytë, që e përfshin ndërtimin e 10,5 kilometrave të mbetura nga nyja te fshati Bllacë deri në qarkoren e Shkupit. Mjetet për këtë segment veç janë siguruar, mirëpo shpallja e tenderit përzgjedhje të realizuesit për fazën e dytë do të bëhet vitin e ardhshëm.

Afati përfundimtar për përfundim të autostradës Shkup-Bllacë është fundi i vitit 2024.

Kujtojmë se autostrada Shkup – Bllacë është një projekt që premtohet për shumë vite nga BDI. Ndërtimi i autostradës Shkup -Bllacë, është i rëndësishëm sepse ajo do të mundësojë lidhjen me autostradën “Arbër Xhaferi” të Kosovës, duke shkurtuar në këtë mënyrë dukshëm relacionin Shkup – Prishtinë. Ndërkohë, autostrada “Arbër Xhaferi” lidhet me autostradën “Ibrahim Rrugova”, që bashkërisht mundësojnë lidhje rrugore të RMV-së me Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Ndërtimi i autostradës në pjesën e Kosovës, ka zgjatur 5 vite. Ajo është e gjatë 65.5 kilometra dhe përbëhet  prej 13 urave, duke përfshirë edhe urën më të gjatë në rajon, me gjatësi prej 5.7 kilometrash me mbi 1.400 trarë të vendosur në këtë urë.

LEXO: Ka përfunduar 50 përqind e eksproprijimit të tokës në trasenë e autostradës Shkup-Bllacë

LEXO: Pikëpagesa rrugore në autostradën nga pika kufitare Bllacë deri në Shkup, Qeveria filloi procedurat

LEXO: Pas një numri të madh vonesash, në pranverë do të fillojë ndërtimi i një pjese të autostradës Shkup-Bllacë

LEXO: U nënshkrua marrëveshja për autostradën Shkup-Bllacë

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button