Shenjtëritë e atyre që shajnë Zotin, Diellin dhe Bukën

Ashtu siç nuk ekziston mal pa ujqër e grurë pa egjër, nuk ekzistojnë as shtete e popuj tërësisht të mirë apo tërësisht të këqinj. Megjithatë, politikat hegjemoniste e kriminogjene të disa shteteve e kanë prishur baraspeshën ndërmjet të mirës dhe të keqes, ndaj, me faj të vetin, konsiderohen nga të tjerët si të dëmshëm, të rrezikshëm, të pabesë, kubarë…

Në Ballkan këtë imazh e ka Serbia, e cila, edhe pas gjenocidesh e krimesh të bëra gjatë luftërave të fundit, vazhdon të udhëhiqet prej despotësh që mendjen e kanë te gllabërimi i dhunshëm i tokave të huaja, tkurrja dhe zhbërja e fqinjëve, sepse për logjikën e tyre: aty ku ka qoftë edhe një varr serbi a një faltore ortodokse është Serbi!?

Imazhin në fjalë janë përpjekur prej kohësh ta meremetojnë disa intelektualë liberalë serbë, por ç’e do kur ndikimi i antipodëve të tyre është shumë më i madh në popull, sepse mbështetet në frikën nga pushteti dhe rrenat e stërpërsëritura të parësisë dhe megafonëve të saj.

Ja çfarë shkroi për gënjeshtrat shkrimtari, akademiku, kryetari i Jugosllavisë pas shkatërrimit të saj të tërësishëm më 1992, njëri prej baballarëve dhe promotorëve më të mëdhenj të kauzës nacionaliste serbe – Dobrica Qosiq: Në gënjejmë për ta mashtruar veten, gënjejmë nga mëshira, nga turpi, nga krenaria, gënjejmë që ta fshehim mjerimin tonë, gënjejmë edhe nga “ndershmeria”!? Genjejmë shkaku i lirisë që kemi. Ne jemi mjeshtër të gënjeshtrës. Gënjeshtra për ne është lloj i patriotizmit serb, është dëshmi e inteligjencës sonë të lindur për të genjyer! Ne gënjejmë në mënyrë imagjinative e krijuese, sepse gënjeshtra është interes shtetëror serb, sepse gënjeshtra është në vetë qenien (gjenin) serb, sepse në Serbi çdo gënjeshtër bëhet e vertetë, sepse serbët disa herë në histori i ka shpetuar gënjeshtra…

Ndër dëshmitë më të mëdha për rrenën që gjallon brenda qenies së pinjollëve të Qosiqit janë gjithsesi profkat mbi djepat dhe shenjtëritë e rreme serbe. Më i njohur është miti serb mbi Kosovën djep i Serbisë, sado që, në çdo fjalor, fjala djep nënkupton vendin e parë në të cilin ka zënë fill jeta e një populli, gjë që nuk shkon fare në favor të serbëve, dyndja e të cilëve në siujdhesën ballkanike nisi në shekujt VI dhe VII. Dëshmi plotësuese për rrenat janë djepat tjerë të serbëve, si puna e Rashkës apo territoreve tjera me enklava serbe, si Bosnja, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia  e Veriut…

Është interesante se kufijtë e djepave të rremë serbë janë shënuar e shënohen me shënjtëritë e rreme serbe. Në të tilla janë katandisur sot faltoret e krishtera të Dardanisë, janë shndërruar në xhepa të rrezikshëm, në eks territore mijëra hektarëshe, në kuajë troje e vende pelegrinazhi ku vërdallisen si në oborret e tyre propaganduesit neoçetnikë të pogromeve të reja serbe, po ku nuk kanë asnjë qasje organet shtetërore të Republikës së Kosovës. Mjerisht, fajet për këtë janë edhe të shqiptarëve që u treguan të paaftë për t’i dalë zot në kohën e duhur trashëgimisë së tyre shpirtërore e materiale. Ndër objektet e këtilla të tjetërsuara pakthyeshëm, që duhej të ishin dëshmi të lashtësisë sonë në trojet e të parëve, përveç kishave ortodokse shqiptare, janë dhe qindra kisha katolike të kthyera me gënjeshtra në tempuj të shenjtë, në toka biblike, në Jeruzalemë, në shenjtëri serbe.

Më paradoksale në gjithë këtë punë është e dhëna se serbët kanë arritur ta gënjejnë edhe botën me dokrrat mbi djepat dhe shenjtëritë, pa të cilat nuk mundkan të ekzistojnë. Për çudi askush nuk i pyet si është e mundur që aq shumë shenjtëri serbe të gjenden sot në territoret autoktone shqiptare? Në cilën betejë ekspansioniste shqiptarët arritën të aneksojnë ndonjë Shën Ndaum apo ndonjë Mollë të Kuqe serbe? Si është e mundur që shenjtëritë më të rëndësishme serbe të gjenden larg shumadive, larg fushave pjellore të banateve, larg gjithë qyteteve dhe vendbanimeve më të mëdha e më të zhvilluara të Serbisë? Them për çudi, sepse serbët janë ndër popujt e rrallë në botë (në mos të vetmit), që fyejnë e shajnë në mënyrën më bizare shenjtëritë në emër të të cilëve zgjerojnë shtetin e tyre. Ata shajnë për pakepërshumë Zotin, Diellin dhe Bukën. Vetëm nga gojët e tyre mund të dëgjosh sharjet: Jebem ti Boga! Jebem ti Sunce! Jebem ti lebac!.

A nuk mjafton kjo për ta kuptuar fuqinë e gënjeshtrës dhe botën idiote që manipulohet me shenjtëri të rreme?

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button