Pavarësisht paralajmërimeve të BFI-së për zgjedhje të kryetarit pas Kurban Bajramit, kanë kaluar një muaj dhe ende s’ka filluar procesi zgjedhor

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut (BFI), ende nuk ka filluar me përgatitjet për zgjedhjet e kryetarit të të saj, pavarësisht se paralajmëruan që pas Kurban Bajramit do të fillojnë përgatitjet e procesit zgjedhor. Nga BFI tani sërish paralajmërojnë se kah fundi i shtatorit pritet që të fillojnë aktivitetet, njofton Portalb.mk.

Selver Xhemaili, shefi i Kabinitetit të u.d. reisti të BFI-së, Shaqir efendi Fetahu, për Portalb.mk, thotë se në BFI ende nuk ka sinjale për fillimin e procedurave të procesit zgjedhor.

“Ende nuk kanë filluar procedurat. Nuk kemi ndonjë sinjal se së shpejti do të fillojë, por shpresojmë kah fundi i shtatorit do të fillojë. Afat ka që brenda gjashtë muajve duhet të fillojë procedura”, thotë për Portalb.mk Xhemaili.

Paraprakisht, për redaksinë tonë nga BFI paralajmëruan se procesi i përgatitjes së zgjedhjeve duhet të fillojë pas Kurban Bajramit, por Bajrami ka kaluar më shumë se një muaj, por diçka e tillë ende nuk ka ndodhur.

Sipas Kushtetutës së BFI-së, Reis ul Ulemaja është organ dhe kryetar i BFI-së i cili e përfaqëson unitetin fetarë të pjesëtarëve të Islamit. Zgjedhja e Reis ul Ulemasë behet konform Rregullores për zgjedhje të Reis ul Ulemasë. Kjo rregullore hartohet nga Komisioni Zgjedhor dhe ndryshon në çdo cikël zgjedhor.

Për Reis ul Ulema mund të propozohen dhe të zgjedhjen personat të cilët kanë të kryer fakultete islame, që kanë përvojë pune të suksesshme dhjetëvjeçare në radhët e BFI-së dhe kanë moshë mbi dyzetvjeçare. Sipas nenit 36 të Bashkësisë Fetare Islame të RMV-së, Rijaseti i BFI-së e propozon, zgjedh dhe shkarkon Reis ul Ulemanë.

Kompetencat e reisit:

  • përfaqëson Bashkësinë Fetare Islame në vend dhe jashtë;
  • jep murasele (autorizim) për kryerjen e punëve fetare, pa të cilën tërheq kontest të legjitimitetit;
  • emëron dekanët, drejtorët dhe mësimdhënësit të institucioneve arsimore të BFI-së dhe mësimdhënësit e lëndës së mësim-besimit në shkollat publike.
  • organizon dhe mbikëqyr punën e shërbimeve profesionale të BFI-së.
  • konvokon dhe udhëheq seancat e Rijasetit dhe kujdeset për zbatimin e vendimeve të tij;
  • ndërmjet dy mbledhjeve të Rijasetit, kryen punë të domosdoshme që janë në kompetencë të Rijasetit dhe për këtë informon Rijasetin në seancën e radhës.
  • nënshkruan aktet e Rijasetit;
  • nënshkruan aktet për punësim në BFI;
  • viziton regjionet në të cilët jetojnë pjesëtarët e fesë islame; që të njihet drejtpërdrejtë me gjendjen dhe propozon masa për zhvillimin dhe avancimin e jetës fetare;
  • lejon pushimet e muftive, dekanëve, drejtorëve të medreseve, drejtorëve dhe kryetarëve të institucioneve, shoqatave të cilat janë në mbikëqyrje të Rijasetit;
  • ka të drejtë të pengojë ekzekutimin e vendimeve të organeve dhe të institucioneve të BFI nëse konstaton se të njëjtat janë kundërshtim me parimet islame dhe të njëjtat t’i kthejë në rishqyrtim, kurse vendimin përfundimtar e sjell Rijaseti i BFI-së.
  • dekreton vendimet e marra nga Rijaseti i BFI-së.

Më 27 maj, Rijaseti i Bashkësia Fetare Islame në mbledhjen e jashtëzakonshme me shumicë prej dy të tretave e ka shkarkuar nga funksioni kreun e tyre, Sulejman Rexhepin. Pavarësisht se Rijaseti nuk tregoi për arsyet e shkarkimit të Rexhepit, kjo procedurë erdhi disa ditë pasi që Rexhepi u martua me një vajzë 50 vjet më të re, akt i cili u përfol dhe pati komente negative në rrjetet sociale dhe media. Rexhepi u shkarkua në bazë të nenit 58 të kushtetutës së BFI-së, në të cilin thuhet se kryetari i BFI-së shkarkohet kur “nuk i kryen obligimet për të cilat është zgjedhur, kur qëndrimi dhe puna e tij është në kundërshtim me normat islame dhe aktet normative të BFI, kur punon kundër dispozitave dhe vendimeve të organeve kompetente të BFI, kur keqpërdor pozitën në dëm të interesave të BFI-së.

Në po të njëjtën ditë, në vend të Rexhepit u emërua Efendi Fetahu, i cili do të jetë në krye të BFI-së deri në përgatitjen e zgjedhjeve të reja për reis të ri.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button