2.600 euro i kushton shtetit trajtimi spitalor i një pacienti me KOVID-19, ndërsa 5.700 euro pacientët në respirator

Një ditë e trajtimit në spital për një pacient me kovid-19 kushton rreth 200 euro, ndërsa një pacient i lidhur në respirator për më shumë se 4 ditë i kushton shtetit 5.700 euro. Këto janë të dhëna që redaksia digjitale SAKAMDAKAZHAM.MK i mori nga Fondi për sigurim shëndetësor (FSSHM) në bazë të analizave fillestare që ata i kanë bërë për trajtimin e pacientëve nga fillimi i pandemisë deri më tani, transmeton Portalb.mk.

Nga Fondi shëndetësor thonë që ata nuk kanë shifra të sakta se sa i ka kushtuar shtetit deri më tani trajtimi i virusit kovid-19, sepse është sëmundje e re, e cila nuk është në listën e çmimeve të shërbimeve shëndetësore (DRG). Prandaj spitalet nuk dinë si të faturojnë kostot e trajtimit të pacientëve dhe për këtë arsye fondi pranon fatura joreale.

Kovid-19 konsiderohet sëmundje virale dhe në listën e çmimeve të Fondit shëndetësor, trajtimi i një sëmundjeje virale kushton 26.601 denarë. Ky çmim prej 26.601 denarë është pavarësisht numrit të ditëve që pacienti qëndron në spital. Por, kovid-19 nuk mund të llogaritet sipas këtij çmimi, sepse nga përvoja e deritanishme është konstatuar që trajtimi i pacientëve pozitivë në kushte spitalore kushton shumë më tepër.

“Çmimi prej 26.601 denarë për tërë trajtimin e një pacienti me kovid-19 është joreal. Është një sëmundje e re me të cilën askush prej nesh nuk ka qenë i njohur deri më tani, kështu që u desh kohë për të përcaktuar saktësisht se sa kushton trajtimi. Në çdo rast, është sëmundje e shtrenjtë dhe sipas analizave fillestare që kemi bërë me Klinikën e sëmundjeve infektive, dita mesatare e spitalit për një pacient në klinikë kushton 11.750 denarë ”, thonë nga Fondi shëndetësor.

Deri më tani, sipas të dhënave nga Ministria e shëndetësisë, në spital janë trajtuar 2.776 pacientë, kurse ata mesatarisht trajtohen 12 ditë në spital. (Foto: SDK.MK)

Në mënyrë që spitalet të faturojnë shërbimet si duhet në Fondin për trajtim të pacientëve, një ekip nga FSSHM dhe Klinika e sëmundjeve infektive po punon në përcaktimin e një çmimi sipas ditëve në spital. Siç sqarojnë nga Fondi, çmimi që do të përcaktohet nuk do të jetë fiks, siç është tani për ndonjë sëmundje virale, por do të varet nga ajo sa ditë pacienti është trajtuar në spital. Pesë ditët e para të trajtimit janë më të shtrenjtat, sepse ato ditë bëhen testet, përcaktohet terapia. Do të ketë një çmim për pesë ditët e para, pastaj do të vijojë nga dita e gjashtë deri në ditën e dhjetë, pastaj nga dita e njëmbëdhjetë deri në ditën e pesëmbëdhjetë, etj. Sipas analizave fillestare, pesë ditët e para të trajtimit në spital kushtojnë rreth 55.000 denarë, për periudhën tjetër çmimi ulet në 30.000 denarë ose nga dita e njëmbëdhjetë deri në ditën e pesëmbëdhjetë 20.000 denarë.

Çmimi për trajtimin e pacientëve të cilët kanë qenë të lidhur në aparat respirator është e veçantë. Sipas listës së çmimeve të Fondit shëndetësor, lidhja e ndonjë pacienti në respirator për më shumë se 4 ditë kushton 350.750 denarë ose 5.700 euro. Ky çmim është në përputhje me listën aktuale të çmimeve dhe gjithashtu vlen për rastet me kovid-19. Në këtë pjesë nuk do të ketë ndryshime.

Deri më tani, sipas të dhënave nga Ministria e shëndetësisë, në spital janë trajtuar 2.776 pacientë. Sipas statistikave të Fondit shëndetësor, pacientët trajtohen në spital, mesatarisht, nga 12 ditë. Nëse një ditë spital kushton 11.750 denarë, dhe trajtimi spitalor zgjat mesatarisht 12 ditë, atëherë një pacient me kovid-19 i kushton shtetit 2.400 euro. Nëse në 6 muajt e fundit në spital janë trajtuar 2.776 pacientë, atëherë trajtimi total kushton rreth 6.6 milionë euro.

Pacientët në respirator nuk janë përfshirë në këtë çmim. Nga fundi i qershorit, në Fondin shëndetësor është dërguar faturë për trajtim në respirator për 52 pacientë, prej tyre shtatë në Klinikën e sëmundjeve infektive dhe 45 në Spitalin e përgjithshëm të qytetit (SHPQ) “8 Shtatori”. Kjo do të thotë që trajtimi në respirator deri në fund të qershorit ka kushtuar rreth 350.000 euro.

Deri më tani, në vend janë kryer 87.026 teste shtetërore, kurse testimi i ka kushtuar shtetit rreth 5 milionë euro. (Foto: Gj. Liçovski)

Përllogaritjet për koston e trajtimit të kovid-19 e përfshijnë edhe çmimin për testet e kryera për kovid. Deri më tani, përkatësisht deri më 30 gusht, në llogari të shtetit në vend janë kryer 87.026 teste. Çmimi referues i një testi që Fondi shëndetësor ua paguan spitaleve dhe institucioneve ku kryhen testimet është 3.600 denarë. Kjo do të thotë se që nga fillimi i pandemisë, testet kanë kushtuar 313.293.600 ose rreth 5 milionë euro.

Fondi Shëndetësor shpjegon se gjatë formimit të çmimit janë përfshirë të gjitha kostot për kryerjen e këtyre shërbimeve shëndetësore, si puna e stafit mjekësor, kostot për materiale mjekësore dhe të tjera, shpenzimet për mirëmbajtjen e pajisjeve dhe hapësirave, si dhe shpenzimet e përgjithshme. Në këtë rast, kjo do të thotë se në këtë çmim prej 3.600 denarë nuk është vetëm çmimi i testit. Sidoqoftë, meqenëse shumica e testeve janë marrë si donacion, shuma prej 5 milionë eurosh nuk është reale, përkatësisht do të jetë shumë më e ulët sepse Fondi nuk do të transferojë para për testet që janë dhuruar.

Numri i testeve të kryera në laboratorët shtetërorë në këtë periudhë:

  • Instituti i shëndetit publik (ISHP) – Virologji: 68.278
  • Qendra e shëndetit publik (QSHP) Shkup: 1.870
  • ASHAM: 10.972
  • Fakulteti i veterinarisë: 755
  • Mjekësia ligjore: 459
  • Qendra e shëndet publik (QSHP) Manastir: 3.295
  • Klinika infektive: 759
  • Klinika gjinekologjike: 638

Nga fillimi i epidemisë së koronavirusit, në vend janë diagnostikuar 14.600 persona, nga të cilët 606 kanë vdekur, 11.741 janë shëruar dhe aktualisht aktivë janë 2.253.

Aktualisht, në spital janë duke u trajtuar 290 pacientë me kovid-19, kurse  vetëm një pacient është i lidhur me respirator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button