​Austria do të penalizojë platformat online nëse nuk reagojnë ndaj gjuhës së urrejtjes

Austria ka në plan të detyrojë platformat kryesore të internetit si Facebook dhe Google të fshijnë përmbajtjen e paligjshme brenda disa ditësh nën kërcënimin e një gjobe deri në 10 milionë euro, njoftoi të enjten qeveria në Vjenë, transmeton TCH.

Ligji austriak për gjuhën e urrejtjes në internet, i cili aktualisht po punohet, do t’u referohet platformave që kanë më shumë se 100 mijë përdorues dhe të ardhura vjetore prej më shumë se 500 mijë euro, njoftoi ministrja e Drejtësisë Alma Zadiq.

Ajo shtoi se ligji do t’u japë viktimave të fyerjeve dhe abuzimeve në internet mundësinë për t’i raportuar ato në një mënyrë të shpejtë dhe të lirë.

“Interneti nuk është një vend i paligjshmërisë. Sundimi ynë i ligjit vlen edhe për internetin,” tha Zadiq në një konferencë shtypi.

Zadiq, emigrantja e parë që u bë ministër në Austri, ku ajo iku me prindërit e saj para luftës në Bosnjë e Hercegovinë kur ishte dhjetë vjeç, është vetë një viktimë e mesazheve fyese.

Ajo ka thënë se i ka marrë këto mesazhe që kur mori detyrën në janar dhe ato janë kryesisht natyra seksiste, antiemigrante ose antimyslimane, megjithëse Zadiq nuk është myslimane.

Platformat do të duhet të vendosin sisteme të raportimit të gjuhës së urrejtjes që mund të arrihen lehtësisht, të caktojnë një person kontakti për përdoruesit dhe të raportojnë ankesat e marra një herë në vit, thotë ligji.

Përmbajtja që ka natyrë të qartë kriminale duhet të fshihet brenda 24 orëve nga marrja e ankesës dhe përmbajtja tjetër e paligjshme brenda shtatë ditësh.

Shqetësimet për gjuhën e urrejtjes janë rritur në të gjithë botën vitet e fundit. Ligji gjerman i miratuar në vitin 2018 ka pasur deri tani ndikim të kufizuar dhe Berlini ka bërë thirrje për veprim më të fortë të Bashkimit Evropian mbi këtë çështje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button