Një shtator ndryshe

Tani që fillimi i vitit shkollor po afron duhet të përgatitemi për realitetin e ri në të cilin deri më tani është dashur të mësohemi të funksionojmë. Vitet tjera këto ditë ishin ditë gëzimi për të nxënësit që e fillonin vitin e ri shkollor. Por sivjet, në kushte pandemie, kur pritet të fillojë vala e re e sëmundjes që na e çrregulloi tërësisht vitin 2020, duhet të mësohemi e ti mësojmë të vegjlit tanë se si të mbrohen dhe të qëndrojnë të shëndetshëm. Është e vështirë fëmijët të mësohen të funksionojnë në këto kushte, por megjithatë duhet bërë të pamundurën.

Kopshtet e fëmijëve planifikohet të hapen me 9 shtator, ndërsa viti i ri shkollor pritet të fillojë me 1 tetor. Deri në këto data prindërit duhet t’i edukojnë fëmijët për ti mësuar të mbajnë distancë dhe higjienë e ti dezinfektojnë duart më shpesh. E megjithatë, nuk ka garanca se kjo do të jetë e mjaftueshme dhe ne shumë shpejt mund të përballemi sërish me masa më radikale izolimi, të cilat do të bëhen gjithnjë e më të pritshme me kalimin e muajve dhe me fillimin e sezonit vjeshtë-dimër. E vetmja gjë që jep shpresë është lehtësia me të cilën fëmijët e tejkalojnë këtë sëmundje. Por megjithatë, mbetet shqetësimi për më të moshuarit që kontaktojnë me fëmijët e të cilët lehtësisht mund të infektohen e të kenë pasoja më të rënda.

Ata që nuk besojnë ende në ekzistencën e këtij virusi mund të hedhin shikimin përreth dhe të shohin se me çfarë lehtësie njerëzit infektohen. Mjafton një vështrim mbi numrat që shpallen nga testimet e përditshme për të parë që jemi ende shumë larg për ta fituar këtë luftë. Trendet botërore po ashtu tregojnë që numri i të infektuarve rritet dita ditës, prandaj është me rëndësi thelbësore kujdesi që duhet treguar.

Sa do të arrijmë të pengojmë përhapjen e sëmundjes kur të hapen edhe shkollat dhe kopshtet është shumë diskutabile. Prandaj le të punojmë tek ruajtja e imunitetit dhe të përgatitemi për ditë të vështira. Është kjo sprovë me të cilën duhet të përballemi dhe të bëjmë të pamundurën për të dalë fitimtarë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button