“Monstra”, eprori i Policisë ka dhënë urdhër të inspektohet “Opel Omega”, pa pasur njohuri se ka lidhje me vrasjen

Ish eprori i MPB-së për Krim të Dhunshëm, Ivica Vuçevski, i cili gjatë kohës së vrasjes së pesëfishtë ka dhënë urdhër që të kontrollohet automjeti i gjetur “Opel Omega”, që sipas Prokurorisë kanë udhëtuar vrasësit e pesë personave në Liqenin e Smillkovës më 12 prill të vitit 2012-të, sot në seancë gjyqësore deklaroi se urdhrin e ka dhënë në bazë të dyshimeve që i ka marrë nga një njoftim i patrullës së Policisë Kufitare dhe nuk e shpjegoi se pse e ka lidhur këtë automjet me vrasjen, njofton Portalb.mk.

Automjeti “Opel Omega” është gjetur më 13 prill, ndërkaq Gjykata, Prokuroria dhe Mbrojtja po mundohen t’i sqarojnë dilemat rreth asaj se pse mu ky automjet është theksuar si i përfshirë në krim, kur një ditë pas vrasjes as nuk janë ditur motivet dhe nuk ka pasur të dyshuar. Nuk dihet madje as kush i pari e ka parë këtë automjet dhe kush i pari e ka lajmëruar.

“Në atë kohë, është logjikë e policisë se çdo gjë të dyshimtë ta kontrollojmë. Nuk më kujtohet mirë, por më duket se një patrullë e Policisë Kufitare ka lajmëruar në Qendrën Informative Komanduese se është parë një automjet i dyshimtë duke lëvizur në një perimetër relavitisht të afërt me vendin e krimit. Ne nuk e kemi ditur nëse me atë veturë dikush ka kryer vepër penale ose jo. Ne e morëm në ekspertizë pasi që ishte e parkuar në atë vend (Vrazhji vir)”, tha Vuçevski.

Zyrtari policor nuk u përgjigj në pyetjen se çfarë njohuri kanë pasur që “Omegën” ta lidhin me vrasjen e pesëfishtë.

Fejzi Aziri, i parashtroi pyetje zyrtarit policor në lidhje me kamerat e sigurisë, pra si është e mundur që të mos gjendet vetura në kamerat e sigurisë, të cilat përpos shtetërore ka pasur edhe në objektet private.

Zyrtari policor tha se i kujtohet se kanë bërë kontrolle të automjeteve në kamerat e sigurisë, por nuk i kujtohet nëse është parë automjeti Omega.

“Është një truk i policisë, vazhdimisht kur nuk ju konvenon nuk ju kujtohet. Kjo do të thotë se po fshihen nga ato që kanë qasje për t’i fshirë. Kjo u pa edhe me rastin e kamerave të sigurimit shtetërore dhe private. Nuk është e mundur që të mos jetë kapur nga kamerat e sigurisë, ku janë incizimet?”, tha familjari i të akuzuarve, Bedri Ajdari.

Në seancën e kaluar, ish pjesëtari i MPB-së i cili ka pasur detyrë ta foto-dokumentojë automjetin tha ka punuar në shumë vepra penale dhe se për dallim prej situatave të tjera, Omega ka qenë i pastër dhe i rregulluar.

Mbrojtja në rastin “Monstra” vazhdon të insistojë se automjeti “Opel Omega”, s’ka të bëjë me rastin dhe s’ka asnjë dëshmitarë që e dëshmon se automjeti është parë në vendin e krimit.

  1. LEXO: Automjeti kontestues ”Opel Omega” në rastin “Monstra” është gjetur i pastruar
  2. LEXO: Raufi: Po të ishte përdorur “Omega” në vrasjen e Smillkovës, autorët do ta digjnin
  3. LEXO: “Monstra”, në kërkim të personit që e bëri lidhjen e automjetit “Opel Omega” me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë

“Vrasjen e pesëfishtë e kanë bërë profesionistë, nëse do të ishte përdorur automjeti “Opel Omega” gjatë vrasjes do ta digjnin, nuk janë të çmendur ta lënë veturën me ADN. Është e çuditshme që ta lënë veturën si provë. Veç asaj, s’ka asnjë dëshmitar që thotë se e ka parë veturën në vendin e krimit. Nuk e dimë edhe se kush e ka lajmëruar i pari se e ka parë veturën në vendin ku është gjetur. Policia thonë se e kanë kontrolluar lëvizjen e automjetit, por s’kanë gjetur asgjë. Në atë rrugë që paramendohet që të ketë lëvizur automjeti kanë funksionuar kamerat, por nuk ka incizime. Mandej, ndoshta dhe mund të ketë lëvizur andej, por kjo s’do të thotë që është përdorur në vrasje, mund të jetë përdorur për ndonjë gjë tjetër, pra gjithçka është hipotetike”, tha për Portalb.mk, avokati i mbrojtjes, Naser Raufi.

Nga seancat gjyqësore paraprake lidhur me “Opel Omegën” kontestuese, mund të lexoni:

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button