Shqipëria dhe Kosova gati të njohin sigurimet shoqërore dhe të fuqizojnë tregun e punës

Ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale të Kosovës, Skënder Reçica ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ai u takua me ministren e Financave dhe të Ekonomisë, Anila Denaj, me të cilën biseduan për dy marrëveshje, konkretisht për unifikimin e fuqisë punëtore dhe për njohjen e sigurimeve shoqërore.

Euronews Albania zhvilloi një bisedë me ministrin kosovar, i cili tha se dy ministritë po punojnë për përafrimin e qëndrimeve për të nënshkruara dy marrëveshjet e sipërpërmendura.

Sipas tij, kjo marrëveshje e cila po shkon drejt fundit, do të firmoset në takimin mes dy qeverive që pritet të mbahet në gjysmën e dytë të shtatorit. Ministri Reçica shtoi se, kjo marrëveshje do të krijojë vende të reja pune dhe mundësi më të mira për qytetarët e Shqipërisë dhe Kosovës.

“Jam në një vizitë zyrtare në përpjeke për të përafruar qëndrimet dhe angazhimet tona, me qëllim që deri në takimin e radhës mes dy qeverive, i cili do të mbahet në pjesën e dytë të këtij muaji të përafrojmë dy marrëveshje, të cilat kanë të bëjmë me unifikimin e fuqisë punëtore dhe tregut të punës Kosovë-Shqipëri dhe marrëveshjen për sigurimet shoqërore.

Ne biseduam sot me ministren Anila Denaj me qëllim që të përafrojmë qëndrimet tona dhe punët e ngelura deri në kohën kur të jetë takim i të dy qeverive. Ramë dakord që marrëveshja për mobilitet të nënshkruhet në takimin e dy qeverive. Kjo marrëveshje krijon lehtësira për qytetarët tanë, përkatësisht fuqisë punëtore. Bëhet fjalë për mundësi të reja të punësimit, arsimit dhe aftësimit profesional të qytetarëve tanë pavarësisht hapësirës gjeografike ku jetojnë”, tha ai.

Ai paralajmëroi se ekipet e dy ministrive po punojnë intensivisht për të gjetur një zgjidhje sa i takon njohjes së kontributeve shoqërore.

“Kjo marrëveshje, e cila është pothuajse në fazën finale, që do të nënshkruhet në takimin e dy qeverive është një mundësi që ofron Kosovën dhe Shqipërinë më afër Bashkimit Europian. Sepse me këtë marrëveshje ne po jetësojmë një pjesë të procesit të Berlinit, dhe po afrojmë dy vendet tona më afër se kurrë njëra tjetrës. Kjo marrëveshje krijon mundësi të reja për agjencitë tona të punësimit. Krahas kësaj marrëveshje, ne jemi dakorduar sot që ekipet tona të vazhdojnë punë në përafrimin e marrëveshjes për sigurimet sociale apo sigurimet shoqërore. Kjo bën që qytetarët tanë të gëzojnë nga kontributet e tyre, dhe me rastin e pensionimit të gëzojnë një të drejtë të kontributeve të tyre në të dyja vendet”, shtoi ai.

Ashtu si në çdo shtet tjetër, pandemia e Covid-19 ka goditur klimën e bizneseve në Kosovë. Ministria u shpreh se kjo situatë është shoqëruar me mbyllje të bizneseve, gjë e cila ka shtuar ndjeshëm edhe numrin e të papunëve. Por, pavarësisht kësaj situate të vështirë, z. Reçica tha se qeveria e Kosovës ka hartuar një plan konkret për të suportuar biznesin privat.

“Që kur Kosova u përfshi nga pandemia, ka qenë një situatë tepër e rëndë. Ka pasur disa biznese që janë mbyllur dhe për pasojë ne jemi dëshmitarë se kanë mbetur shumë qytetarë të papunë. Ne si qeveri kemi miratuar një plan për rimëkëmbjen ekonomike”, tha Reçica.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button