Pandemia dhe projeksionet ekonomike për 2020

Të gjitha llojet e krizave prodhojnë “mendim”. Historikisht edhe krizat ekonomike dhe financiare janë bërë shkak për “lindjen e teorive të reja ekonomike” të cilat janë zbatuar si “receta” për dalje nga krizat përkatëse.

Krizat ekonomike dhe financiare janë pjesë e pandashme e historisë së ekonomive. Po të kthehemi në histori, do të shohim se shtetet (shoqëritë) gjithnjë kanë përjetuar goditje të ndryshme ekonomike, të inicuara nga keqmenaxhimi i politikave ekonomike, nga faktorë të ndryshëm politik, por edhe direkt nga faktori njeri që karakterizohet me “lakminë apo pasionin për fitime të tepërta”. Ekonomia është ciklike, prandaj edhe tkurrjet ekonomike janë pjesë e natyrshmërisë së vetë sistemit ekonomik.

Por aktualisht, bota gjendet në një krizë ekonomike të paprecedentë në historinë e ekonomisë. Pandemia, si në asnjë rast më parë, ka ngrirë aktivitetin ekonomik dhe social në të gjithë globin. Kriza aktuale ekonomike (e cila ende nuk i ka shfaqur “dhëmbët” e saj) e cilësuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar si “një krizë e ndryshme nga krizat tjera”, apo “krizë binjake” përveç ekonomisë ka goditur edhe sistemin shëndetësor, që nuk është në gjendje të përballojë kërkesën e shtuar për trajtimin e të prekurve nga virusi korona.

Zhvillimi dhe përhapja e teknologjisë, rritja ndërvarësisë ekonomike, integrimet ekonomike dhe politike, mobiliteti i lartë dhe turizmi, roli i Kinës në zinxhirin furnizues global, etj, të gjitha këto ndikuan në përhapjen e shpejtë të virusit nga njëra anë dhe në përçimin e “panikut”dhe “emocioneve” në tregun botëror nga ana tjetër edhe atë duke shkaktuar pasiguri dhe paqartësi të theksuar për të ardhmen.

Për të ilustruar këtë situatë, le t’ju hethim një sy projeksioneve të PBB për vitin 2020.

Projeksionet e PBB

Burimi: OECD, Economic outlook, June 2020

Sikurse vërejmë, rritja ekonomike në të gjitha vendet e G7 është negative, madje në Francë, Itali dhe në Mbretërinë e Bashkuar edhe dy shifror. Euro zona do të tkurret me -9.1%, vendet e OECD me -7.5% dhe ekonomia botërore me -6%.  Kurse rritja ekonomike në vendet e Ballkanit Perëndimor, planifikohet të jetë në intervalin -3 deri -5.6%. Megjithatë kjo nuk është e gjitha, sepse në rast të një vale të re të virsuit në vjeshtë, kjo situatë do të përkeqësohet edhe më tepër, edhe atë me tkurrje të outputit edhe me rreth -2%. Duke marrë parasysh se partnerët kryesor tregtar të Maqedonisë së Veriut janë vendet evropiane, del në pah se këndellja e kërkesës së jashtme nuk mund të pritet shpejtë.

Të alarmuar nga kriza në fjalë dhe me qëllim për të zbutur  pasojat e goditjeve, shtetet u lëshuan në përpilimin e paketave fiskale dhe sociale, sepse kjo krizë po ndikon drejpërdrejtë në mirëqenien individuale dhe familjare. Por, mund të konstatojmë se, ndryshe nga rastet tjerat politikat fiskale dhe ato monetare së bashku nuk janë plotësisht të mjaftueshme për këndellje të kërkesës agregate. Pra, kostoja ekonomike dhe sociale do të jetë marrëmendëse, e tillë që askush nuk mund ta parashikojë.

Si rezultat i masave për parandalimin e përhapjes së virusit, (izolimit të vendeve, distancimit social)  shtetet po përballen me tkurrje të kërkesës agregate, që do të thotë se, në njërën anë bizneset në pamundësi për të shitur produktet dhe shërbimet e tyre po reduktojnë prodhimin dhe investimet, ku për rrjedhojë, po bien të ardhurat nga punësimi dhe remitancat (veçanërisht për vendet si Maqedonia e Veriut, që karakterizohen me varshmëri të lartë nga remitancat). Nga ana tjetër,  kjo situatë ka bërë që të tkurret edhe konsumi, të rritet varfëria dhe të rrezikohet mbijetesa e klasës së mesme.

Sa i përket investimeve të huaja direkte  vërehet tkurrje e ndjeshme në nivel global. Kështu që, sipas Konferencës për Tregti dhe Zhvillim të Kombeve të Bashkuara,  IHD-ët pritet të reduktohen me rreth 40% këtë vit krahasuar me vitin 2019, pra në nivelin më të ulët që nga viti 2005 (më pak se 1 trilion dollarë amerikan).

Një situatë e tillë, që shquhet me rënie të ndjeshme të outputit në nivel global dhe reduktim  të IHD-vë, nuk është tjetër vetëm se një goditje e fortë e tregut të punës (ku më të rrezikuar janë  të rrinjtë, gratë, punëtorët joformal dhe ato me punë të përkohshme) dhe tkurrje e mundësive të buxheteve shtetërore për të financuar rimëkëmbjen, që ndryshe përkthehet në barrë më të lartë tatimore  për të gjithë qytetarët (borxhi publik).

Për fund, mund të konstatoj se, kjo krizë ekonomike e cilësuar si “ndryshe nga të tjerat”, karakterizohet me pasiguri shumë të lartë, ndërhyrje të shtuar të shtetit në ekonomi, fuqizimin e shtetit social, mbrojtjen e industrive vendore (protekcionizëm) dhe kufizimin e mobilitetit në përgjithësi. Të gjithë këto projeksione të institucioneve ndërkombëtare janë variabile, sepse fati i ekonomisë do të varet nga jetëgjatësia e pandemisë (zhvillimet në shëndetësi), nga efekti i politikave ekonomike në këndelljen e ekonomisë dhe“recetat” apo teoritë e reja për rimëkëmbje ekonomike, nga tensionet gjeopolitike dhe tregtare në mes shteteve etj.

Shkruan Faton Esati për Portalb.mk.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button