Argëtim pa protokolle në “Biser”: Lokali i paregjistruar, do të ketë ndalesë për punë deri 30 ditë

Video nga një aheng pa protokolle, që është mbajtur dje në një kafene në qendrën tregtare “Biser” në Aerodrom të Shkupit, nga sot në mëngjes ka nxitur një varg reagimesh në rrjetet sociale, njofton Portalb.mk.

Siç mund të shihet në video, në aheng  kanë pas një numër të madh të të rinjve, pa u respektuar masa për distancë sociale. Në një pjesë të videos shihet edhe si të rinjtë e ndajnë të njëjtën nargile mes tyre, transmeton 360 Gradë.

Për këtë rastin është informuar edhe Inspektorati i tregut, prej nga thonë që ngjarjen e kanë denoncuar qytetarë të përgjegjshëm, 15 minuta para mesnate. Për më pak se gjysmë ore, thonë ata, ekipi më i afërt i inspektorëve është nisur drejt lokalit dhe ka konstatuar një sërë parregullsish.

Është konstatuar që lokali është ende i paregjistruar, ndërsa është shkelur edhe orari i punës, që nga 1 shtatori (përveç të premten dhe të shtunën kur është deri në ora 1) është deri në mesnatë.

Drejtori i Inspektoratit të tregut, Stojko Paunovski, për “360 gradë” thotë që inspektorët kanë bërë procesverbal, do të parashtrohet kallëzim për kundërvajtje dhe do të ketë ndalesë për punë deri 30 ditë.

Për mosrespektim të protokolleve, në anën tjetër, duke e pasur parasysh që lokali ende nuk është i regjistruar, do të parashtrohet kërkesë në MPB për t’u vepruar më tej.

Kjo nuk është shkelja e vetme e protokolleve për mbrojtje nga kovid-19. Nga Inspektorati thonë që kanë edhe më tepër raste “më të imëta”, kur lokalet nuk iu përmbahen atyre, si distancë e pamjaftueshme e tavolinave. Në pjesën më të madhe të rasteve, siç thonë, shkruajnë vetëm paralajmërime.

Megjithatë, ajo që gjithashtu paraqet problem janë dasmat dhe festat tjera familjare, që organizohen në regji private në oborre, ndërsa inspektorati nuk mund të reagojë për shkak se nuk ka kompetencë, ndaj duhet të thirret policia.

Prandaj, nga Inspektorati i tregut thonë që sot kanë kërkuar nga Komisioni për sëmundje infektive të përgatitë protokolle të caktuara për mbajtje të ngjarjeve të këtilla që të mund të organizohen në lokale, për t’u kontrolluar nëse masat mbrojtëse respektohen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button