Princi i rremë i Shqipërisë

Kur e vizitova Budvën, këtë qytet bregdetar, të lashtë dhe të bukur, menjëherë mendja më shkoi te një “princ”. Kudo ku vemi na del në ndihmë kultura jonë. Madje, mund ta njohim historinë dhe kulturën e një vendi më mirë se sa banorët e tij, por edhe vendlindjen mund ta njohim më mirë nëpërmjet të huajve.

“Princi” ynë quhet herë Stefan, e herë Stepan Zanoviq (Stefano Zannowich, Budva 1751 –  Amsterdam, 1786). Besohet, ndonëse nuk mund ta themi me siguri, se studioi në Venedik dhe Padovë. Botoi disa libra. Pati letërkëmbime me Volterin dhe ishte i afërt me qarkun e enciklopedistëve francezë.

Përse nuk e njohim më shumë këtë emër të urryer nga gjeniu i flirteve, Kazanova? Kush është ky princ i përmendur edhe nga disa autorë shqiptarë, si: Androkli Kostallari, Ymer Jaka, Vinçens Malaj, Moikom Zeqo, që na shfaqet herë në Venedik, herë në Poloni, pastaj në Prusi, Austri, Dubrovnik apo Holandë? A nuk ishte me origjinë nga fisi i lashtë Mitronik, “i njohur si ndër barinjtë më të vjetër të Shqipërisë që nga koha e Dioklecianit”? A nuk ishte “princi i Shqipërisë“, “pasardhësi i Kastriotëve“, “gjeneral” dhe “peshkop i Malit të Zi”? A nuk kishte shkruar vargje dhe libra për “katragjyshin” Skënderbe? A nuk dëshmonte për “letrën e shkruar në gjuhën shqipe” që Skënderbeu ia dërgoi sulltanit dhe e cila “ruhej në katedralen e kishës së Shën Marisë”, më saktë në arkivin e “familjes” së tij? Përse historiografia e anashkalon këtë emër?

Sepse  Stefan Zanoviqi nuk ishte as pasardhës i Kastriotit, as princ i Shqipërisë, as shqiptar, as gjeneral, as peshkop, as tregtar i famshëm, as personaliteti që mund të organizonte kryengritje në Shqipëri e Mal të Zi, siç pretendonte.

“Princi” ynë ishte kumarxhi i pashërueshëm, dashnor i krisur, aventurier i papërmirësueshëm, dorëlëshuar i pashoq, gjeni mashtrimesh.

Në vitin 1774, që t’u ikte problemeve, e shpalli në gazetë edhe vdekjen e tij. “Pas vdekjes” u tall me botën duke botuar librin “Opere Postume” dhe jetoi me emrin e ri Stepan Hanibal, por tani i vetëshpallur si “princ i Shqipërisë”. Nuk ishte hera e parë që e ndërronte emrin, identitetin, fenë. Para se të vetëshpallej princ i shqiptarëve, ishte vetëshpallur prijës i Malit të Zi.

Jeta e Zanoviqit ishte e lidhur me shqiptarët. Për të mirë e për të keq. Në fillim ua pa sherrin, pastaj përfitoi në emër të tyre. Me vëllain, Primislavin, u dëbuan nga Venediku, për shkak të grindjes me njëfarë Zenel Krajnin nga Shkodra. Kur u bë “princ shqiptar” nisi të shkruante poezi dhe libra për “katragjyshin” e tij, Skënderbeun, lavdia e të cilit ia hapi dyert e pallateve mbretërore e aristokratike evropiane, sepse emri i Skënderbeut vazhdonte të përmendej me respekt deri në përulje. Falë emrit të Skënderbeut lidhi miqësi me tregtarë e aristokratë evropianë. Dhe të gjithë i mashtroi.

Burrështetasve u premtoi besëlidhje luftarake, falë mijëra ushtarëve që i kishte në Shqipëri, të cilët, po sipas tij, donin katër mijë dukatë. Ka vetëm një të vërtetë: dukatet i merrte princi i mashtrimeve.

Pastaj bashkëpunoi me “Britmanin, tregtarin e njohur anglo – amerikan”, nga i cili siguroi anijet e mëdha: “Princi shqiptar”, “Konti Oginski” dhe “Princi i Prusisë”. Kishte vetëm një të vërtetë: Britmani nuk ekzistonte dhe as anijet e tij. Nëpërmjet Britmanit i zhvaste tregtarët.

Në vitin 1772–73 e mashtroi një shtëpi tregtare holandeze, por u zbulua. Janë monumente mashtrimi deklaratat e tij para gjykatësve të Amsterdamit, që na i përcjell Pavel A. Rovinski.

“Gjyqtari: A keni qenë ndonjëherë besimtar dhe cilës fe i përkisni?

Zanoviqi: Fesë katolike… Ndërmjet viteve 1772 dhe 1773 kam kaluar në ortodoksi dhe u zgjodha patriark i Malit të Zi.

Gjyqtari: Ku jeni arsimuar dhe edukuar?

Zanoviqi: Në vende të ndryshme të Shqipërisë së veriut. Babai im quhet knjaz Anton di Albanie, kurse nëna ime Franka Markoviqi…

Gjyqtari: Kur u lindët ku jetonin prindërit tuaj?

Zanoviqi: Në Pastro-Vecchio, ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi…

Gjyqtari: Me çfarë të drejte e mbani titullin princi i Shqipërisë?

Zanoviqi: Sipas të drejtës së trashëgimisë e pretendoj principatën e Shqipërisë, që u ka takuar të parëve të mi dhe tash e 344 vjet është nën pushtimin e Turqisë. Si gjeneral – kapiten kam menduar që vendin tim ta çliroj nëpërmjet kryengritjes…

Gjyqtari: Përshkruani Shqipërinë tuaj dhe pozitën e saj?

Zanoviqi: Ajo gjendet në bregun e Egjeut dhe Adriatikut, kurse në pjesën tokësore ndërmjet Rumelisë dhe Bosnjës.

Gjyqtari: Në cilin vend dhe nën cilin administrim gjenden pronat nga të cilat fiton të ardhura babai juaj?

Zanoviqi: Në territorin e Pastro-Vecchio-s”.

Gjyqtari, me siguri, nuk e dinte as ku ndodhej Shqipëria. Mbase për këtë vend, si shumë të tjerë, kishte dëgjuar për shkak të Gjergj Kastriotit dhe falë librit të Marin Barletit, njërit nga më të përkthyerit në Evropën e asaj periudhe, i cili i kishte shërbyer shumë edhe Zanoviqit.

I braktisur nga të njohurit e tij, që e kishin kuptuar se me çfarë “princi” kishin pasur punë dhe i rrezikuar nga dënimi me vdekje, Zanoviqi u vetëvra. Trupi i përfundoi në gropën ku varroseshin kriminelët.

Le ta shohim se çfarë na thonë studiuesit e letërsisë për krijimtarinë e Zanoviqit, i cili botoi librat: Vepra të ndryshme (1773), Poezi (1773), Letra turke (1776), Fati politik i Polonisë (1778), Poezia dhe filozofia e një turku (1779), Kastrioti i madh nga Shqipëria: histori (1779), Vepra të zgjedhura të princit Kastriot nga Shqipëria (1782), Mendime të Stepan – Hanibalit bariut plak nga Shqipëria (1784) etj.

Studiuesit kroatë e përmendin si shkrimtar kroat. Studiuesit malazezë thonë se “Letra turke” është romani i parë i letërsisë malazeze i formës epistolare. Nuk e mohojnë se Zanoviqi ishte i talentuar, por jo edhe i përkushtuar. Letërsinë e kishte mjet për arritjen e qëllimeve pragmatike. Në librin për Kastriotin sajoi rrëfime që nuk i njeh historia. Veprimtarinë e kryeheroit shqiptar e lidhi me familjen e tij. Skënderbeu, sipas Zanoviqit, i kishte lënë amanet të birit që ta botonte një gazetë. Nëpërmjet saj duhej t’i luftonte padrejtësitë dhe dhunën e prijësve të krahinave të ndryshme.

Askush nuk mund ta thotë me saktësi se çfarë është plagjiat dhe çka është autorësi në tekstet e Zanoviqit. Ai as nuk merakosej për kësi “detajesh”. Madje, të njëjtin libër, në të njëjtën kohë, e botoi në dy vende, kurse një libër “e botoi” në qytetin që kaherë nuk ekzistonte – në Albanopolis!

Tipa si Stefani apo Stepani, sigurisht më mediokër në punë mashtrimesh, nuk i mungojnë asnjë kohe. Ata i shfrytëzojnë politikanët mendjefyçkë duke u hequr si njerëz me pedigre, si “mendje të ndritura”, “si njerëz me ndikim”. Këta njerëz pa skrupuj i shërbejnë edhe historisë. Nëpërmjet tyre e kuptojmë idiotësinë e atyre që i quajmë politikanë e burrështetas.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button