Ministria e Drejtësisë duhet të ketë kujdes në dizajnimin e modelit për depolitizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë

Bojan Mariçiq, prej dje e ka marrë funksionin e ministrit të Drejtësisë dhe paralajmëroi reforma, siç tha, të mëdha në gjyqësor, i cili është një ndër resorët më të rëndësishme në negociatat me Bashkimin Evropian. Hulumtuesja e Institutit për Politika Evropiane (IPE), Iva Conevska, vlerëson se paralajmërimi i ministrit është pozitiv, ndërkaq duhet të kihet kujdes në lidhje me konstatimin e modelit për pastrimin e gjyqësorit, shkruan Portalb.mk.

Ministri Mariçiq dje paralajmëroi se në njëqind ditët e para të mandatit të tij, në bashkëpunim me partnerët tanë evropianë dhe të gjithë palët e prekura do të përcaktohet modeli me të cilin do të sigurohet veting efikas dhe objektiv dhe depolitizim i gjyqësorit dhe prokurorisë.

Iva Conevska
Iva Conevska

Sipas Conevskës, duhet të dizajnohet me kujdes me modeli me qëllim që sa më pak të pasqyrohet në punën e rregullt të gjyqësor dhe prokurorisë.

“Është pozitive që ministri i ri i Drejtësisë gjatë kohës së mandatit të tij do të fokusohet në zbatimin efikas të dispozitave ligjore në pjesën e gjyqësorit, të cilat në pjesë të madhe janë harmonizuar me asquis-in evropian. Duhet që me kujdes të analizohen të gjitha opsionet dhe ndikimi i tyre në proceset reformuese në gjyqësor dhe rezultatet e arritura. Duke i pasur parasysh përvojat rajonale, qasja në pastrimin e gjyqësorit duhet me kujdes të dizajnohet, me qëllim që sa më pak të pasqyrohet në punën e rregullt të gjyqësorit dhe prokurorisë, por edhe të mos varrosen të arriturat relaitivsht të larta të efikasitetit gjatë zgjidhjes së lëndëve. Për shkak të këtyre proceseve, janë të domosdoshme analiza, vlerësime dhe konsultime për konstatimin e modelit, sipas të gjitha gjasave do të duhen më shumë se 100 ditë”, vlerëson për Portalb.mk, Conevska.

Në lidhje me paralajmërimin e pastrimit në gjyqësor, pasi që paraprakisht Komisioni Evropian nuk e përkrahte “vetingun”, sipas modelit të Shqipërisë, Conevska thotë se për reforma të suksesshme duhet që të përforcohen kapacitetet e institucioneve ekzistuese.

“Në mbledhjen e 14-të të Nënkomitetit për Drejtësisë dhe Punë të Brendshme, të mbajtur në nëntor të vitit 2019-të, qëndrimi i Komisionit Evropian ishte që fillimisht duhet që të shfrytëzohen mekanizmat ekzistues për kontroll të gjykatësve dhe prokurorëve publik, a vetingu të shfrytëzohet si mjet i fundit nëse mekanizmat e rregullt nuk tregojnë rezultat. Pajtohemi që më e përshtatshme është që përpara konstatimit të modelit për pastrim dhe depolitizim të gjyqësorit dhe prokurorisë të analizohen dhe evoluohen mekanizmat të cilat tanimë janë vendosur në sistemin tonë, a pastaj të qaset drejt ndryshimeve. Për reforma të suksesshme është e nevojshme që të përforcohen kapacitetet e institucioneve ekzistuese”, thotë Conevska.

Gjyqësori gjithsesi është ndër parimet kryesore për reforma të kryeministrit Zoran Zaev, duke e pasur parasysh se edhe Maqedonia e Veriut duhet t’i fillojë bisedimet – a të njëjtat do të ndalohen menjëherë nëse gjyqësori vazhdon me praktikën e vjetër – jo-transparencë, jo-profesionalitet, anshmëri, pabarazi apo ndikim të pushtetarëve në vendimet e tyre. Gjatë periudhës së mandatit të kaluar, reformat në gjyqësor ndonëse u premtuan dhe vazhdimisht ishte në fjalimet e pushtetarëve se i njëjti do të reformohet, megjithatë përveç ligjeve të miratuara në letër – në terren ishte po e njëjta situatë, madje me një arsye më pak për t’i besuar resorit me më pak besueshmëri te qytetarët, pas skandalit me kryeprokuroren speciale.

“Vetingu” ishte një ndër zgjidhjet që vazhdimisht është folur e përfolur si një mjet i drejtpërdrejtë për ta ndaluar praktikën e jotransparencës apo mosndëshkimit të strukturave gjyqësore, pavarësisht rezultateve dhe vendimeve skandaloze. Megjithatë, BE-ja një gjë të tillë nuk e preferonte për shkak të përvojës së hidhur në Shqipëri, ku u bllokuan institucionet, por kjo nuk do të thotë që ata nuk kërkonin pastrim të gjyqësorit. Kërkesa e evropianëve ishte që autoritetet shtetërore të RMV-së ta pastrojnë gjyqësorin, por me mekanizmat ekzistues, gjë e cila u respektua dhe “vetingu” sipas modelit të Shqipërisë u hoq nga tavolina.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button