ANALIZË: Qeveria e re:  Premtime të vjetra, të reja – është koha për reforma të thella ekonomike!

Pensionimi i parakohshëm, ulja ose heqja e plotë e tatimit personal për sektorë të caktuar, TVSH më e ulët për produktet artizanale dhe hotelierët, rrogë më e lartë minimale, rritja e pensionit më të ulët – qeveria e re njoftoi se cilat zgjidhje dhe veprime i planifikon në ekonomi për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Disa nga ekonomistët që i konsultoi Portalb.mk thonë se këto janë plane ambicioze për të cilat qeveria do të duhet të sigurojë një burim të qëndrueshëm financimi, mirëpo në të njëjtën kohë edhe t’i kthejë borxhet e tanishme në kohë. Ata konsiderojnë se qeveria e re duhet të ndërmarrë reforma të thella ekonomike, e jo zgjidhje kozmetike, që nuk do ta ndryshojnë gjendjen aktuale në planin afatgjatë.

Huazime të reja për të shlyer borxhet e vjetra, si do të stimulohet rritja ekonomike…

Qeveria parashikon rritje ekonomike, një skenar që është optimist në një situatë të qetësimit të krizës shëndetësore të Kovid-19. Rritja e premtuar nga qeveria e re është në paketë me një numër më të madh të premtimeve për pensionistët, punonjësit, të papunët, kompanitë – përjashtime nga taksat, heqjen e tatimit personal ose uljen e tij, ndërhyrjen në TVSH – tatimin kryesor të buxhetit, rrogë më e lartë minimale, rritjen e pensioneve dhe ndihmës sociale. Të gjitha këto premtime nënkuptojnë rritje të shpenzimeve buxhetore dhe duhet të realizohen në një vit në të cilin merren kredi kompensimin e shpenzimeve aktuale.

“Sipas parashikimit tim, ne kemi nevojë për të paktën 2 miliardë euro të tjera, në mënyrë që të mund t’i paguajmë anuitetet e borxhit publik në kohë dhe që ta mbulojmë deficitin e buxhetit. Këtu nuk bëhet fjalë për stimulimin e zhvillimit ekonomik, për investime në rritjen ose zgjerimin e kapacitetit prodhues të ekonomisë, këto mjete na duhen për ta mbajtur ekonominë në gjendje funksionale. Ky projeksion është një variant optimist, ndërsa nëse situata me pandeminë përkeqësohet, atëherë më nuk bëhet fjalë për masa dhe zgjidhje të politikës ekonomike, por për kolaps të ekonomisë së vendit” – thotë profesori Sami Bislimi.

Sipas parashikimeve të qeverisë, deri në fund të vitit ekonomia do t’i tregojë shenjat e para të rimëkëmbjes, ndërsa në vitet e ardhshme rritja do të jetë me një ritëm të përshpejtuar.  Ja çfarë parashikon Programi i ri i Qeverisë:

  • Investime publike deri në 2.2 miliardë euro
  • Investime të huaja 1 miliardë euro
  • Lirim nga taksat për fitimin e riinvestuar
  • Rritja e pragut për tatimpaguesit e TVSH-së deri në 3 miliardë denarë
  • Shkallë e TVSH-së prej 10% për shërbimet e restoranteve
  • Heqja e tatimit personal për sektorin e TI-së deri në vitin 2023
  • Përqindje e TVSH-së prej 5% për produktet artizanale
  • Rritja e pensionit minimal në 10.700 denarë
  • Pension i parakohshëm 

Këto plane të Qeverisë duhet të shoqërohen me një paketë të re, ndërhyrëse të masave për të mbështetur ekonominë, e cila ende po përballet me pasojat e krizës së koronës, thotë Milaim Ameti, hulumtues dhe analist ekonomik.

“Sipas mendimit tim, Qeveria duhet të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme t’i subvencionojë rrogat, të paktën në nivelin e rrogës minimale, të vazhdojë me linjat e kreditit pa kamatë deri në fund të vitit, në mënyrë që të mbahen të gjalla aktivitetet e biznesit, por kreditë të jenë në shuma më të larta, e jo të kushtëzohen nga numri i të punësuarve dhe lartësia e rrogave. Gjithashtu mendoj se qeveria duhet të krijojë një fond për garanci kredie për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në mënyrë që ata të mund të marrin kredi bankare në këtë periudhë, të cilat do të garantohen nga shteti – një masë që e kanë shumë vende të zhvilluara” – thotë Ameti.

Ekonomistët konsiderojnë se qeveria e re ka shans për të zbatuar reforma reale dhe të thella ekonomike që do të jenë bazë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

“Në një situatë të këtillë ekonomiko-financiare, Qeveria nuk ka shumë hapësirë për të vepruar, gjendja e krizës është ideale për reforma në ekonomi, por kjo kërkon investime në zhvillimin teknik dhe teknologjik, në zhvillimin e kapitalit njerëzor, në aplikimin e njohurive të reja, sepse ekonomitë moderne të përparuara bazohen në një rritje të gjerë, në rritjen e të ashtuquajturit produktiviteti i faktorit, si bazë për rritjen e konkurrencës. Ne jemi larg kësaj. “Qeveritë e mëparshme (asnjë deri më tani) nuk arritët t’i realizojnë investimet e planifikuara kapitale, madje nuk arritën t’i rrisin investimet që do të kishin efekt të njëhershëm në rritjen e konsumit të brendshëm, si bazë për stimulimin e rritjes ekonomike” – thotë profesori Bislimi.

Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe BDI-ja e vlerëson programin e ri katër vjeçar si zhvillimor dhe në interes të qytetarëve dhe kompanive, ndërsa partia opozita VMRO-DPMNE vlerësoi se është një paketë premtimesh që janë të parealizueshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button