Shtatori rimbledh dy qeveritë Kosovë-Shqipëri, marrëveshjet kryesore për doganat, hekurudhën, energjetikën

Qeveritë e Kosovës dhe Shqipërisë në të kaluarën kanë mbajtur disa mbledhje të përbashkëta ku janë nënshkruar dhjetëra marrëveshje, megjithëse disa prej tyre nuk kanë gjetur zbatim konkret. Palët kanë planifikuar një tjetër takim në shtator, sërish me interes për të dyja palët, transmeton OraNews.

Kosova dhe Shqipëria do vazhdojnë edhe këtë vit traditën e mbledhjeve të përbashkëta qeveritare, për të nënshkruar marrëveshje të reja dhe për të avancuar paktet e kaluara.

Takimi mes dy qeverive shqiptare është planifikuar në Shkodër në javën e tretë të shtatorit.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, njëherësh koordinatorja e mbledhjes, Albulena Balaj-Halimaj, informon se palët janë pajtuar për disa draftmarrëveshje, tri më kryesoret me interes të posaçëm.

Balaj-Halimaj: Ato të cilat ndoshta janë më pak gjigande se të tjerat janë Dogana e Kosovës, linja hekurudhore dhe është hidrocentrali që mendohet të ndërtohet në Shqipëri, e që do të jetë funksional për Kosovën.

Projektet dypalëshe dhe transporti hekurudhor nga Porti i Durrësi pritet të lehtësojnë̈ qarkullimin e qytetarëve, të mallrave si dhe të rritnin përfitimet e bizneseve.

Ekspertët e fushës apelojnë për kalimin nga faza e draftmarrëveshjeve te zbatimi konkret i tyre.

Ndër ta, Berat Rukiqi i Odës Ekonomike të Kosovës, dhe profesori i Ekonomisë, Muhamet Sadiku, e vënë theksin te shfrytëzimi i burimeve të përbashkëta energjetike.

Rukiqi: Ne kemi nevojë t’i kombinojmë burimet energjetike me rritë atë që njihet si rezervë në sistem që i ndihmon stabilitetit të furnizimit. Këtë drejtim them se duhet t’i shtohet mundësia që Shqipëria të investojë në një termocentral në Kosovë, apo dy qeveritë të investojnë në një termocentral.”

Sadiku: Burimet energjetike në Shqipëri janë tërësisht nga uji, ndërsa nga Kosova janë nga thëngjilli, nëse kërkohet ndonjë këmbimin mes Kosovës dhe Shqipërisë të shohim sa është kjo racionale. Por ajo që dihet është se fuqizimi i lidhjes energjetike Shqipëri-Kosovë është shumë i rëndësishëm.

Takimi i shtatorit mes dy qeverive shqiptare u paralajmërua një muaj më parë nga kryeministri Edi Rama në konferencën e përbashkët me homologun e tij, Avdullah Hoti.

Palët diskutuan në detajet e aspektet e bashkëpunimit, dhe lanë të hapur mundësinë për një tjetër takim në Tiranë në muajin nëntor, këtë radhë në kuadër të një kongresi vendor për të ndarë praktikat e mira dhe sfidat e njëjta në fushën e mirëqeverisjes.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button