Me 62 vota “Për” dhe 53 vota “Kundër”, u votua Qeveria e re me kryeministër Zoran Zaevin

Në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, sot prej ora 12:00, në Sallën e Madhe, vazhdoi seanca e 10-të, transmeton Portalb.mk. Në orët e mbrëmjes, me 62 vota “për” dhe 53 “kundër” u votua Qeveria Zaev 2, pasi deputetët shqyrtuan propozimin për përbërjen e qeverisë së re në krye me mandatarin Zoran Zaev.

23:32 – Kryetari i Kuvendit e mbylli seancën e 10-të.
23:20 – Talat Xhaferi pasi e mbylli debatin, vendosi të votohet për qeverinë e re.

Krytari Xhaferi theksoi se të pranishëm janë 115 deputet, ndërsa votuan 113 deputet.

62 deputet votuan “Për” qeverinë e re, ndërsa 51 votuan “kundër”.

Krahas Zaevit si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë Lupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla Dimitrov zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Milla Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës.

Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheqë Arianit Hoxha nga BESA, partner parazgjedhor i koalicionit me LSDM-në, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes Lokale edhe në Qeverinë e re.

Artan Grubi nga BDI do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për sistem politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë, ndërsa Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. Ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës është propozuar Jeton Shaqiri.

23:10 – Fjala e fundit nga mandatari Zoran Zaev zgjati 10 minuta.

“Nuk kemi më çështje të hapura etnike, të gjithë jemi të barabartë…Do të kemi institucione që të gjithë do të krenohemi”, premtoi Zaev.

Ai premtoi përmirësim të kualitetit të jetës për të rinjtë.

“Dua t’i thirri të rinjtë, mos shkoni jashtë. Na ndihmoni në modernizimin e vendit, në evropianizimin e vendit”, u shpreh Zaev, duke premtuar luftë kundër ekonomisë gri dhe punësimeve të jashtëligjshme.

Ai theksoi se të pasurit do të duhet të paguajnë më shumë tatim ndaj shtetit, si dyfishimi i pronave të pashfrytëzuar.

Ai në fund kërkoi bashkëpunim me opozitën, në interest të shtetit dhe qytetarëve.

23:00 – Vazhdojnë debatet pas pauzës ndërmjet shumicës parlamentare dhe deputetëve të VMRO-DPMNE-së.

21:40 – Kuvendi në pauzë, kthehet pas 30 minutave

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi vendosi për pauzën e radhës, duke paralajmëruar se do të zgjasë vetëm 30 minuta.

Pjesë e debatit ndërmjet shumicës parlamentare dhe opozitës janë edhe temat e ndryshme, si ajo për arsim, ekonomi, krimi i organizuar, gjyqësori, korrupsioni, dhe akuza të ndryshme.

16:00- Replika ndërmjet deputetëve në Kuvend në lidhje me gjendjen e arsimit në Maqedoninë e Veriut

Temë e debatit ishte edhe gjendja në arsim. Deputetët Antonio Milloshoski, Adnan Neziri dhe ministri i arsimit dhe shkencës në largim, Arbër Ademi, diskutuan për sukseset dhe dështimet në arsim.

“Ne jemi dëshmitar se si i keni punësuar mësimdhënësit plotësisht me përkatësi politike dhe arsimin e kemi në nivel shumë të ulët këtë e tregojnë edhe rezultatet ndërkaq sa i takon pagave nuk duhet të lavdëroheni, sepse në rajon pagat janë gjithkund më të larta”, deklaroi Neziri.

“Gjithë prindërit sot janë shumë të brengosur sepse ju dhe zv.ministrja Naumovska e keni bërë Maqedoninë shtetin e vetëm ku ende nuk ka koncept kur dhe si do të fillojë viti shkollor”, deklaroi fillimisht Milloshoski. Nuk është e vërtetë se nuk ka koncept. Në shumë seanca është diskutuar dhe ka vendim përfundimtar në Qeveri se kur do të fillojë viti shkollor nga 1 tetori”, deklaroi Ademi.

15:30 – Deputetët kërkojnë pastrim të gjyqësorit

I pari sot nga foltorja e Kuvendit foli lideri i Lidhjes Demokratike, Pavle Trajanov, i cili është pjesë e koalicionit “Mundemi”, i cili theksoi se në Maqedoni ekziston ndarje e madhe në bazë partiake dhe etnike, fetare, por dhe pozitës sociale dhe për këtë, siç tha, Qeveria, presidenti i shtetit dhe Parlamenti duhet të punojnë në integrimin e brendshëm, bashkimin dhe mbrojtjen e interesave kombëtare, transmetoi MIA.

“Nevojiten ndryshime kushtetuese me qëllim që të përforcohet përgjegjësia e pushtetit ekzekutiv, veçanërisht e kryetarit të Qeverisë dhe ministrave dhe të  përforcohet pavarësia e institucioneve, kompetente për zbulimin dhe parandalimin e formave të rënda të krimit. Sistemi imunologjik i shtetit duhet të funksionojë. Nuk ka drejtësi pa gjyqësor të besueshëm, për këtë duhet të krijohen supozimet kushtetuese për revizion dhe shkarkim të gjykatësve dhe prokurorëve publikë, si dhe përgjegjësia e tyre penale, nëse i shkelin ligjet. ”, theksoi Trajanovi, duke theksuar se po keqpërdoret edhe rregulli i Badenterit.

“Top-shop” dhe “Dormeo”, etiketimet ndërmjet Zaevit dhe Janushevit

Gjatë seancës, Igor Janushev, deputeti i VMRO-DPMNE e vlerësoi koalicionin e mundshëm qeveritar dhe mandatarin Zoran Zaev si ‘top-shop’, derisa ky i fundit e vlerësoi VMRO-DPMNE-në opozitare si ‘dormeo’ shtretër.

“Për tre vjet me radhë, ne dëgjojmë se si premton vit ekonomik, premtoi edhe rrugë, unë mendoj se nuk do të ketë asnjë hapësirë të gjelbër pas mandatit të mandatarit top-shop. Dhe të gjitha këto ai thotë se do t’i bëjnë me kuadër të dëshmuar profesionistë dhe të ndershëm. Dhe që prej ditës së djeshme kam qenë prezent këtu, kërkoj dhe kthehem të shoh të ndershmit, profesionistët, të dëshmuarit por nuk ka asnjë të tillë”, tha Janushevi.

Ai gjithashtu e vlerësoi zv.kryeministrin Nikollovski si shpikësin e korrupsionit në bujqësi, ndërsa Zaevi ia ktheu se me këto mendime e kanë shumë të rëndë faktin se edhe katër vjet do të jenë në opozitë.

“Nuk ka qeveri top-shop por ka opozitë Dormeo sepse ju flinit derisa zgjidheshin të gjitha çështjet e rëndësishme në shtet, nuk keni qëndrim. Nuk kishit as pak guxim kur duhej pa dallim të karrierës dhe perspektivave politike të silleshin vendime për shtetin. Është i madh frustrimi dhe kompleksi e di se kjo dhemb. Nuk ka më NQP dhe para, nuk është më Orce Kamçevi që t’iu japë para, nuk do t’i shkelni ligjet”, u përgjigj Zaevi.

Kjo seancë ka filluar prej dje në ora 11:00, dhe u zhvillua sipas protokolleve për punë në kushte të pandemisë me Kovid-19.

Deputetët në përbërjen e re të deputetëve dje theksuan qëndrimet e tyre “për” dhe “kundër” zgjedhjes së Qeverisë së re të mandatarit Zoran Zaev, pasi ai në pjesët e paradites e prezantoi ekspozenë e tij ër prioritetet e përbërjes së re qeveritare.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut u mbajtën më 15 korrik. Për shkak të gjendjes me koronavirusin u votua tri ditë, nën protokolle të rrepta shëndetësore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button