Kusari-Lila: “Qeverisja akademike” e solli Kosovën në krye të listës së zezë të vdekjeve në nivel botëror

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila, ka kritikuar Qeverinë Hoti për menaxhimin e pandemisë COVID-19.

Kusari-Lila ka pohuar se, Kosova është shteti me numrin më të lartë të vdekjeve për 1 milion banorë për tërë javën e fundit të gushtit.

“Kur e themi ne të cilët jemi aktiv në politikë, na sulmojnë, na fyejnë dhe na quajnë me emra. Por tani kur e publikon këtë lajm një medium si Bloomberg nga ShBA, athua cila është përgjigja e kujdestarëve të fjalës dhe mendimit kritik?!

Shteti me numrin më të lartë të vdekjeve për 1 milion banorë për tërë javën e fundit të Gushtit jemi ne, Kosova. Pas kemi lënë shtetet të cilat kanë sisteme dikatoriale, varfëri, trafikantë të drogës dhe të qenieve njerëzore”, ka shkruar deputetja në Facebook, transmeton Telegrafi.

Kusari-Lila në reagimin e bërë ka numëruar disa nga arsyet se pse Kosova ka numër të madh të vdekjeve nga COVID-19.

“Është e dukshme se emëruesi i përbashkët i vdekjeve nga virusi për të gjitha shtetet dhe Kosovën në top listë është: Menaxhimi katastrofal i pandemisë bashkë me nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit shoqëruar me arrogancën e udhëheqësve shtetëror të cilët injorojnë profesionistët dhe vendimet profesionale duke i zëvendësuar ato me vendime politike oportune. Këtu e solli vendin ‘Qeverisja Akademike’”, përfundon reagimi i deputetes.

Ndryshe, numri i personave që kanë vdekur nga COVID-19 në Kosovë ka arritur në 499.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button