Tetovë, BOLL MË! u mbajt protesta kundër rritjes së çmimit të rrymës elektrike (VIDEO)

Mijëra banorë të Tetovës për herë të katërt dolën në protestë kundër vendimit të Komisionit Rregullator Energjetik (KRRE) për shtrenjtimin e rrymës për 7,4%, njofton Portalb.mk. Ata u mblodhën në sheshin Iliria në Tetovë.

Arianit Xhaferi nga Këshilli Organizativ i protestës rikujtoi protestat kundër ndotjes së ajrit duke thënë se pjesëmarrja masive në to solli deri te mbyllja e ndotësit “Jugogrom”.

“Me mbështetjen e juaj ne ia arritëm qëllimit. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë kundër korporatave që nuk mbrojnë interesin e popullit por të kompanive. Ky është vendim skandaloz dhe me ndihmën e popullit do t’ia dalim ta zhbëjmë. ” tha ai.

Profesori Jeton Shasivari tha se ky shtrenjtim i rrymës është veprim që ende më tepër do ta përkeqësojë gjendjen e qytetarëve, sidomos gjatë krizës së koronavirusit.

“Me të drejtë jemi mjaftë të revoltuar për këtë shtrenjtim. A mban dikush llogari në këtë shtet për të drejtat e konsumatorëve?! Ky është vendim skandaloz dhe politik sepse u kontrabandua brenda natës, pa debat dhe pa paralajmërim! Përfitimi i kompanive nuk guxon të jetë mbi të drejtat e konsumatorëve dhe shteti duhet të ndërrmerr masa kundër kompanive zhvatëse që e rrjepin qytetarin. Neve nuk ka interesojnë ankesat e kompanive që thonë se punojnë me humbje, por kush nuk punon me humbje në këto 6 muaj? Prandaj kërkojmë që qeveria e re të ndërmerr masa kundër këtyre kompanive energjetike që zhvatin qytetarët dhe bëjnë padrejtësi sociale. BOLL NA VODHËT dhe BOLL DURUAM!” tha mes tjerash Shasivari.

Adnan Abullai, Azis Sulejmani dhe Krenar Osmani dhe të tjerët nga Këshilli Organizativ i protestës rikujtuan kërkesat e protestuesve.

“Ata që duhet t’i zgjidhin kërkesat tona kanë veshë të shurdhur. Ata duhet të turpërohen nga ky veprim i tyre. U bëjmë thirrje deputetëve dhe gjithë partive të ndërmarrin masa kundër kompanive zhvatëse. Nga ata varet se a do të durojmë më apo do të kemi padëgjueshmëri qytetare. Mos i shpërfillni këto kërkesa, i kërkojmë në paqe. Mos i thoni jo paqes. Përgjesjësia mund të adresohet dhe ne themi vetëm një gjë BOLL MË” thanë ata.

Protesta në Tetovë kundër shtrenjtimit të rrymës 28.08.20

Qytetarët kanë katër kërkesa, ndër të cilat një për KRRE-në (e cila nuk u pranua), një për Qeverinë dhe dy për Kuvendin.

1) Komisioni Rregullator për Energjetikë të shfuqizojë menjëherë vendimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike prej 7.4% dhe ta ulë çmimin e rrymës për konsumatorët për 46%.
2) Qeveria e RMV-së të anulojë monopolin e shërbimeve të kompanisë EVN, dhe t’i japë fund sjelljes së tyre jokorrekte dhe jonjerëzore ndaj konsumatorëve; dhe të ulë TVSH-në nga 18% në 5%
3) Kuvendi i RMV-së të çaktivizojë (zhbëjë) Komisionin Rregullator Energjetik, sepse ky organ i shërben vetëm apetiteve të larta të grupeve të biznesit dhe korporatave që dëmtojnë mjaft rëndë xhepin e qytetarëve të varfër të vendit tonë;
4) Kuvendi i RMV-së të krijojë një trup të pavarur arbitrar, në shërbim të qytetarëve që do të verifikojë cilësinë e shërbimeve, dhe do të adresojë të gjitha ankesat e qytetarëve ndaj këtyre dhe korporatave të ngjashme zhvatëse si këto.

Ndryshe, organizatorët e protestës kanë hapur një faqe në Facebook, kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike me emrin “BOLL MË”. Dje në këtë faqe janë publikuar disa video ku persona të njohur të skenës shqiptare si dhe qytetarët e Tetovës japin përkrahjen e tyre duke udhëzuar dhe të tjerët për të marrë pjesë në protestat e sotme.

Ndërkaq, javën e kaluar protesta është mbajtur gjithashtu edhe në Kumanovë, Kërçovë, Dibër, Gostivar dhe Shkup.

Megjithatë, Komisioni Rregullator i Energjetikës së Maqedonisë së Veriut, nuk do ta ulë çmimin e rrymës elektrike për amvisëri, të cilin e rriti për 7,42% në mes të krizës shëndetësore e ekonomike, pavarësisht se qytetarët që protestojnë i dhanë ultimatum që ta shfuqizojë rritjen dhe ta ulë çmimin e rrymës për 20% pasi që në të kundërtën do t’i bllokojnë rrugët kryesore të qyteteve dhe nuk do të japin llogari për të bëmat e tyre.

Vendimi i KRRE-së për të rritur çmimin e energjisë elektrike ishte skandaloz, bile ende më skandaloze ishte përpjekja e vendimmarrësve për të bindur banorët se Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në Evropë. Çmimi i energjisë elektrike duhet të krahasohet me pagën mesatare mujore, kur bëhet ky krahasim, rezulton se kemi një ndër çmimet më të shtrenjta në Evropë. Gjithashtu, mbetet e paqartë metodologjia se si kalkulohet çmimi dhe në çfarë mënyre kontrollohet implementimi i saj ashtu që të sigurojë çmim sa më real i cili njëkohësisht merr parasysh edhe atë se sa janë të kënaqur qytetarët me shërbimin që marrin nga kompanitë distributore të rrymës elektrike.

Lexo edhe këtu:

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button