Vazhdojnë të ngelin pa rrogë punonjësit e kulturës në Maqedoninë e Veriut

Gjithçka çfarë është dashur të bëjë Qeveria e ka bërë dhe ajo nuk është përgjegjëse për mungesën e pagave në kulturë, por drejtorët e institucioneve kulturore të cilët nuk kanë dorëzuar në kohë planet e sistematizimit që punëtorët kulturor të marrin pagë në kohë. Kështu vlerësoi kryeministri teknik, Oliver Spasovski për problemin e pagave në sektorin e kulturës.

“Marrëveshja kolektive është në fuqi. Qeveria ka siguruar mjete financiare nga buxheti ajo çfarë nuk është bërë në kuadër të institucioneve kulturore, është përgjegjësi e çdo udhëheqësi të atyre institucioneve dhe duhej të ndërmerren me kohë masa që të zbatohen marrëveshjet. Qeveria i ka krijuar të gjitha kushtet që punëtorët kulturorë të mund ta zbatojnë atë marrëveshje”, tha Oliver Spasovski, kryeministër teknik në largim, transmeton TV21.

Për problemin kanë reaguar edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE. Bëjnë thirrje që paga e muajit korrik të paguhet menjëherë dhe thonë se marrëveshja kolektive u keqpërdor për qëllime të fushatës zgjedhore.

“Insistojmë që qeveria të mos humb asnjë ditë më tepër dhe t’i dëmshpërblejë punëtorët kulturorë që i gënjeu. Me shuarjen e kulturës, shuhet shteti. Raporti ndaj kulturës sot, e tregon raportin ndaj qytetarëve nesër. Paga e korrikut duhet të paguhet menjëherë”, deklaroi Zoran Lutkov, Kryetar i Komisionit për Kulturë – VMRO-DPMNE.

Por nga Sindikata e Punëtorëve Kulturorë thonë se plani për sistematizim është bërë në kohë, por Ministria e Kulturës nuk e ka shqyrtuar.

Sindikata ka paralajmëruar padi ndaj Ministrisë së Kulturës, pasi sipas tyre, rreth 3 mijë punëtorë nuk kanë marrë pagën e cila sipas Marrëveshjes kolektive duhej ta kishin në konto më 15 gusht. Nga Ministria e Kulturës zvarritjen e pagesës e arsyetojnë me krizën e shkaktuar nga Kovid-19 dhe me mosdorëzimin e planit të sistematizimit nga drejtorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button