Numri fleksibël i nënkryetarëve të parlamentit krijon ambient pozitiv

Jorastësisht, Kushtetuta dhe Ligji për Kuvendin manifestojnë fleksibilitet dhe tolerancë ndaj përcaktimit të numrit të nënkryetarëve të Parlamentit sepse janë të vetëdijshëm për diversitetitn pluralist politik, kulturor, fetar, etnik, por edhe filozofik të përbërjes së Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Substanca e demokracisë parlamentare qëndron në pluralizmin politik, miratimin dhe vënjen në lëvizje  të ideve dhe projekteve që kanë  për qëllim parasegjithash përparimin e jetës së individit e qytetarit i cili është bartës i suverenitetit të shtetit. Parlamenti është ambienti më sublim ku vjen në shprehje jo vetëm pluralizmi politik, por edhe ai etnik dhe kulturor që pasqyrohet në Parlamentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në valën e konstituimit të organeve parlamentare duket jokonstruktive dhe humbje kohe që të fokusohemi se sa nënkryetarë duhet të ketë organi më i lartë ligjdhënës-Parlamenti. Përcaktimi i numrit të nënkryetarëve ka bazë të fortë kushtetuese dhe ligjore duke lënë fleksibël dhe elastik numrin e tyre. Edhe Kushtetuta, por edhe Ligji për Kuvendin, qartë përkufizojnë se nga radhët e deputetëve parlamenti zgjedh Kryetarin dhe një ose më shumë nënkryetarë. Numrin e nënkryetarëve e përcakton Parlamenti me propozim të Kryetarit të Parlamentit. Nënkryetarët zgjdhen nga radhët e partive të ndryshme politike që janë perfaqësuese në Parlament. Eshtë dispozitive dhe shumë e rëndësishme që njëri nga nënkryetarët të zgjidhet nga radhët e deputetëve që i takon partisë më të madhe opozitare parlamentare.

Sipas një tradite  të mirë, përbërjet e deritanishme parlamentare pluraliste të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut kanë pasur nga tre nënkryetarë, një nga opozita e madhe parlamentare, dhe nga një nga radhët e partive më të mëdha në pushtet, që nënkupton së paku edhe një nënkryetarë shqiptarë. Modeli i deritanishëm ka funkcionuar pa probleme, me përjashtim të kapriceve politike përbrenda Parlamentit që i japin gjallëri të zakonshme organit më të lartë të demokracisë.

Por,  pse autorët e Kushtetutës dhe Ligjit për Kuvendin kanë qenë aqë fleksibël dhe tolerantë në përcaktimin e numrit të nënkryetarëve të Parlamentit?! Si duket autorët kanë qenë të vetëdishëm për shembëlltyren e Parlamentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut,  për diversitetin pluralist të gjithanshëm, duke filluar nga ai politik, kulturor, fetar, etnik,  filozofik, e tj. Kanë qenë të vetëdishëm se çdo grup parlamentar dëshiron të ketë përfaqësuesit e vet në forumin më të lartë-Kryesinë e parlamentit, ku meren vendime të ndryshme për rrjedhën dhe dinamikën e axhendës së punimeve të Parlamentit. Kanë qenë të vetëdishëm se Parlamenti i Maqedonisë i zhvillon punimet në mënyrë të vazhdueshme.

Në parlamentet pluraliste bashkëkohore është vënë një traditë tjetër e mirë- funksionimi i kolegiumit të Parlamentit, respektivisht i kryesisë së  Parlamentit. Ky forum i rëndësishëm në vendin tonë është i njohur si koordinim te Kryetari i Parlamentit në të cilin marin pjesë Kryetari, nënkryetarët dhe shefat e grupeve parlamentare, e sipas nevojës  ftohen edhe përfaqësues parlamentarë të grupeve më të vogla të deputetëve (nën pesë deputetë). Është bërë rregull që këto koordinime  të mbahen një herë në javë (të hënave), por sërish sipas nevojës dhe situatave të krijuara edhe më shpesh,  (ndodh  edhe dy tre herë brenda një dite). Në këtë forum diskutohet për tema të ndryshme, për dinamikën e axhendës parlamentare, harmonizim të qëndrimeve, dhënje e kahjeve dhe e koordinatave për dalje nga situatat bllokuese, dhe krejt kjo me qëllim të përparimit të punës së Parlamentit. Në këtë forum  flitet edhe për kushtet e punës së deputetëve, disiplinën e tyre dhe shumë çështje tjera të lidhura me funksionimin e Parlamentit. Patjetër se në këtë forum pihet edhe kafe, ndonjëherë e ëmbël,  e ndonjëherë  e hidhur, varësisht nga rrethanat dhe ndjeshmëria e temave. Shpesh në  këto koordinime del në sipërfaqr edhe ana tjetër e depuetit-kolegialiteti, njerëzia, butësia, modestia, barcoletat dhe sjellja e natyrshme e tij, të cilat japin porosinë se ai parasegjithash është njeri, e pastaj politikan agresiv dhe i vrazhdë siç jemi mësuar ta shohim. Prandaj, a duhet të ketë Parlamenti i Maqedonisë tre ose pesë nënkryetarë, është çështje e parëndësishme dhe e kot. Është shumë me rëndësi krijimi i ambientit konstruktiv dhe qasja demokratike e grupeve të ndryshme të përfaqësueseve të popullit në krijimin e politikave të vendimeve parlamentare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button