Kapitujt 23 dhe 24 mund të jenë velat, por edhe spirancë, në rrugën drejt BE-së

Me hapje të klasterit të parë, përkatësisht kapitujve 23 dhe 24, që pritet në dhjetor, vendi jonë edhe zyrtarisht do t’i fillojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan Portalb.mk.

Kapitulli 23 ka të bëjë me jurisprudencën dhe të drejtat themelore, ndërsa kapitulli 24 ka të bëjë me drejtësinë, lirinë dhe sigurinë, kriteret ekonomike, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformat në administratën publike.

Kjo do të thotë që reformat në jurisprudencë dhe të drejtat themelore do të jenë erë në velat në rrugën drejt anëtarësisë në Bashkimin Evropian, nëse zbatohen me sukses, ose do të jenë spirancë që do ta ngadalësojë tërë procesin.

Këto kapituj hapen të parët, mirëpo mbyllen të fundit, me çka KE-së dhe vendeve anëtare u mundësohet gjatë tërë procesit të ushtrojnë mbikëqyrje dhe presion në këtë fushë deri në aderimin përfundimtar të vendit.

Hapi i parë që kur kornizat e negocimit kanë hyrë në procedurë është që Maqedonia të përpilojë udhërrëfyes për kapitujt lidhur me sundimin e të drejtës. Përveç udhërrëfyesit për sundim të së drejtës, shteti do të përpilojë edhe udhërrëfyes për funksionim të institucioneve demokratike dhe reforma në administratën publike, elementi tjetër thelbësor nga negociatat me BE-në.

Sipas raporteve të fundit të Komisionit Evropian, vendi në disa raste është vlerësuar që ka progres të mirë në Kapitujt 23 dhe 25. Përgjithësisht, vlerësohet që është arritur nivel i lartë i harmonizimit të rregullores ligjore, megjithëse edhe më tutje ka mungesa në sfera kyçe, si në gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, por edhe reformimin e policisë. Vëmendje e posaçme duhet të përkushtohet në luftën kundër krimit të organizuar, përmirësimin e hetimeve financiare dhe konfiskimin e pronës.

Gjyqësori i pavarur, me kapacitetin e domosdoshëm për mirëmbajtje dhe mbrojtje të sundimit të drejtës është gurthemel i Kapitullit 23. Pavarësia e gjyqësorit nënkupton integritet të gjykatave dhe gjykatësve, paanshmëri dhe standarde të larta të aktgjykimeve.

Për të arritur kriteret e këtij kapitulli, Maqedonia e Veriut duhet të zbatojë numër të konsiderueshëm të proceseve reformuese dhe të aktivitete të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë mbi përditshmërinë e qytetarëve.

Pavarësia e gjyqësorit paraqet shtyllë qendrore në ndërtimin e kapaciteteve të nevojshme në mirëmbajtjen dhe mbrojtjen e sundimit të drejtës. Për shembull, në BE perceptimi, ekzistimi i gjyqësorit të pavarur dhe efikas është me rëndësi tejet të madhe. Kjo është përkufizuar nëpërmjet disa rekomandimeve për arritje të pavarësisë dhe paanshmërisë, integritetit dhe standardeve më të larta.

Gjithashtu, proceset reformuese në këtë fushë kërkojnë përkushtim serioz politik, juridik dhe administrativ në mënjanimin e ndikimeve të jashtme, alokim të resurseve të përshtatshme dhe të qëndrueshme financiare dhe trajnim të vazhdueshëm, duke përfshirë edhe atë të shërbimit gjyqësor.

Pastaj, nga vendi kërkohet luftë efikase kundër korrupsionit, për shkak se vlerësohet që pikërisht veprimet korruptive e rrezikojnë stabilitetin e institucioneve demokratike dhe sundimin e të drejtës.

Krahas kornizës së vendosur ligjore dhe institucionale, BE-ja këmbëngulë për funksionim të saj praktik dhe për dosje të lëndëve të cilat vërtetojnë përkushtim në luftën kundër korrupsionit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button