fbpx

U shënua 110-vjetori i lindjes së Nënës Terezë, përurohet edhe pllaka përkujtimore

Në Sheshin qendror të Shkupit, pikërisht në vendin ku 110 vjet më parë kishte lindur Gonxhe Bojaxhiu, shenjtorja e ardhshme, Shën Tereza, sot u shënua ditëlindja e saj me një sërë aktivitetesh, nën organizimin e ITSHKSH-së, bashkë me shoqata e institucione të tjera. Me këtë rast u përurua pllaka përkujtimore në tre gjuhë, ku vend meritor gjeti edhe gjuha amtare e Gonxhe Bojaxhiut.

“Është bërë arsye kjo pllakë që ne të mblidhemi kështu tok dhe të dëshmojmë se të gjithë ne e respektojmë njësoj veprën e Nënës Terezë. Në të vërtetë, kjo pllakë ka qenë këtu edhe më parë, por shndërrimi i saj në pllakë që e respekton edhe gjuhën amtare të Gonxhes, por edhe ngritja e saj në pllakë që flet për respektin që gëzon ajo nga qytetarët e saj, për neve është festë e veçantë dhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur që kisha mundësi të jem ndër nismëtarët e ripërtëritjes së kësaj pllake”, theksoi drejtori i Institutit, Skender Asani.

Asani më tej u përqendrua në çështjen e përkujdesjes institucionale për figurën e Nënës Terezë, transmeton MIA.

“Deri në themelimin e Departamentit për Nënën Terezë në Institutin tonë kujdesi për figurën e Nënës Terezë jo që ka munguar, por ka qenë më shumë simbolik dhe evokues, në përmasa më tepër ceremoniale. Ndërkaq tash, me themelimin e këtij departamenti, personaliteti i Nënës Terezë ka edhe një përkujdesje shkencore, që në mënyrë studioze do ta ndriçojë figurën e saj, do t’i pasurojë informacionet për të dhe gjithnjë do ta begatojë personalitetin e madh të Nënës Terezë në mjedisin tonë, që sigurisht do të reflektojë edhe përtej kufijve tanë”, u shpreh Asani.

Kryetari i Kuvendit republikan, Talat Xhaferi, me këtë rast, përgëzoi organizatorët e këtij eventi, gjegjësisht, Departamentin e Trashëgimisë së Gonxhe Bojaxhiut pranë Institutit të Trashëgimisë  Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqatën Qytetare “Shkupjanja Nënë Tereza”, që me përkushtimin dhe seriozitetin më të madh vazhdojnë të kultivojnë respektin për veprën e saj, vazhdojnë të mbajnë gjallë frymën e punës së saj të palodhshme dhe e mbjellin në gjeneratat e ardhshme ndjenjën e njëjtë të humanizmit, solidaritetit, vetësakrifikimit dhe qetësisë shpirtërore që e jep bërja e një vepre të mirë, shtrirja e dorës së ndihmës dhe hapja e krahëve për të përqafuar një qenie tjetër njerëzore, e njohur apo e huaj.

Më pas u promovua libri me titull simbolik “Nga Gonxhe Bojaxhiu deri te Nëna Terezë”, ku sipas recensentit Emin Azemi, përveçse përvijohet jeta e saj nga Shkupi i Gonxhes deri në Kalkutën e Shën Terezës, ai do të jetë edhe një sagë për familjet katolike shqiptare të Shkupit.

Në këtë aktivitet morën pjesë deputetë, ministra, ambasadorë dhe aktivistë të shumë të shoqërisë civile, të cilët nderuar jetën dhe veprën e Nënë Terezës.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close