Sa ka qenë efektiv mësimi online

Do të nisem nga një thënie që kur ke vullnet dhe dëshirë për të punuar mund t’ia dalësh mbanë. Mirëpo sa mund të jetë efektive… është një pikëpyetje.

Padyshim që për ne studentët ka qenë e vështirë t’i ndjekim mësimet apo ligjëratat online nëpërmjet platformave të ndryshme të cilat fakultetet i kanë përgatitur dhe i kanë sugjeruar që ne të kemi mësime efektive.

Aspak nuk do diskutim që edhe nxënësit e shkollave të mesme e sidomos të shkollave fillore e kanë pas shumë më të vështirë. Disa familjarë madje janë treguar të pakënaqur të cilët kanë qenë të obliguar që edhe pas një dite të lodhshme në punë, t’i ndjekin vazhdimisht fëmijët e tyre, duke u ndihmuar për detyrat e pastaj duke bërë video-inçizime për t’i dërguar tek mësuesit e tyre.

Gjëja numër një cfarë nuk më pëlqen rreth mësimit online është se të gjithë jemi të kyçur në botën virtuale e posaçërisht fëmijët vazhdimisht duhet të jenë të kyçur në TV, laptop apo telefon varësisht se ku ata i ndjekin mësimet e tyre,  periudhë në të cilën ata nuk duhet t’i shfrytëzojnë ato aspak.

Pra, mësimi i cili duhet të zhvillohet në mënyrë online është i dëmshëm për shëndetin, çfarë nuk ndikon mirë si në aspekt mendor dhe fizik.

Sipas mënyrës tradicionale nxënësit e kanë të patjetërsueshme t’i vijojnë mësimet në institucionet arsimore, ku edhe po të mos kenë aspak interes gjatë procesit të mësimit, mund të mësojnë ndonjë gjë brenda gjashtë apo shtatë orëve varësisht planprogramit ditor. Ndërsa, mësimin online nuk e marrin fare seriozisht, duke mos u kyçur në platformë dhe duke e konsideruar mësimin si komplet lojë.

Nuk dyshoj që mësuesit, profesorët nuk kanë dhënë maksimumin e tyre, duke ushtruar profesionin në mënyrë korrekte, me vullnet të plotë siç kanë punuar in-vivo nëpër institucionet arsimore. Duke u munduar për t’a bërë orën sa më atraktive dhe interaktive për t’i frymëzuar nxënësit të jenë të koncentruar, gjë çfarë prapë ka rezultuar në një epilog apo përfundim jo të suksesshëm për numrin më të madh të nxënësve dhe studentëve.

Sa i përket mësimeve të mia online, i kam ndjekur rregullisht edhepse ka qenë shumë e bezdisshme të qëndrosh me orë të tëra drejtuar ekranit të laptopit, me nga vetëm 5-10 minuta pushim.

Mënyra se si profesorët e mi kanë shpjeguar ka qenë në nivel dhe për çdo lëvdatë, janë munduar që mësimi të jetë sa më interaktivë, duke dhënë shembuj interesant për t’a bërë më të lehtë dhe më të kapshëm materialin mirëpo përsëri të qëndruarit në distancë ka qenë një gjë monotone dhe e bezdisshme, me zero koncentrim. Numri i studentëve të pranishëm dhe aktiv ka qenë i vogël, shumë të tjerë janë përballur me vështirësi në provime si rezultat i mos ndjekjes së mësimit online sepse disa nuk kanë pas mundësi dhe nuk i kanë poseduar mjetet e nevojshme si rezultat i kushteve ekonomike, e të tjerë thjeshtë nuk e kanë pëlqyer sistemin e tillë gjegjësisht mësimin në distancë.

Një sistem, në të cilin koncentrimi humbet lehtë, interesimi është i ulët, vullneti dhe motivi zëvendësohen me lodhje dhe bezdi.

Mangësitë padyshim janë më të mëdha në krahasim me dobitë që sjell ky lloj sistemi elektronik.

Si pikë e parë, vlerësimi i çdo studenti apo nxënësi është më i komplikuar dhe jo real, për dallim nga mësimi in-vivo i cili është më efektiv dhe vlerësimi është i realt. Shpjegimi i paqartësive dhe stimulimi për mësim është i vështirë, kopjimi normalisht është më i lehtë. Nuk ka shoqërim në mes nxënësve apo studentëve dhe komunikimi në mes tyre është më i ngurtë dhe gjithmonë është më formal, përfshirë dhe mësimdhënësit apo ligjëruesit. Gjatë provimit ekziston mundësia e ndërprerjes së rrymës, funksionim jo i mirë i programit, bllokim apo ndonjë defekt që nënkupton automatikisht të biesh nga provimi.

Si përparësi është mundësia për të mos udhëtuar, gjë çfarë ua lehtëson studentëve që jetojnë larg kryeqytetit të studiojnë nga shtëpia duke mos bërë harxhime për rrugë apo banim. Si dhe përdorimi i teknologjisë, për të mësuar, bartur të dhënat në çdo vend dhe në çdo kohë.

Sido që të jetë teknologjia çdo ditë përparon dhe do të ndryshojë çdo gjë. Është një e vërtetë e pamohueshme! Avancimet teknologjike dukshëm kanë ndikim në çdo fushë të jetës dhe nevoja për digjitalizim vetëm përshpejtohet.

Çfarë nuk më pëlqen aspak!

Bazuar në atë se numri i të infektuarve çdo ditë është në rritje, shtohet numri i viktimave dhe situata vazhdon të përkeqësohet.

Duhet të kemi kujdes maksimal, t’a ruajmë shëndetin tonë dhe t’iu ndihmojmë të tjerëve në këtë drejtim. Për shkak të gjendjes aktuale, për mbrojtje dhe siguri, besoj se do të ishte më mirë e më e rendit që në interes të përbashkët të zhvillohej mësimi online, edhepse sa i përket prosperitetit në mësime, koncentrimit, vullnetit dhe efektivitetit për punë, nuk është aspak një vendim i mirë.

Të gjithë ndihemi të sikletosur dhe të shqetësuar, kështuqë duhet të kemi kujdes, me patjetër t’i respektojmë rekomandimet që ky ankth të merr fund sa më shpejtë.

Pra, të mund t’i kthehemi jetesës së mëparshme pa frikë dhe panikë.

Arta Selmani, studente

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button