SHBA, sanksione ndaj firmave dhe individëve kinezë

Shtetet e Bashkuara vunë në shënjestër të mërkurën 24 kompani kineze dhe një numër individësh, që ato thanë se ishin pjesëmarrës në ndërtimet dhe veprimet ushtarake që lidhen me ishujt e diskutueshëm në Detin e Kinës së Jugut, transmeton VOA.

Njoftimi u bë nga Departamenti amerikan i Shtetit dhe ai i Tregtisë.

Zyrtarët thanë në një deklaratë se të 24 kompanitë luajtën rol, “duke ndihmuar ushtrinë kineze për ndërtimin dhe militarizimin e ishujve artificialë në Detin e Kinës së Jugut, veprime që janë dënuar ndërkombëtarisht”.

Departamenti i Shtetit, në një deklaratë të veçantë, tha se do të vendoste kufizime vizash për individët kinezë “përgjegjës ose bashkëpunëtorë” në veprime të tilla në Detin e Kinës së Jugut.

Sipas Departamentit të Shtetit, kufizimet e vizave do të vendosen edhe ndaj personave që lidhen me përdorimin e masave shtrënguese të Kinës kundër disa vendeve të Azisë Juglindore, për të penguar qasjen e tyre ndaj burimeve në det të hapur.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Kinën për militarizimin e Detit të Kinës së Jugut dhe se përpiqen të frikësojë fqinjët aziatikë që duan të shfrytëzojnë rezervat e tyre të gjera të naftës dhe gazit.

Shtetet e Bashkuara kanë kryer operacione të shumta për lirinë e lundrimit, duke dërguar anijet e tyre luftarake nëpër këtë zonë për të mbrojtur lirinë e rrugëve ujore ndërkombëtare.

Kina ka pretendime për 90 për qind të Detit të Kinës së Jugut potencialisht të pasur me energji, por Brunei, Malajzia, Filipinet, Tajvani dhe Vietnami gjithashtu kanë pretendime.

Në këtë zonë detare kalojnë çdo vit mallra me vlerë prej rreth 3 trilionë dollarësh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button