Komisioni Evropian: Kosova i plotëson kriteret për heqjen e vizave

Komisioni Evropian ruan vlerësimin e bërë që në vitin 2018 se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian dhe u kërkon vendeve anëtare të ndjekin rekomandimin e Komisionit për realizimin e këtij procesi, nga i cili Kosova është i vetmi vend i rajonit të Ballkanit që mbetet i përjashtuar, transmeton EN.

Pak javë më parë Ministria e Brendshme e Gjermanisë, vend që mban Presidencën e BE-së deri në fund të vitit, deklaroi se disa vende anëtare kanë kërkuar një përditësim nga ana e Komisionit Evropian, që prej vlerësimit të fundit pozitiv të bërë dy vite më parë.

I pyetur se çfarë po ndodh me përditësimin, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Christian Wigand u shpreh se pas votimit nga Parlamenti Evropian, u takon tashmë vendeve anëtare të BE-së ta çojnë këtë çështje përpara.

“Ajo që mund të them në këtë moment është që në muajin Korrik të vitit 2018, Komisioni konfirmoi se Kosova i ka plotësuar të gjitha masat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave. Dhe ne i qëndrojmë akoma vlerësimit tonë. Pas votimit nga Parlamenti Evropian, u takon tashmë vendeve anëtare të BE-së ta çojnë këtë çështje përpara. Ne i inkurajojmë ata që të vijojnë me heqjen e kërkesave për viza me Kosovën”, tha Christian Wigand, zëdhënës i Komisionit Evropian.

I pyetur nëse është përgatitur përditësimi i kërkuar së fundmi nga disa vende anëtare, dhe se a është dorëzuar ky dokument pranë vendeve anëtare, zëdhënësi shtoi:

“Jam i lumtur të kërkoj nëse ka më shumë detaje në këtë moment, por në parim përgjigja jonë mbetet e njëjtë: vlerësimi ynë qëndron ende”.

Votimi për heqjen e vizave ndaj Kosovës ka vite që mbetet i bllokuar në Këshillin e BE-së, nga një numër i madh vendesh. Sipas Presidencës së kaluar kroate, numri i këtyre vendeve që bllokonin nuk mundësonte as arritjen e votimit me shumicë të cilësuar.

Ndërkohë, vlen të theksohet se për momentin edhe vendet e tjera të rajonit që gëzojnë lëvizjen e lirë pa viza brenda vendeve të Zonës Shengen për momentin nuk mund të përfitojnë për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19, dhe janë lënë jashtë listës së gjelbër të BE-së deri në një vendim të ardhshëm, bazuar në kritere të mirë-përcaktuara, dhe që kanë të bëjnë, ndër të tjera, me numrin e infektimeve, me nivelin e respektimit të masave të distancimit social, të testimit dhe gjurmimit të rasteve me COVID-19.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button