RMV, Qeveria takim me prindërit që janë për mësimin online dhe prindërit që janë për mësimin me prani fizike

Qeveria e Maqedonisë së Veriut e përfaqësuar nga kryeministri teknik, Oliver Spasovski, i shoqëruar nga Mila Carovska, Arbër Ademi, Venko FIlipçe dhe Elizabeta Naumovska, sot pranoi përfaqësuesit e prindërve që janë për mësimin online dhe përfaqësuesit e prindërve për mësimin me prani fizike, transmeton Portalb.mk.

“Në takime, përfaqësuesit e të dy grupeve të prindërve, patën mundësi të shpalosin qëndrimet dhe argumentet e tyre, si dhe të jenë të informuar në detaje për vendimet e Qeverisë për modelin sipas së cilit do të organizohet dhe realizohet mësimi në shkollat fillore dhe të mesme në kushtet e Kovid-19, që është sjellë bazuar në analiza profesionale dhe rekomandimet e Komisionit për sëmundje ngjitëse”, raportojnë nga Qeveria.

Qeveria modelin e tyre për zhvillimin e procesit arsimor në vitin shkollor 2020/21 e vlerësoi si të kombinuar, duke theksuar se ka përjashtime që shkojnë në favor të të dy palëve.

Qeveria sqaroi se nxënësit prej klasës së parë deri në të tretën mund të kërkojnë ndjekjen e mësimit online, vetëm nëse arsyet e parashtruara nga prindërit janë të pranueshme.

Përjashtimin tjetër që e thekson Qeveria, është në lidhje me mundësinë e shkollave që gjithashtu mësimin nga klasa e katërt në fillore, gjegjësisht deri në vitin e katërt në të mesme, ta zhvillojnë me prani fizike. Kjo është e mundur nëse numri i nxënësve nuk është mbi 20, të ketë distancën fizike 1.5 metra ndërmjet nxënësve, si dhe të plotësohen kushtet e higjienës.

Qeveria sqaroi se sa do të plotësohen këto kushte, do të vendoset nga grupi i punës, pasi të marrë mendim pozitiv nga Komisioni për sëmundje ngjitëse.

Ndërkohë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot në seancën e 82-të miratoi Protokollin për zhvillimin e mësimit me prani fizike në shkollat fillore dhe të mesme. Gjithashtu Qeveria propozoi që viti i ri shkollor 2020/21 të fillojë nga 1 tetori.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button