BETEJA E MAKSIMIRIT

Ekipi i “Tiranës” pësoi disfatë nga ekipi i Beogradit.Ishte vetëm një ndeshje futbolli. Nuk ndodhi asgjë e jashtëzakonshme, përkundër “parashikimeve” të “orakujve” nëpër mediat serbe. Sikur të fitonte “Tirana”, me siguri se në të njëjtat media do të “shpërthenin” teoritë e komplotit.

Brezi im kujton shumë ndeshje futbolli, që përjetoheshin më shumë se sa një garë sportive.

E kujton vjeshtën e vitit 1987, kur “Flamurtari” e eliminoi nga garat evropiane “Partizanin” e Beogradit.

I kujton vitet kur shumica e shqiptarëve e adhuronin “Prishtinën”; kur stadiumi i saj, me “kapacitet”mbi 30 mijë shikues, të cilët rrinin si në kuti konserve, mbushej me tifozë prej të gjithë hapësirave shqiptare.

E kujton vitin 1983 kur “Prishtina” e mposhti “Crvena Zvezdën” në Beograd. I kujton pastaj dënimet me burg të shumë shqiptarëve, me pretekstin se,gjatë ndeshjes,kishin brohoritur: “Eho”, që sipas autoriteteve ishte “aludim në Enver Hoxhën”.

Brezi im e kujton, në veçanti,ndeshjen e shumëpërfolur në stadiumin “Maksimir” të Zagrebit, që filloi të luhej në mbrëmjen e 13 majit të 1990, por nuk përfundoi kurrë.U përballën dy nga katër skuadrat më të njohura të futbollit jugosllav: “Dinamo” e Zagrebit dhe “Crvena Zvezda” e Beogradit.

Brezi im e kujton egërsinë e huliganëve serbë në Zagreb dhe indiferencën e policisësë kontrolluar nga Beogradi. Ishte koha kur elitat kroate përgatiteshin ta shpallnin shtetin e tyre të pavarur.

Në Zagreb, ku u përplasën edhe dy koncepte për shtetin jugosllav, tifozët serbë udhëhiqeshin nga famëkeqi Arkan. Në mesin e huliganëve ishte edhe pjesëtari i zjarrtë i grupit “Delije” me emrin Aleksandër Vuçiç.

Brezi im e kujton edhe reagimin e lojtarit kroat, Zvonimir Bobanit, i cili e sulmoi policin që e rrihte tifozin kroat. Pastaj dhuna u mbart në fushë. Vite më pas, Bobani tha se çdo njeri me dinjitet dhe vetëdije kombëtare do të kishte vepruar sikurse ai.

Dëshmitë e mëvonshme janë rrëqethëse. Polici i sulmuar rrëfeu pas shumë vitesh se policët donin t’i vrisnin disa lojtarë.

Ndeshja e ndërprerë është bërë pjesë e historisë. Ka që besojnë se kjo ditë i dha shtysë pavarësisë kroate dhe shpërbërjes së Jugosllavisë. Sipas CNN-it, kjo ndeshje e ndryshoi botën. Për të tjerët këto janë vetëm mitologji, sepse skenari i shkatërrimit të Jugosllavisë ishte përgatitur nëpër zyra tjera…

Brezi im kujton edhe shumë gjëra tjera të trishta, që për brezin e ri duken të pabesueshme…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button