Xhaferi: Nënë Tereza është simboli i dashurisë ndaj njeriut

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi sot mori pjesë në manifestimin “Ditët e Shën Nënë Terezës” me rastin e 110-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeparlamentari Xhaferi në adresimin e tij në manifestimin ku u zbulua dhe ristaurua pllaka përkujtimore e vendit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut-Sh.Nënë Tereza tha se Nëna Tereza është simbol i humanitetit të pafund dhe i dashurisë ndaj njeriut.

“Kemi nderin që në emrin tim dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot, kur e shënojmë 110-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, simbolin e humanitetit të pafund, simbolin e dashurisë ndaj njeriut, ndaj të varfërve dhe njerëzve jo aq me fat në jetë, këtu, para kësaj pllake përkujtimore që simbolizion themelet e shtëpisë së lindjes së kësaj shqiiptare të respektuar botërore, ta shpreh dhe ndaj me të gjithë ju këtu të pranishëm, ndjenjën e krenarisë së sinqertë që jam pjesë e këtij tubimi”, theksoi Xhaferi.

Sot, siç deklaroi Xhaferi, kur bota përballet me pandeminë e COVID-19 që është një kërcënim global për shëndetin e gjithë njerëzimit, një goditje e madhe për themelet e çdo sistemi shëndetësor dhe ekonomik, të gjithë ne kemi nevojë nga mbështetja e ndërsjellë.

Duke apeluar deri tek të gjithë të pranishmit që të respektohet Nënë Tereza, kryetari i Kuvendit tha se në këtë krizë të koronavirusit të gjithë duhet të jemi të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të kujdesemi për njëri-tjetrin dhe kështu të kontribuojmë në fitoren ndaj kësaj të keqe.

Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve (ITSHKSH) tha se është veçmas i kënaqur që sot, në 110-vjetorin e lindjes së saj, zbulojnë pllakën përkujtimore dhe promovojnë librin për Nënë Terezën.

“Kjo pllakë dhe kantina që kemi ndërmend të ngremë për të varfrit, duke ndjekur shembullin e kujdesit të saj, janë përkujtimet më modeste, pa asnjë hiperbolë dhe arrogancë, për humanisten më të madhe në histori”, tha Asani.

Ai po ashtu theksoi se së shpejti deri te Kuvendi i Republikës së Maqedonisë do të dërgojnë propozim dhe elaborat me qëllim që Nënë Tereza të shpallet Pasuri kombëtare dhe të bëhet emblemë dhe letërnjoftim i vendit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button