Thaçi thirrje shqiptarëve të Malit të Zi të marrin pjesë masivisht në zgjedhje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u ka bërë thirrje shqiptarëve në Mal të Zi që në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit të dalin masivisht për votime për të forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një shkrim në rrjetet sociale, presidenti Thaçi ka thënë se këto zgjedhje përbëjnë një moment të rëndësishëm për vazhdimin e forcimit të orientimit euroatlantik të Malit të Zi, shtetit mik të Kosovës.

“Shqiptarët në Mal të Zi duhet të marrin pjesë masivisht në zgjedhjet e së dielës. Ato përbëjnë një momentum tejet të rëndësishëm për vazhdimin e forcimit të orientimit euroatlantik të shtetit tonë mik. U bëj thirrje të gjithë bashkëkombësve tanë që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur dhe forcuar stabilitetin politik, paqen dhe sigurinë në tërë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Thaçi.

Në zgjedhjet parlamentare të 30 gushtit, partitë shqiptare do të dalin me dy lista zgjedhore pasi nuk kanë arritur t’i tejkalojnë mosmarrëveshjet për t’u bashkuar në një listë të vetme. Gjatë muajit korrik u nënshkrua marrëveshja e koalicionit parazgjedhor mes 5 forcave të spektrit politik shqiptar (Alternativa Shqiptare, Forca, Lidhja Demokratike Shqiptare, Unioni i Tuzit dhe Perspektiva) ndërsa kohë më parë u nënshkrua edhe marrëveshja e koalicionit parazgjedhor të 4 partive politike shqiptare (Partia Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve, Lidhja Demokratike në Mal të Zi dhe PQSHI).

Sipas censusit të vitit 2011, shqiptarët janë komuniteti i pestë më i madh etnik në Mal të Zi, apo rreth 5 për qind e popullsisë, ndërsa trupi zgjedhor i shqiptarëve në Mal të Zi numëron rreth 24.000 votues potencial. Në zgjedhjet e fundit që u mbajtën më 16 tetor të vitti 2016 partitë shqiptare garuan në tri lista zgjedhore dhe arritën të fitojnë vetëm një deputet në parlament ndërsa Partia Demokratike e Socialistëve doli fituese.

Zgjedhjet në Mal të Zi do të jenë zgjedhjet e treta kombëtare ne Ballkanin Perëndimor, që mbahen gjatë këtij viti në kushte të pandemisë së COVID-19, pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi dhe 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button