fbpx

Në Kuvend u dorëzua propozim përbërja dhe programi për punën e Qeverisë së re

Mandatari dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev sot deri tek Kuvendi dorëzoi propozim qëndrim dhe program për punën e Qeverisë së re.

“Në zgjedhjet më 15 korrik qytetarët në zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike e konfirmuan drejtimin, e thanë qëndrimin e tyre të cilin sot e shndërrojmë në program”, deklaroi Zaev.

Ai tha se Qeveria e re do të jetë stabile, efikase dhe përgjegjëse e cila do t’i garantojë përcaktimet strategjike gjegjësisht anëtarësimin në NATO dhe BE, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore, përballje me koronavirusin, energjinë e re dhe rritje më dinamike ekonomike, si dhe shtet efikas juridik.

Mandatari pret në fillim të javës së ardhshme Maqedonia e Veriut të ketë Qeveri të re.

Zaev, deklaratën e dha para hyrjes kryesore të Kuvendit, ndërsa me të ishin 19 ministra, aq sa do të ketë Qeveria e re, në vend të 26 deri më tani.

“Me mua sot janë 19 ministra dhe ministre. Të gjithë bashkë obligohemi se do të ecim para, çdo ditë, çdo orë, se do të punojmë edhe më shumë dhe më mirë dhe se do të kërkojmë nga çdonjëri prej jush, nga secili qytetar edhe më shumë pjesëmarrje”, ka thënë Zaev.

Sipas tij, programi për punë i Qeverisë në tërësi e reflekton përkushtimin e gjitha partive politike që janë pjesë e koalicionit në luftën e pakompromis kundër krimit dhe korrupsionit, pastrim i gjyqësorit dhe kontrollim të prejardhjes së pronës dhe parave të të gjithë funksionarëve.

LSDM-ja do të ketë 11 ministri, nga të cilët tetë me dikaster dhe tre zëvendëskryeministra të cilët do të propozohen si ministra pa dikaster me kompetencë të caktuar.

Përveç Zaevit si kryeministër, anëtarë të Qeverisë do të jenë edhe Lupço Nikollovski si zëvendëskryeministër për luftë kundër korrupsionit, Fatmir Bytyqi – zëvendëskryeministër për ekonomi, Nikolla Dimitrov – zëvendëskryeministër për çështje evropiane, Oliver Spasovski – ministër i Punëve të Brendshme, Radmilla Shekerinska – ministre e Mbrojtjes, Bojan Mariçiq – ministër i Drejtësisë, Bllagoj Boçvarski – ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Venko Filipçe – ministër i Shëndetësisë, Mila Carovska – ministre e Arsimit dhe Shkencës, Jagoda Shahpaska – ministre e Punës dhe Politikës Sociale dhe Irena Stefoska – ministre e Kulturës.

Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave do ta udhëheq Arijanit Hoxha nga Besa, ndërsa Goran Milevski nga PLD do të jetë ministër i Vetëqeverisjes lokale edhe në Qeverinë e re.

BDI në Qeveri do të ketë gjashtë anëtarë, Artan Grubi do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Sistemit politik, Bujar Osmani – ministër i Punëve të Jashtme, Fatmir Besimi – ministër i Financave, Kreshnik Bekteshi mbetet ministër i Ekonomisë, ndërsa Naser Nuredini ministër i Mjedisit Jetësor. ministër i Shoqërisë Informatike dhe Administratës do të jetë Jeton Shaqiri.

Zaev e mori mandatin nga presidenti Stevo Pendarovski më 13 gusht, pas çka pati afat deri më 2 shtator për dorëzimin e propozim qëndrimit dhe programin e Qeverisë.

Sipas dispozitave kushtetuese dhe ligjore, në propozim të mandatarit dhe në bazë të programit, Qeverinë e përzgjedh Kuvendi me shumë të votave nga numri i përgjithshëm të votave.

Koalicioni qeveritar që e përbëjnë LSDM-ja dhe partitë tjera të koalicionit “Mundemi” BDI dhe PDSH në Kuvend kanë shumicë parlamentare prej 62 deputetëve.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close