“Monstra”, në kërkim të personit që e bëri lidhjen e automjetit “Opel Omega” me vrasjen e pesëfishtë në Smillkovë

Gjykata, Prokuroria e mbrojtja po e kërkojnë përgjigjen se kush dhe pse e lidhi automjetin “Opel Omega”, me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës. Përgjigja nuk u mësua as në seancën e sotme ku dëshmoi shefi i Sektorit për Ekspertizë në Vendin e Ngjarjes në SPB Shkup Goran Milloshevski, raporton Portalb.mk.

Ditën kur u gjet automjeti “Omega” (13 prill 2012, një ditë pas vrasjes), i cili, sipas akuzës thuhet se të dyshuarit kanë udhëtuar gjatë kryerjes së vrasjes, Millosheski ka qenë në punë dhe ai thotë se vetëm ka marrë informatë nga eprori se është gjetur një veturë, por se nuk e di burimin e informatës, pasi që siç thotë ati, nuk është detyrë e tyre.

“S’kam marrë asnjë njoftim për gjetjen e automjetit “Opel Omega”. Prej eprorit Vllado Mirçevski, kam mësuar se në Vrazhimir është gjetur një veturë, e cila sipas të gjitha gjasave, është e lidhur me ngjarjen e 12 prillit. Unë fare s’e kam parë automjetin. Ne nuk e kemi për obligim që ta hetojmë burimin e informatës, pasi që ne marrim paraqitje prej Qendrës së Raportimit dhe Komandimit (192). Ka shërbime tjera që e hetojnë atë gjë”, tha Milloshevski, dëshmitari i propozuar nga Prokuroria.

Ende nuk dihet se kush e ka raportuar i pari rastin e vrasjes së pesëfishtë, por edhe kush e ka raportuar gjetjen e automjetit dhe si është lidhur vrasja e pesëfishtë me të njëjtin. Mbrojtja mohon lidhjen e vrasjes me automjetin.

‘Neve na intereson personi i parë se kush e ka lajmëruar këtë rast dhe na intereson se kush është ai personi që është lidhur me këtë delikt. Për çfarë arsye, pra një ditë pas rastit menjëherë është lajmëruar se ka veturë të cilën e kanë lidhur me ngjarjen. Vetura s’ka të bëjë me këtë delikt dhe këtë do ta dëshmojmë pasi të bëhet ekspertiza e dheut. Edhe vetë provat e tregojnë këtë gjë”, tha avokati mbrojtës, Naser Raufi.

Nga seancat gjyqësore paraprake lidhur me “Opel Omegën” kontestuese, mund të lexoni:

Mbrojtja në seancë sot gjithashtu njoftoi se ka dorëzuar një listë me prova verbale dhe materiale, të cilat duhet që të plotësohen pasi që Prokuroria kërkonte arsyetime shtesë në lidhje me të njëjtat.

“Kjo shkresë që sot e dorëzuam ka afër 20 prova verbale dhe materiale. Sa i përket provave materiale, lidhur me referatin e MPB-së prej ekspertëve, ku dolën shumë mungesa. Vetë referati që e kanë dhënë si propozim të PSP-së, praktikisht ishte i Prokurorisë dhe përmendën disa emra dhe praktikisht ne i propozuam disa emra.  RMV nuk posedon laboratori që mund të bëjë ekspertizën e dheut, a eksperti ka dhënë dëshmi që kemi. Këtë e ka mohuar Komisioni, për këtë propozuam që këtë ekspertizë ta bëjë një agjencion ndërkombëtar”, tha Raufi duke shtuar se kanë propozuar që ta ftojnë për dëshmi ish kryetarin e Komunës Ilinden, Zhika Stojanovski dhe ish ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieskin.

Gjykimi vazhdon më 31 gusht.

“Monstra”

Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta, janë dënuar me burg të përjetshëm për rastin “Monstra”, nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës.

Vendimi për gjashtë të akuzuarit e rastit Monstra, acaroi shumë qytetarët dhe juristët të cilët vlerësojnë se nuk kishte prova te mjaftueshme për t’i shpallë ata fajtorë dhe të ju shqiptohet dënim me burg të përjetshëm. Ky rast shkaktoi bujë të madhe në Maqedoni, sidomos te popullata shqiptare duke u organizuar edhe protesta masive një muaj me radhë. Edhe pse disa herë u përfol në opinion nga lideri i LSDM-së, se ka material të përgjuar për rastin “Monstra”, megjithatë nga “bombat” e publikuara, për këtë të fundit nuk nxori asgjë.

Gjykata Supreme më 24 nëntor të vitit 2017 solli vendim që lënda “Monstra” të shkojë në ri-gjykim, ndërkaq të dënuarit, Sami Luta, Haki Aziri, Agim Ismailloviq dhe Fejzi Aziri të lirohen nga burgu nën masa të kujdesit, gjegjësisht të mos lejohen që ta lëshojnë qytetin e Shkupit dhe të paraqiten te personi zyrtar në Gjykatën Themelore Shkupi 1 çdo të martë dhe të premte në periudhën prej orës 12 deri në orën 14”.

Prej këtyre katër personave, vetëm Fejzi Aziri është ende në burg pasi që akuzohet edhe për një rast tjetër për të cilën i është shqiptuar masa e dënimit prej 6 vjet e gjysmë, gjegjësisht për gjuajte në fermën “Belimbegovë”.

Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq
Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq

Momentalisht, në arrati gjenden edhe dy të akuzuarit Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Gjatë vitit të kaluar, Gjykata e Krimeve në Prishtinë ka liruar nga burgu.  Lirimi nga akuza si të pafajshëm i dy të dënuarve, të cilët në Maqedoni janë dënuar me burgim të përjetshëm, ka ardhur pasi Trupi Gjykues i Gjykatës në Prishtinë ka konstatuar se argumentet e Prokurorisë në Maqedoni nuk mbajnë.

Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri ishin arrestuar mars të vitit 2013, në një banesë në rrugën “Mehmet Gradica” të Prishtinës, ndërsa i kanë thënë prokurorisë se kanë banuar me qira nëpër banesa të ndryshme që nga koha e arratisjes prej Maqedonisë në vitin 2012. Banesat, ata i kanë kërkuar dhe gjetur nëpërmjet internetit.

Për të njëjtët, Ministria e Drejtësisë ka filluar procedurë për ekstradim, por autoritetet kosovare ende nuk i kanë ekstraduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button