TANUSH RREZJA

Gjysh, o gjysh, i sillen nëpër këmbë dy mbesat e dy nipërit e vegjël, prej dy deri në tetë vjet, o gjysh, duam shalqi!… Tanush Rrezja e lë latën, si ishte duke gdhendur ca copa druri për të bërë djepin e nipit më të vogël, e ngre kryet i buzëqeshur dhe i hap krahët. Nipër e mbesa i hidhen në përqafim. Nesër, herët, gjyshi do të shkojë në bostan do t’ju sjellë shalqi, plot shalqinj.

Tanush Rrezja del nga shtëpia herët të shkojë në bostan ku me të birin që e ruan bostanin, Ndreun, janë marrë vesh që t’i mbledhë që në agim shalqinjtë e pjeprit e pjekur e të freskët të cilët i ka ftohur mirë nata. Copat e territ nuk dorëzohen para rrezeve të para të diellit dhe ende shpërndajnë freski. Thuajse se e ndjekin Tanushin i cili e ka kaluar natën në të ftohtë e që ka nevojë për pak ngrohtësi. Ai e shpejton hapin. Trumcakët e zgjuar herët janë renditur nëpër degët e një molle të fqinjëve që i lëvaren degët kah rruga dhe këndojnë, kurse përroi që kalon rreth rrugës është orkestri magjik që e shoqëron këngën e tyre. Aty-këtu dëgjohet ndonjë e bërtitur e ndonjë njeriu që bëhet gati për fushë duke thënë : – Hajde më o Mark, ngutu vëlla, se u bë dreka! Dhe, kështu bërtima ndërhyn në harmoninë e koncertit të harabelave. O zot, thotë Tanushi qetë, mos e prishni këtë muzikë hyjnore me bërtima! I pëlqen Tanushit qetësia dhe atmosfera e mëngjesit të hershëm kur bleta lëshon lule më lule për të mbledhur polen. Mu në atë çast del një njeri hipur në kalë që shkon në anën e kundërt të Tanushit. Ijaaa, ijaa! ia bën njeriu kalit dhe e shpon ngapak te vithet që të ngutet.  Pa pritur e pa kujtuar një mace nga rrethoja kërcen para kalit kah molla ku këndojnë harabelat. Me gjasë macja do të ketë qenë e uritur, prandaj do t’i ketë vënë shenjën ndonjërit nga zogjtë. Zogjtë ikin përnjëherë, kali trishtohet dhe kërcen me dy këmbët e para përpjetë sa s’i bie Tanushit, ta lente në vend. Tanushit i duhet pak kohë të vijë në vete. Pastaj thotë: çka po ndodh, bre?! Njeriu që është hipur në kalin e frikësuar ia kthen me një zë thuajse të shterur: Ajo dreq mace!… Ndërkohë kali dukshëm i shqetësuar merr të ecë dhe largohet bashkë me njeriun, i cili mbetet me dorën në ajër duke dashur t’i thotë diçka Tanushit, por nuk arrin, sepse tretet në tatëpjetëzën e rrëpirët të rrugës që vjen pas nja njëqind a njëqind e pesëdhjetë metrash. Tanushi mbetet vetëm, ashtu në këmbë duke menduar: çfarë ndodhi vallë?! Kjo rrëmujë e veçmas macja e bëjnë atë me shybe. Nuk është mirë kur një macë të del kështu kur ti nisesh në udhë e nuk është mirë ta shohësh një kalë aq të frikësuar se thonë që këto janë shenja që paralajmërojnë një të keqe. Pas një kohe Tanushi nis ta dëgjojë gurgullimën e përroit. Pastaj edhe trumcakët kthehen. Të gjitha këto të cilat krahas dritës së diellit që e praron fshatin dhe fluturave bëhen dëshmitarë se bukurinë e jetës nuk e ndal dot asgjë. Atëherë Tanushit i japin forcë mbesat e nipërit që presin shalqinj prej tij. Ky moment ia shton bukurinë jetës. Ec Tanush, i thotë vetes dhe niset. Për njëzet minuta Tanushi del te bostani. Vesa që duket si kokrra të imta qelqi në dritë të diellit mëngjesor e që ende qëndron në fijet e barit, ia lag këpucët. A erdhe, baba? e pyet i biri Ndreu që e pret të atin. Erdha, bir. A ke pushuar ti ndopak, biro? e pyet Tanushi. Po, po. Aty kah mesnata kishte do të shtëna, por shpejt u qetësuan… Pas një kohe më ka marrë gjumi, e kam bërë një sy gjumë. Mirë, pra biri im, ia kthen Tanushi. Edhe kalin e paske zënë në qerre. Edhe shalqinj e pjepër i paske ngarkuar. S’paske lënë asnjë punë për mua.  Dhe, Tanushi, pasi i hedh një shikim blerimit të pafund të fushës,  niset me qerren, të cilën e mban i biri te bostani bashkë me kalin që kullot gjithë natën në rreth bostanit. Një tufë më thëllëza dhe do turtulla lëshohen në grurin që është pranë bostanit. Duket një lejlek që ngrihet nga një trung druri pa degë. Ndoshta bëhet gati për rrugë të gjatë kah jugu i largët. Dielli tashmë e derdh me grusht ngrohtësinë dhe rrezet  e tij i kanë vënë në lëvizje të gjitha kandrat, nga thneglat deri te kacadreni. Kur arrin në shtëpi Tanushi, dielli është ngritur dy hostenë mbi kodër. E zgjidh kalin dhe e lidh te qershia skaj kurtit. Karroca me shalqinj e pjepër mbetet midis kurtit. Nipat e mbesat dalin shpejt pas tij: Gjyshi, gjyshi!… Pas tyre edhe e shoqja e Tanushit – Adelja dhe reja – Lina. Të katër fëmijët e marrin nga një shalqi të gëzuar. Mbesës më të vogël i bie shalqiri prej dore dhe çahet. Del në shesh ngjyra e kuqe si rubin dhe bërthamat e zeza, që e sheshojnë një kosmos të vërtetë kuq e zi. E ëma, Lina, i bërtet vajzës së vogël: Dile, Dile!… Jo bija e nënës! Por Tanushi ia kthen: Mos i nguc fëmijët. Le t’i gëzohen jetës me atë që kanë.

Tre të mëdhenj dhe katër fëmijë ulen në çardak pranë tryezës. Tanushit i kujtohet ajo ngjarja e mëngjesit me macen që e frikësoi kalin, njeriu mbi kalë që s’mundi dot të thotë asnjë fjalë përveç asaj që tha me zë të shterur: Ajo dreq mace!… Pastaj i shikon fëmijët si hanë shalqi e flasin plot kënaqësi. Tanushit i duken si trumcakët që e bënin atë orkestrin e gëzimit në mëngjes kur u nis për të shkaur në bostan.

Zogjtë e gjyshit! u thotë Tanushi. Hani sa të doni, se kemi plot…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button