PROJEKSIONE: BOTA PAS PANDEMISË (I)

Kriza më e madhe globale këtij shekulli, në të cilën ka hyrë bota në këtë vit, shoku sizmik (Burns, 2020) që kërcënon 7.8 miliardë njerëz, ka ngjallur debate të bujshme e të zjarrta në sfera të ndryshme të shkencës, mendimit, gjeostrategjisë, kulturës, historisë, mjekësisë, lidhur me të ardhmen e njerëzimit, botës. Revista e famshme amerikane Foreign Policy (me histori 50-vjeçare) i është bashkëngjitur kundrimit rreth situatës së shtangur të racës humane duke intervistuar 12 koka të mëdha të mendimit global që veprojnë në institucione me relevancë globale, që kanë impakt në zhvillimet madhore, në agjendat ndërkombëtare. Në vazhdim do të japim pasqyrën e parashikimeve të disa prej tyre që janë me peshë në projektimin e të ardhmes tonë.

Sipas Stephen M. Walt, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare nga Universiteti Harvard, na pret një botë më pak e hapur, me më pak mirëqenie dhe më pak e lirë. Pandemia do ta forcojë shtetin dhe do të riforcojë nacionalizmin. Shtetet do të marrin masa dhe nuk do të duan të heqin dorë prej tyre pas përfundimit të krizës. COVID-19 do ta përshpejtojë kalimin e fuqisë dhe  të ndikimit nga Perëndimi në Lindje. Europa dhe Amerika kanë reaguar në mënyrë të avashtë dhe kuturu, duke e nxirë aurën e “brendit” perëndimor. Politika botërore do të mbetet konfliktuale, do vazhdojnë rivalitetet e mëdha. Do të shohim zmbrapsje nga hiperglobalizimi, ngaqë qytetarët kërkojnë mbrojtje nga qeveritë kombëtare kundër lëndueshmërive të së ardhmes. Virusi, planifikimet e dobëra dhe lidershipi i dobët e kanë futur njerëzimin në një rrugë të frikshme.

Robin Niblett, drejtor i Chatham House, thotë se koronavirusi mund do të jetë sana që do t’ia thyejë shpinën kapitalizmit ekonomik. Kjo gjendje i detyron qeveritë, kompanitë që t’i forcojnë kapacitetet e tyre për t’u përballur me periudhat e vetëizolimit ekonomik. Arkitektura e qeverisjes ekonomike të themeluar në shekullin 20 do të vyshket. Rritja e presionit publik dhe politik për të përmbushur objektivat e uljes së emetimeve të karbonit ka vënë në dyshim besimin te shumë ndërmarrje gjigante. Përballja e suksesshme me pandeminë liderëve do t’iu sigurojë kapital politik. Do të ketë shkëputje nga globalizimi i dobive të ndërsjella dhe nga integrimi ekonomik global.

Kishore Mahbubani, nga Universiteti Nacional i Singaporit, autor i Si ngadhënjeu Kina? Sfida kineze ndaj parësisë amerikane parasheh një globalizim më sino-centrik, pra kalimin nga globalizimi ku në qendër kanë qenë SHBA-të drejt një globalizimi ku do të mbisundojë Kina. Popullata amerikane e ka humbur besimin te globalizimi dhe tregtia ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kinezët, si rrjedhim i angazhimit global dhe ringjalljes ekonomike në dekadat e fundit, kanë përforcuar vetëbesimin; ata po përjetojnë një shpërthim të vetëbesimit kulturor, të bindjes së mund të garojnë gjithandej. SHBA-të për të ruajtur epërsinë globale duhet të marrin pjesë në garën gjeopolitike të shumës zero me Kinën, politikisht dhe ekonomikisht. Për të përmirësuar mirëqenien e dobësuar të popullit amerikan SHBA-të duhet të bashkëpunojnë me Kinën.

John Ikenberry, profesor i politikës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universiteti Princeton, autor i Pas fitores dhe Leviatani liberal, pohon se në periudhën paspandemike do të ketë forcim të lëvizjes drejt nacionalizmit, rivalitete të fuqive të mëdha dhe tërheqje strategjike. Demokracitë do të dalin jashtë guaskave të veta për të gjetur një lloj të ri të internacionalizmit pragmatik dhe mbrojtës. Nacionalistët, antiglobalistët, fajkojtë e Kinës dhe internacionalistët ndërkombëtarë do të gjejnë hapësirë të re për ngulmim në idetë e veta. Por nga ana tjetër, sikurse në vitet 1930 dhe 1940 do të shfaqet edhe një kundërrymë e ngadalshme, një lloj i internacionalizmit kokëfortë, i ngjashëm me atë të Franklin D. Rooseveltit dhe disa shtetarëve të tjerë që artikulonin idetë e tyre para dhe gjatë luftës, një infrastrukturë globale për bashkëpunim multilateral. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button