ANALIZË: Fatmir Besimi – shqiptari i dytë etnik që do të menaxhojë me Ministrinë e Financave 

Që nga pavarësia e deri më tani, Ministria e Financave do ta fitojë ministrin e 15-të me radhë në këtë departament – Fatmir Besimi, një funksionar i shquar nga radhët e BDI-së. Besimi do të jetë ministri i dytë – shqiptar etnik në këtë ministri kyçe, e cila i menaxhon financat publike dhe politikat e përgjithshme makroekonomike. Portalb.mk i analizon në mënyrë kronologjike se cili ministër, për sa kohë, dhe si e menaxhoi Ministrinë e Financave.

Dosje: të gjithë ministrat e financave – që kanë lënë si gjurmë…

Ministri i parë i Financave në Maqedoninë e pavarur, si pjesë e qeverisë së atëhershme eksperte të Nikolla Kljusevit ishte Metodija Tosehvski, dhe në krye të kësaj ministrie ai ishte nga marsi i  vitit 1991 deri në shtator të vitit 1992. Toshevski ishte gjithashtu edhe drejtor i Bankës Almako tashmë të dështuar, por edhe kryerevizor shtetëror, që i hodhi themelet e Entit shtetëror të Revizionit. Nga shtatori i vitit 1992 deri në fund të vitit 1994, kryesimin e kësaj ministrie e mori, Xhevdet Hajredini, i cili atëherë ishte funksionar i PPD-së – Partisë për Prosperitet Demokratik të Abdylhadi Vejselit. Hajredini do të jetë ministri i parë i financave në qeverinë e parë politike të udhëhequr nga Branko Crvenkovski, por edhe ministri i parë dhe deri më tani i vetmi – shqiptar etnik që ka udhëhequr me këtë ministri.

Pas Hajredinit, karrigia ministrore në financa kryesisht ishte e rezervuar për kuadro të LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së, me përjashtim të ministrit Petar Goshev – i cili ishte kuadër i PLD-së. Pasardhës i Hajredinit, në fund të 1992, u bë Jane Miljovski, një nga funksionarët e shquar të atëhershëm të LSDM-së, në qeverinë e udhëhequr nga Branko Cërvenkovski. Miljovski ka menaxhuar me financat deri në shkurt të vitit 1996 dhe mbetet i kujtuar si “babai” i privatizimit – proces që në vitet e mëvonshme do të kryhet në atë mënyrë që do të lërë pasoja të përhershme, plagët e të cilave shërohen deri më sot.

Nga shkurti i vitit 1996 deri në fund të vitit 1998, si kuadër i LSDM-së, Ministria e Financave kaloi në duart e profesorit Taki Fiti. Në këto vite, nën shenjën e “privatizimit”, fillojnë edhe marrjet e para të kompanive të mëdha të Maqedonisë, nga duart e shtetit në duart private. Ky proces do të jetë hyrje në formimin e “oligarkisë së ardhshme maqedonase”.

Në fundi të vitit 1998 – për herë të parë financat kalojnë në duart e VMRO-DPMNE-së, e cila i fitoi zgjedhjet nën udhëheqjen e Ljubço Georgievskit. Kështu, udhëheqjen e MF-së e mori Boris Stojmenov, tashmë një biznesmen me përvojë në qarqet e biznesit në vend. Stojmenovi ishte në këtë pozicion deri në fund të vitit 1999, dhe gjatë mandatit të tij u bë “privatizimi” i njërës nga industritë më të rëndësishme në Maqedoni – rafinerisë Okta, e cila asokohe iu shit kompanisë greke “Hellenic Petroleum”, si një “kompani humbëse”, për 32 milion dollarë. Për këtë shitje u hap lëndë në Prokurorinë Publike dhe në Komisionin Kundër Korrupsionit.

VMRO-DPMNE-ja vazhdoi të udhëheqë me MF-në edhe në mandatin tjetër, kur në krye të kësaj ministrie, në fund të 1997 erdhi Nikolla Gruevski dhe udhëhoqi me të deri në fillim të nëntorit të vitit 2002. Këto do të jenë vite të vështira për ekonominë e përgjithshme për shkak të konfliktit ushtarak në vend. Gruevski në mandatin e tij ministror do ta prezantojë TVSH-në në paketë me fiskalizimin, e po ashtu ai është dhe “babai” i fushatës “blej produkte maqedonase”. Në kohën e Gruevskit, filloi edhe rrënia e njërës prej bankave më të mëdha në atë kohë – “Makedonska Banka”. Ministri i shtatë me radhë i Financave ishte Petar Goshev, si kuadër i PLD-së, pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga Branko Cërvenkovski. Goshevi ishte në krye të kësaj ministrie deri në nëntor të vitit 2003, një periudhë në të cilën ishte thelbësore konsolidimi i financave publike.

Në nëntor të vitit 2003, ministria u kthye në duart e LSDM-së, përmes Nikolla Popovskit, atëherë një funksionar \i shquar i partisë. Popovski udhëhoqi me financat publike deri në fund të gushtit të vitit 2006 dhe mbahet mend si një ministër i prirë për të kursyer. Në gusht të vitit 2006 – Ministria e Financave përsëri ra në duart e VMRO-DPMNE-së me ardhjen e Trajko Sllaveskit, i cili do të menaxhojë me financat publike deri në korrik të vitit 2009. Ai u largua nga detyra pasi Kryeministri i atëhershëm Nikolla Gruevski e shkarkoi atë – duke u bërë ministri i vetëm që u shkarkua, pasi që refuzoi të japë dorëheqje. Në korrik të vitit 2009, kryesimin e Ministrisë e mori Zoran Stavreski dhe udhëhoqi me këtë ministri deri në qershor të vitit 2016 – mandat që është më i gjati nga të gjithë ministrat e tjerë.  Stavreski ka lënë shenjë të përhershme gjatë udhëheqjes së tij – me mbështetje nga buxhetit u financua njëri nga projektet më të shtrenjta, por edhe më kontraverz, “Shkupi 2014”. Emri i Stavreskit ishte pjesë e “bombave” të publikuara politike të LSDM-së. Në prag të rënies së qeverisë së VMRO-DPMNE-së, një vit me këtë ministri udhëhoqi Kirill Minovski ,i cili mbeti në detyrë dhe si pjesë e qeverisë teknike të atëhershme.

Pas ekipimit të Qeverisë së re, të udhëhequr nga LSDM-ja, në qershor të vitit 2017, Ministër i Financave u bë Dragan Tevdovski, profesor, i cili mbeti në këtë pozitë deri në fund të qershorit të vitit 2019.  Ai u largua pasi u shkarkua nga Parlamenti – duke refuzuar të jepte dorëheqje së bashku me dy ministra të tjerë. Tevdovski u largua nga pozita në një kohë kur në opinion komentohej një luftë të hapur midis zyrtarëve të rëndësishëm të qeverisë – veçanërisht në departamentet ekonomike. Në kohën e Tevdovskit, u vendos taksimi progresiv – një model që LSDM-ja e paralajmëroi para zgjedhjeve.

Tevdovski u largua – dhe për shkak të problemeve me zgjedhjen e kuadrit, në një periudhë të shkurtër, dy-mujore, vetë Kryeministri Zoran Zaev, do të kryesojë me ministrinë. I cili në fund të gushtit 2019 e propozoi Nina Angellovskën për ministre të re të financave. Në mandatin e saj, u hoq taksimi progresiv, dhe ekonomia fillon t’i jetojë muajt më të vështirë në histori – kur për shkak të Covid 19 u mbyllën një numër i madh sektorësh. Gjatë mandatit të Angellovskës do të regjistrohet edhe një nga deficitet më të larta të buxhetit dhe niveli më i lartë i borxhit të ekonomisë.

Angellovska karrigen ministrore ia lë Fatmir Besimit – tashmë një funksionar i njohur dhe i shquar i BDI-së. Besimi, pas Hajredinit, do të jetë ministri i dytë – shqiptar etnik, në duart e të cilit do të jetë menaxhimi i financave publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button