Deputeti i BDI-së, Florin Besimi do të japë dorëheqje nga mandati i deputetit për shkak konfliktit të interesit

Deputeti i BDI-së, Florin Besimi, paralajmëroi dorëheqje nga mandati i deputetit, për shkak të paralajmërimit të Antikorrupsionit se ka konflikt interesi në rast të votimit të përbërjes qeveritare, në mesin e të cilëve është vëllai i tij, Fatmir Besimi, i propozuar për ministër të Financave, njofton Portalb.mk.

“Duke qëndruar stoik në parimet për barazi, drejtësi, mundësi për të gjithë dhe duke respektuar në tërësi dhe pa asnjë hezitim ligjin dhe vullnetin e popullit, unë ju njoftoj se mbetem parimor dhe rrjedhimisht dorëhiqem nga mandati i deputetit të popullit për të evituar konflikt të mundshëm të interesit me votën time në kuvend”, shkruajti Besimi në Facebook.

Ai më tej sqaron se këtë vendim e ka marrë në ditën e shpalljes së kandidatëve për ekzekutivin e ri dhe në konsultim dhe pajtueshmëri të plotë me kryetarin e partisë Ali Ahmeti.

Pasi dha dorëheqje deputeti Besimi në vend të tij vjen profesori i ekonomisë nga Zhelina Bedri Fazliu.

Ndryshe, paraprakisht Antikorrupsioni paralajmëroi se do të monitorojnë nga afër veprimet e vëllezërve Besimi, për të parë nëse do të ketë konflikt të parë interesi në zgjedhjen e Qeverisë.

“Le të shohim se si do të jetë zgjedhja e Ministrit të Financave. Deputeti zgjidhet nga populli, kjo nuk është diskutabile. Por, ai nuk duhet të marrë pjesë në zgjedhjen e vëllait të tij. Konfliktin e interesit fillimisht e shoh këtu. “Ai gjithashtu duhet të përjashtohet nga debati për zgjedhjen e Qeverisë dhe nga votimi për anëtarët e Qeverisë ku vëllai i tij është kandidat”, deklaroi për Alsat Biljana Ivanovska, kryetare e KSHPK.

Vota e Florin Besimit ishte vota e katërt jo e sigurt për zgjedhjen e përbërjes së re qeveritare. Ditët e kaluara, në disa media u shkrua për papajtueshmëritë në radhët e BDI-së në lidhje me disa kuadro që lideri Ahmeti i propozoi për qeverinë e re. Revolti ka të bëjë më së shumti me kandidimin e Artan Grubit për zv/kryeministër dhe Bujar Osmanit për ministër të Punëve të Jashtme.

Papajtueshmëritë janë shprehur te degët e partisë së BDI-së në Saraj dhe Çair. Me atë vihet në pikëpyetje edhe votimi i Qeverisë nga deputetët Izet Mexhiti dhe Arben Ziberi.

Me marrëveshjen për koalicion, LSDM, BDI dhe PDSH, kanë shumicë parlamentare prej 62 deputetëve, ndërkaq për ta votuar Qeverinë duhen më së paku 61 deputetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button