Rëndësia e Komisionit Evropian

Kur flasim dhe mendojmë për Brukselin zakonisht e kemi parasysh Komisionin Evropian (KE). Komisioni Evropian luan rol kryesor në Bashkimin Evropian. Komisioni ndihmon për të formuar strategjinë e përgjithshme të BE-së, propozon ligje dhe politika të reja të unionit, monitoron zbatimin e tyre dhe administron buxhetin. Presidenti aktual i KE-së është politikanja gjermane Ursula von der Leyen, (2019-2024). KE ka filluar të funksionojë për herë të parë në vitin 1958. KE ka dy nivele: kolegjin, pjesën politike të komisionit, i cili udhëheq organizatën dhe administratën që ka të bëjë me shërbimet e unionit.

Komisioni përbëhet nga kolegji me 27 komisionerë, një nga secili shtet anëtar dhe me një staf prej afro 33,000 mijë administratorëve. Kolegji i komisionerëve siguron udhëheqjen politike të komisionit. Ai shërben për një mandat pesë vjeçar që është koha të përkojë me zgjedhjet për Parlamentin Evropian.

Në përgjithësi komisioni i nënshtrohet një kontrolli të përhershëm nga qeveritë kombëtare. Komisioni i përgjigjet politikisht Këshillit dhe Parlamentit Evropian. Më tej Parlamenti Evropian gjithashtu ka fuqinë të detyrojë dorëheqjen e Komisionit. Ndryshe, Komisioni Evropian është krahu ekzekutiv politikisht i pavarur i BE-së.

KE, thënë shkurt është përgjegjëse për hartimin e propozimeve për legjislacionin evropian dhe zbaton vendimet e Parlamentit dhe Këshillit të BE-së. Në terma të përgjithshëm Komisioni propozon ligje të reja dhe është institucioni i vetëm i BE-së që paraqet ligje për miratim nga Parlamenti dhe Këshilli që mbrojnë interesat e BE-së dhe qytetarëve të saj për çështje që nuk mund të trajtohen në mënyrë efektive në nivel kombëtar. Sipas traktatit, KE menaxhon politikat e BE-së dhe alokon fondet e BE-së, përcakton përparësitë e shpenzimeve të BE-së, së bashku me Këshillin dhe Parlamentin, harton buxhete vjetore për miratim nga Parlamenti dhe Këshilli. Komisioni Evropian ka një rol po ashtu të rëndësishëm në mbikëqyrjen e harxhimit të parasë publike.

KE së bashku me Gjykatën e Drejtësisë, sigurojnë që ligji i BE-së të zbatohet siç duhet në të gjitha shtetet anëtare dhe kuptohet përfaqëson BE në arenën ndërkombëtare veçanërisht në fushat e politikave tregtare dhe ndihmës humanitare.

Zbërthyer në detaje, Komisioni Evropian është një institucion mbikombëtar, pasi anëtarët kërkojnë të arrijnë atë që është në interesin më të mirë të BE-së. Sipas nenit 211 i Traktatit të KE-së funksioni i komisionit konsiston në shqyrtimin, propozimin dhe miratimin e legjislacionit. Shumë politika në Bashkimin Evropian fillojnë në komision dhe pastaj ato i administron ato ndërsa i kontrollojnë organet e tjera të BE-së.

Duhet theksuar se komisioni ka të drejtë të japë mendime për çdo çështje të BE-së, dhe gjithashtu detyrimi i saj për të botuar një raport vjetor për punën e BE-së. Në praktikë, komisioni është më i rëndësishmi në lidhje me ndërveprimin juridik, pasi vendos çështje që janë drejtpërdrejt të rëndësishme. Komisioni Evropian ka 27 anëtarë dhe njëri nga komisionerët shërben si president i tij dhe ka pesë nënkryetarë. Shtetet anëtare paraprakisht bien dakord së pari për një kandidat për t’u bërë president i komisionit dhe më pas shtetet anëtare emërojnë anëtarët e tjerë të komisionit. Parlamenti Evropian duhet të aprovojë përbërjen e komisionit.

Sipas akteve, Komisioni Evropian mund të ndahet në tre departamente:1.Departamenti i politikave që merret me çështje ekonomike, mjedisore, sociale, bujqësore. 2.Departamenti i marrëdhënieve të jashtme që merret me zhvillimin, zgjerimin, ndihmën dhe tregtinë e jashtme dhe 3.Departamenti i shërbimeve që punon në këshillimin mbi politikat, infrastrukturën, logjistikën, shërbimet juridike dhe administrative. Walter Hallstein ka qenë presidenti i parë i Komisionit Evropian, 1958. Komisioni selinë e ka në Bruksel dhe Luksemburg, dhe disponon një buxhet vjetor prej 1.5 miliard euro.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button